Perëndimi ndau Maqedoninë

Nga Mero Baze/

Referendumi për emrin e ri të Maqedonisë dhe orientimin e saj pro-perëndimor, zbuloi një Maqedoni të ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit. Rezultati nuk është aq dëshpërues sa duket, sa i takon forcave pro-perëndimore, por ai tregon se tashmë Maqedonia ka hyrë në hartën e shteteve që janë të ndara në orientimin e tij pro dhe kundër Perëndimit.

Rezulatati prej 36 përqind, nëse marrim paraysh listat fiktive të votuesve në Maqedoni, që datojnë nga koha e Titos, dhe qindra mijëra qytetarë të saj në botë, që nuk kthehen kurrë në Maqedoni, në fakt është një rezultat që kap rreth 50 për qind të trupës faktike të votuesve. Por kjo nuk e ndryshon situatën.

Shumë vëzhgues të zhvillimeve në Maqedoni fajësojnë Perëndimin, për shkak se u tregua arrogant dhe imponues, duke mos u dhënë kohë qytetarëve të ndërgjegjësoheshin për rëndësinë e referendumit, duke e konsideruar atë betejë partiake. E vërteta është se Perëndimi u bë palë në këtë betejë, dhe humbi.

Ajo që është interesante, ka të bëjë me faktin se shqiptarët në Maqedoni, kanë votuar njësoj si maqedonasit. Nëse sheh shifrat e pjesëmarrjes në Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Shkup dhe Dibër, ato shkojnë afërsisht tek 38 përqind, thuajse sa mesatarja e vendit, çka do të thotë se heronjtë pro-perëndimorë të Maqedonisë, nuk janë shqiptarët, por LSMD e Zaevit.

Ata nuk u përçanë, por u forcuan, ndërsa shqiptarët i ndanë qëndrimet mes pro-perëndimorëve dhe anti-perëndimorëve.

Shqiptarët kanë qëndruar në shtëpitë e tyre, shumica të papërgjegjshëm për fatin që i pret nën një Maqedoni anti-perëndimore, dhe një pjesë të indoktrinuar vërtet nga erërat e Lindjes, në mos ato të Moskës, ato të Ankarasë.

Në finale, dhe ata janë rreshtuar duke u ndarë mes kampit Perëndimor dhe atij Lindor, të Maqedonisë.

E vërteta e hidhur është se Maqedonia u nda politikisht dhe tani e tutje çdo betejë politike, do të kthejë në ideologji të saj, orientimin perëndimor me atë anti-perëndimor.

Të gjitha llogaritë që bëhen për ta kapërcyer artificialisht këtë krizë, mund të dështojnë, nëse nuk ndryshon lidershipi i opozitës dhe nëse ai nuk bëhet një lidership pro-perëndimor.

Periudha dhjetë ditore për negociatat për ta votuar ndryshimin në Kuvend, mund të përfundojë dhe me pazare, por ajo nuk e shpëton dot ndarjen e Maqedonisë.

Edhe zgjedhjet e parakohëshme mund të prodhojnë një rezultat paksa më pozitiv, por jo të duhurin për ta ndryshuar historinë.

Maqedonia sot është një shtet i ndarë mes Lindjes dhe Perëndimit, duke pasur qytetarë që ëndërrojnë Perëndimin, dhe të tjerë që nuk e duan atë, dhe duke pasur shqiptarë që ëndërrojnë Perëndimin dhe të tjerë turkoshakë apo batakçinj, që nuk e duan atë.

Shqiptarët humbën shansin të ishin faktori i dukshëm pro-perëndimor i Maqedonisë, dhe u bënë homogjenë me spektrin politik të Maqedonisë. Ata janë po aq pro-perëndimor dhe anti-perëndimor sa maqedonasit, duke mos e kuptuar kurrë se ata mund të jenë të lirë jo nën çdo lloj Maqedonie, por vetëm nën një Maqedoni pro-perëndimore.

Çdo e ardhme e këtij vendi, dhe sidomos mbyllja e kësaj plage, do të hajë shumë kohë, dhe ka të bëjë thellësisht me reformimin e shoqërisë dhe opozitës nacionaliste, që është kthyer në regres për Maqedoninë.

Një pushtet autokrat dhjetëvjeçar, ka mundur të bëjë kërdinë dhe të shkatërrojë orientimin e një shteti të ri të lindur dhe mbrojtur nga Perëndimi me ushtri, qysh ditën e pare të lindjes.

Maqedonia është shembulli konkret përse regjimet autokratike, duhen shpartalluar sapo lindin, pasi pasojat që lënë pas, janë përtej partisë së tyre.

VMRO tashmë mund të përjashtohet nga Partitë Popullore dhe institucionet europiane, por kjo nuk e zgjidh situatën. Situatën e zgjidh një VMRO e re, një lidership i ri, i cili të mos ketë frikë nga elektorati i vet, që ti thotë se Maqedonia duhet t’i përkasë Perëndimit.

Deri atëhere, Maqedoninë që nuk e ndau dot as lufta mes shqiptarëve dhe maqedonasve, do ta ndajë koalicioni i shqiptarëve me maqedonasit pro Europës, me koalicionin e shqiptarëve me maqedonasit nacionalistë, kundër Europës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *