Religjioni i regjimit të diktatorit Sulejman Rexhepi

I gjithë populli duhet të ketë një mendje me Sulejman Rexhepin, me “zotin” e tyre, i cili është në të drejtën absolute edhe kur vjedh, edhe kurr rrenë, edhe kur shanë, edhe kur shkatërron vakëfin, edhe kur zhvillon dehumanizmin, edhe kur e ushqen imoralitetin. Askush nuk guxon t’i ndërhyje në punë! Pra, ashtu siç nuk guxon të kritokohet Zoti në fetë e Tij, ashtu nuk guxon të kritikohet as “zoti” prijës i BFI-së që përkujdeset për “religjionin” e vet të ri

Shkruan Ergin Fuga

 

Historia e njerëzimit ka provuar se, të gjithë regjimet diktatoriale kanë luftuar fetë e Zotit, duke u përpjekur që të imponojnë religjionin meqë regjimi ka “zotin” e vet. Diktaturat këtë filozofi e kanë marrur nga Bibla ku, në Urdhëresën e Parë, Zoti i thotë Moisiut, dhe përmes tij, njerëzimit: “Nuk duhet të kesh zot tjetër përveç Meje”. Kjo është porosia që e motivon shtrembërimin e parimit fetar te diktatorët dhe, fillon imponimi i tyre si “zot” i të gjithëve. “Zot” pa religjion nuk ka, prandaj, përmes organizimit të vjedhur nga fetë e Zotit Fuqiplotë, nisin ta ngjallin secili diktator religjionin e vet! Kjo mbrapshti njerëzore mori hov me Revoluzionin Francez, vazhdoi duke e ideuar formën nga komunizmi, kurse u formësua fare qartë nga nazizmi! Diktatorët pos-hitlerian, anekënd botës, secili në mënyrë të vetë mundohet ta kopjojë “religjionin nazist” dhe “zotin e këtij religjioni”, Hitlerin! Secili regjim diktatorial e ka “zotin” e vet, po ashtu, të vetëm: Udhëheqësi i Partisë! Udhëheqësi i Ideologjisë! Udhëheqësi i Regjimit! Udhëheqësi i Institucionit Fetar, etj!

Mësimet fetare na tregojnë se roli i fesë është që ta shmangë krijesën e Zotit nga dalldia, t’i vë fre dhe assesi të mos i afrohet haramit, ta bëjë të devotshëm dhe shembëlltyrë të Krijuesit të vet. Kurse regjimi totalitar kërkon krijimin e njeriut të ri, me një psikologji të re, por krejtësisht imorale. Pra, feja është pengesa kryesorë e synimeve të regjimit për njeriun imoral, prandaj ajo duhet të fshihet nga faqa e dheut dhe të mbillet religjioni i ri, që do ta bëjë hallall i pari i regjimit.

 

A i intereson devotshmëria Sulejman Rexhepit

 

Në këtë proces të degradimit, të kodifikimit të jetës dhe të organizimit sipas religjionit të ri të regjimit diktatorial, në këtë mëkat të institucionalizuar nga diktatori që është i vetmi “zot” i të gjithë myslimanëve të vendit, fatkeqësisht po kalon edhe Bashkësa Fetare Islame e Republikës së Maqedonisë së Veriut!

Doktrina fetare dhe organizimi institucional i saj, është rrëfimi më jetëgjatë dhe i pranishëm në të gjitha Librat e Shenjta. Kjo për faktin se, prijësit fetar, përgjatë kohërave të ndryshme, kanë qenë në shërbim të jetësimit të porosive të shenjta, duke reflektuar një altruizëm që ka provokuar kënaqësinë e të gjithë komunitetit dhe synimin e tyre drejt devotshmërisë i cili do ta kënaqë Krijuesin tonë!

A i intereson kjo devotshmëri Sulejman Rexhepit? Pa dyshim që jo, ngjashëm si te të gjithë diktatorët që zhvillojnë regjimin e tyre e bashkë me të edhe religjionin e tyre “unikat”!

Pa këtë religjion, Sulejman Rexhepi nuk do ta arrinte këtë stad të diktatorit me përmasa të “zotit” totalitar i cili duhet të respektohet, të dëgjohet, të përgëdhelet, të zbatohen urdhërat e tij, të mos kritikohet, të mos merren me veprimtarinë e tij, sepse “puna e zotit i përket vetëm Zotit”! Këtij “zoti” pra, Sulejman Rexhepit, duhet t’i therret “kurban” në çdo event e ngjarje që e “madhëron” atë, ndërsa përvjetoret e ditëlindjes së tij duhet të festohen me po të njëjtën peshë siç janë përkujtuar prijësit profetër nëpër rrëfimet mitike të paganizmit e të kohës së shumë “zotërave”!

 

“Zoti i religjionit” të BFI-së

 

Totalitarizmi, i cili në rastin konkret mund të emërtohet edhe si “Sulizëm” është një sistem që përveç që përdor dhunën për të nënshtruar popullin, organizon të gjithë jetën në mënyrë që ajo jetë t’i shërbejë ideologjisë së tij. Ky sistem, ka ushtrinë e vet, ka truprojet e veta, ka organet e dhe institucionet e veta të cilat i përdorë si mashë për të ndërhyrë në jetën politike, ekonomike, shpirtërore dhe personale të përditshëm, të komunitetit të vendit. Në totalitarizëm ka vetëm një ideologji dhe një diktator absolut, i cili, institucionet dhe organet e veta i mbanë vetëm sa për të hulumtuar nënshtrimin absolut si dhe veprimin që duhet të jetë ekskluzivisht në shërbim të prijësit dhe të familjes së tij të ngushtë. Që kur ka instaluar religjionin e regjimit të vet totalitar Sulejman Rexhepi kurrë nuk i ka konsultuar organet dhe institucinet e BFI-së, asnjëherë nuk i ka mbledhur, ose, i ka mbledhur vetëm atëherë kur ka pasur nevojë t’ia shajë dikujt gruan apo nënën, me qëllim që të tjerët të rrinë sus e t’i nënshtrohen regjimit konform “parimeve të religjionit” të tij. Sulejman Rexhepin, në cilësinë e prijësit totalitar, nuk e frenon as kushtetuta, as ligji e as opozita. Të gjithë ata që mund ta kundërshtojnë, do të përndiqen e terrorizohen sistematikisht. I gjithë populli duhet të ketë një mendje me Sulejman Rexhepin, me “zotin” e tyre, i cili është në të drejtën absolute edhe kur vjedh, edhe kurr rrenë, edhe kur shanë, edhe kur shkatërron vakëfin, edhe kur zhvillon dehumanizmin, edhe kur e ushqen imoralitetin. Askush nuk guxon t’i ndërhyje në punë, madje ata që do të japin isharete se do t’i ndërhyjnë, sakaq, do t’ju thotë “kam një bombë në xhep”! Pra, ashtu siç nuk guxon të kritokohet Zoti në fetë e Tij, ashtu nuk guxon të kritikohet as “zoti” prijës i BFI-së që përkujdeset për “religjionin” e vet të ri.

 

“Religjioni” që synon krijimin e njeriut imoral

 

Të gjithë diktatorët totalitar e përdorin po atë filozofi politike të cilën e ka shpjeguar babai i tyre, Hitleri, në “Mein Kampf”, i cili thotë se, për të triumfuar një rend i ri duhet të shkatërrohet rendi i vjetër dhe bashkë me të edhe të gjitha vlerat njerëzore e shpirtërore që kanë ekzistuar deri në çastin e lindjes së rendit të ri!

Në BFI-në e uzurpuar nga totalitaristi Sulejman Rexhepi, nuk ekziston “rendi i vjetër”, nuk ka asgjë nga e kaluara, është shkatërruar gjithçka, fletore regjistrimi të viteve të para luftës së dytë botërore, dokumente të hershme, të më vonshme, të periudhës së viteve ’90 kur Sulejman Rexhepi ishte vetëm zbatues i vendimeve të organeve kolektive të BFI-së. Sot, në BFI-në e uzurpur kemi të instaluar “religjionin” e Sulejman Rexhepit i cili religjion e synon krijimin e njeriut imoral, sepse, shkatërrimi eventual nuk guxon ta ketë emrin e prijësit, por, emrin kolektiv të komunitetit! Të nënshtruarit e Sulejman Rexhepit duhet të punojnë njëlloj sikur të jenë të motivuar fetarisht, ndryshe, të gjithë do të përndiqen si armiq të bredshëm të diktatorit, të njeriut të përzgjedhur si prijës me peshë mesiane (Mesi). Sistemi politik i BFI-së duhet të ngelë i fortë dhe, ngelë i fortë vetëm kur nuk ndryshon. Mos ndryshimi i këtij sistemi i jep karakterin e fesë, të besimit. Sulejman Rexhepi gjithnjë thotë: kush nuk është me këtë sistem politik (të BDI-së), ai është i pafe, është i mallkuar nga Zoti! Dhe, në krye të këtij sistemi politik duhet të qëndrojë ai që është i ngjashëm me perëndinë e fesë! E kush është më shumë i ngjashëm me këtë “perëndi” sesa Sulejman Rexhepi! Prandaj, të gjithë duhet t’i nënshtrohen këtij totalitaristi! A nuk është ky religjion i Sulejman Rexhepit me tiparet e fundamentalizmit fetar?! Pa dyshim që po! Megjithatë, të gjithë doktrinat totalitariste kanë përfunduar në kontenjeret e plehrave të historisë, kanë ngelur me njerëzimin vetëm fetë e vërteta!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *