Pendesa e veçantë e Sulejman Rexhepit

“Në hotel “Holidej In” në Shkup, më 2 qershor, 2019, është mbajtur forumi “Dy vjet Qeveri – Me përgjegjësi para qytetarëve”, organizuar nga Kryeministri Zoran Zaev me rastin e shënimit të dyvjetorit të formimit të kësaj Qeverie të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Në të, me ftesë të veçantë, ka marrë pjesë edhe Kryetari i Bashkësisë Fetare Islame të RMV, Reis’ul-Ulema h. Sulejman ef. Rexhepi”, informon faqa zyrtare e BFI-së së falimentuar

Shkruan Andi Rakipi, Tiranë

Çdo qeveri në botë organizon evente të ndryshme, aktivitete e takime, me qëllim që të raportojë mbi të arriturat, problemet dhe sfidat që e presin deri në përfundim të mandatit. Natyrisht, në të tilla takime ftohen faktorët me relevancë të vendit, ftohen edhe ata që janë të kënaqur me qeverisje por edhe ata që nuk janë të kënaqur, edhe ata që e lavdërojnë qeverinë, por edhe ata që e shajnë qeverinë, edhe ata që e kritokojnë edhe ata që e këshillojnë. Por, pa dyshim, janë të rallë ato takime të organizuara nga qeveritë në të cilët marrin pjesë të pakënaqurit, kritikuesit, mohuesit e qeverisë. Shkuarja nëpër ato evente për palën opozitare, për ata që kanë mendimin kritik, do të nënkuptonte dorëzim para qeverisë, pranim i sukseseve të qeverisë, do të nënkuptonte pendesë për tërë atë aktivitet dhe qëndrim opozitar dhe zgjatje e dorës për pajtim! Në krye të informatës të shërbimit për informim të BFI-së së Sulejman Rexhepit thuhet shprehimisht “me ftesë të veçantë, ka marrë pjesë edhe Reisi…”! Me ftesë të veçantë?! A thua çfarë paska qenë ajo ftesë për Mulla Sulën që paska dalluar nga të tjerat?! Natyrisht, ftesë si të gjitha ftesat e tjera, por, në këtë sintagmë përdoret hileja që e justifikon veprimin e Sulejman Rexhepit – pjesëmarrjen e tij në një event organizuar nga një Qeveri, të ciliën ai kohë më parë e ka kritikuar si diskriminatore, si jo e drejtë, ndaj dhe i ka dërguar ultimatum, ose të bëhet ashtu siç thotë Mulla Sula ose…

Vërtet çka kërkoi Sulejman Rexhepi që u duk aty, në atë event! Kush e porositi të shkojë, cili ishte synimi i tij, ç’mesazh përçoi me prezencën e vet! Gati dy muaj më parë, Sulejman Rexhepi foli zi e më zi për këtë Qeveri, duke e kualifikuar si diskriminatore në raport me fenë islame dhe myslimanët e vendit, duke i dhënë 10 ditë ultimatum që “të përmirësohet”, duke folur me gjuhë të urrejtjes kundër institucioneve dhe digastereve të saj, madje duke sjellë plotë “fakte dhe argumente” përmes të cilave mundohej ta justifikojë qëndrimin e vet antiqeveritar! Ashtu siç e kishte bekuar Nikolla Gruevskin, gati sa nuk e mallkoi Zoran Zaevin. Në fund, i përgjigjet “ftesës së veçantë” dhe merr pjesë në eventin e tij, në të cilën natyrisht që do të raportohej me pompozitet e me krenari mbi të arriturat dhe sukseset e kësaj Qeverie! Prezenca e Sulejman Rexhepit, në këtë event të Qeverisë, në fakt, ishte një mohim vullnetar i tërë asaj që e ka thënë rreth kësaj Qeverie, ishte një pranim i mirëqeverisjes dhe një pendesë për atë shpifje e urrejtje që e kishte shprehur për këtë Qeveri! Kjo nënkupton se, Sulejman Rexhepi shpreh kënaqësinë për tërë ato “konstatime antiislame” që ia mveshi kësaj Qeverie dhe këtij Kryeministri.

Kot e ka! Përmes këtij veprimi të djallëzuar nuk mund ta zbrapsë Prokurorinë e shtetit nga vendimi për ta ulur në bangën e drejtësisë për përdorimin e gjuhës së urrejtjes si dhe për shumë vepra penale të kryera përgjatë kësaj decenie të fundit. Jo vetëm duke qenë pjesëmarrës në një event qeveritar por, as edhe duke qenë pjestar i qeverisë nuk do të mund t’i shpëtojë organeve të drejtësisë. Është vetëm çështje kohë se kur do ta ulin dhe ta detyrojnë të përgjigjet për një mal veprimesh kriminale që i ka kryer që nga viti 2013 e këndej. Prandaj, ata të shërbimit për informim i Sulejman Rexhepit, le ta ndërrojnë këtë “aktivitet” nga faqja zyrtare, sepse kanë pasur aktivitete edhe më të rëndësishme. Le të jenë në kohë reale dhe mos të merren me vetëmashtrime! /Opinione/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *