Për një “revolucion të butë”!

Nga Driton Gashi dhe Asdren Haziraj /

Po t’i qasemi thënies se famshme të Abraham Lincolnit se “Qeveria e popullit buron nga populli dhe është për popullin”, do ta kemi më të lehtë që ne si shoqëri socio-politike dhe demokratike të kemi ekskluzivitetin e zgjedhjes së formave qeverisëse dhe njëkohësisht të zgjedhjes së njerëzve për t’i implementuar pikërisht këto forma. Kjo vlen, pikërisht, në sistemin demokratik që sigurisht dhe fatmirësisht e gëzojmë. Ne si shoqëri demokratike duhet ta luftojmë këtë klasë politike që tash e sa kohë i ka shkaktuar vetëm dëm dhe asnjë dobi të vetme vendit dhe atdheut tonë. Si shoqëri demokratike na nevojitet një ndryshim thelbësor.

Vetvetiu lind pyetja: Si bashkësi qytetare e organizuar në shtet demokratik, a jemi duke zgjedhur mënyrën e duhur, format dhe njerëzit me kredibilitet që të udhëheqim me atdheun tonë? Me bindjen më të madhe ne themi “JO”! Duhet ndryshuar në themel mentaliteti i kultivuar deri tani tek ne. Dhe, ku mund të ndryshojë më mirë dhe rrënjësisht se tek populli që me mjete demokratike ka në dorë fatin e tij. Dihen vështirësitë që ka kaluar populli deri në arritjen e aspiratave shekullore për shtetformim dhe dinjitet kombëtar.

Tashmë e kemi shtetin, kemi Kushtetutën dhe jemi të lirë në zgjedhjet që bëjmë. Është absurditet që të lejojmë rrënimin e vlerave dhe dinjitetin tonë nga disa njerëz (në përgjithësi politikëbërësit), që padyshim nuk janë të denjë dhe të aftë që të qeverisin dhe të ushtrojnë detyrat e tyre ashtu siç i ka hije këtij populli. Mbi të gjitha pa profesionalizëm dhe pa një vizion të qartë.

Pa e banalizuar fjalën nevojitet një “revolucion i butë” së pari në gjithë sistemin politik dhe në klasën politike në vend. Kësisoj, si pasojë e kësaj lëvizje duhet të vijë një frymë e re politike që do të zëvendësojë këtë elitë të lodhur dhe të stërplakur që i ka ikur kredibiliteti artificial, por edhe mosha tashmë.

Me këtë “Revoulicion” me siguri mendja i percepton zhvillimet revolucionare të shekullit të kaluar që prodhuan shkatërrim, regres në shoqërinë e atëhershme, luftëra të shumta dhe ndërrim sistemesh politike, kryesisht nga monarkitë tek sistemet diktatoriale socialiste të ekstremit të majtë. Mirëpo, jo! Këtu nënkuptohet rishikim i vlerave sociale dhe politike të vendit; ndërrim mentaliteti, zhvillim dhe ndryshim i vetëdijes kombëtare dhe perceptim të mirëqenë për këto vlera. Ose, thënë ndryshe: rivlerësim i të të gjithave vlerave socio-politike.

Me këtë nënkuptojmë identifikim dhe qasje të duhur për zgjidhjen e problemeve të shumta që janë grumbulluar ndër vite, e që ka të atilla që tashmë duhet t’u thoshim të kaluara, e që fatkeqësisht janë ende prezente dhe të prekshme kudo. Me gjithë këtë kuptojmë nevojën ndërrimin e kësaj kaste politike.

Në këtë kontekst mendohet ndryshim i qasjes në arsim i cili është mekanizmi më i fortë i një populli për zhvillim progresiv dhe nxjerrjen e gjeneratave të kualifikuara, analizim i metodave mësimore të shkollimit fillor, të mesëm, universitar, deri tek ai shkencor dhe akademik.

Përse sot nxjerrim gjenerata të tëra të mangëta profesionalisht të pajisur me diplomë? Të diplomuar, por analfabetë! Ky është pikërisht paradoksi më degradues i arsimimit në shtetin tonë. Themeli i një shteti është arsimimi i mirëfilltë i atij shteti. Mirëpo, korrupsioni politik dhe nepotizmi kanë hyrë dhe kanë degraduar autonominë e sistemit arsimor nga cikli shkollor e gjer tek ai universitar.

Përse ka aq shumë studentë dhe mbipopullim të universiteteve tona publike? Përse vlen kjo devizë sarkastike “më duhet të shkoj në universiteti për shkak se nuk gjej punë”, që fatkeqësisht përshkruan këtë realitet të hidhur. Sigurisht që për këtë vlen pohimi i Tvezetan Todorovit, mbi atë që “Qeveria e keqe ka frikë nga arsimimi i mirë i qytetarit”.

Së treti vjen ekonomia e cila është rrënuar pothuajse plotësisht nga kjo kastë politikanësh që me injorancën dhe pangopësinë (hajninë) e saj e ka ngulfatur dhe ngujuar atë. Kjo ekonomi e vendit, besoni ose jo, është duke numëruar ditët e fundit parakolapsike. Ekonomia e këtij vendi është duke perënduar në vend që të lulëzojë. Dhe, sigurisht nuk mund të lulëzojë me udhëheqës të paditur dhe të pamatur në shumë veprime. Ajo mund të lulëzojë dhe ngritet atëherë kur rritet kualiteti i prodhimeve vendore dhe konsumimi i tyre.

Së katërti, ndërrim ose amendamentim në Kushtetutë në disa pika kyçe, eksluizivisht mbi atë ku nuk do të lejohej të ketë aq shumë ministri, ministra dhe zëvendësministra që më shumë komplikojnë gjendjen dhe situatën sesa kryejnë punë si duhet. Nuk na nevojitet sasia, por cilësia. Duhet të formohen departamente që mund të punojnë mbi plane konkrete për ndryshimin dhe zhvillimin e vendit.

Është momenti ynë i fundit që të vendosim për një shtet kredibil, të zhvilluar si politikisht dhe mendërisht. Dikur do të jetë vonë. Ama, shumë vonë…!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *