Problemi Sulejman Rexhepi


Shkruan: Sead Zimeri /

Problemi që quhet Sulejman Rexhepi, kryetari i Bashkësisë Islame të RMV-së, është që ai i përket një periudhe të kaluar të kombit tonë. Ai është njeri i kohës së monizmit, që arriti të bëhet prijës i muslimanëve edhe në kohën e pluralizmit ideor dhe politik. Formimi i tij politik dhe ideologjik është formim monist, dhe si i tillë ai nuk është i përshtatshëm ta udhëheq Bashkësinë Islame në një kohë të pluralizmit demokratik.
Gjatë periudhës së tranzicionit ishte disi e kuptueshme që njerëzit më prominent të monizmit të vazhdojnë në kryerjen e detyrave të tyre edhe pas rënies së monizmit; por pas tre dekadave monizmit duhet t’i japim fund.
Në shoqëri të vlerave pluraliste kërkohet që ato vlera të reflektohen edhe në strukturat e bashkësive fetare. Nuk ka vend për liderë të përhershëm.
E kuptoj që ky nuk është vetëm problem i organizimit fetar, por mbi të gjitha është problem i kulturës politike, ku liderët i kemi të gjithdijshëm e të përhershëm, por pasi që morali tek ne është i pandarë nga feja dhe për një popullatë fetare siç janë shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, shembëlltyra e prijësve fetar, autoriteti i tyre moral, ka ndikim të madh në edukimin moral të tyre. Kjo shembëlltyrë duhet të reflektojë zhvillimin kulturor, politik dhe moral të muslimanëve.
Prandaj, më nuk është as e arsyeshme dhe as e nevojshme që organi më i lartë fetar të drejtohet nga një njeri që, siç po na mëson përvoja, nuk ka arritur të ndryshojë, të i përvetësojë vlerat e shoqërisë pluraliste. Ai pra është pengesa kryesore pse Bashkësia Islame ka ngecur në një botë të vjetër.
Unë nuk e kam aspak problem jetën e tij personale, siç po bëjnë disa moralizues; por është koha që të tërhiqet nga ai institucion i lartë në mënyrë që vlerat e pluralizmit dhe demokracisë të depërtojnë edhe nëpër institucionet fetare.
Nuk mundemi ta promovojmë demokracinë dhe pluralizmin në shoqëri por, pastaj, në mënyrë krejt arbitrare, ta përjashtojmë Bashkësinë Islame nga ky zhvillim.
Bashkësisë Islame i duhet një njeri që rrezaton moral të lartë, formim intelektual dhe ideologjik pluralistik, dhe që gëzon autoritet të lartë në masat muslimane.
Dhe krejt në fund, “Zoti nuk e ndryshon gjendjen e një populli, derisa ata të ndryshojnë vetveten” (Rad, 11).

(Autori është profesor në një universitet të Norvegjisë)

Leave a Reply