Rihumanizimi i BFI-së

BFI-së i duhet, mbi të gjitha, përgatitja e çdoditshme për aktivitete humanitare, grumbullime në çdo orë të donacioneve e të ndihmave humanitare si dhe plan veprimi jo vjetor por i çdoditshëm. Aktiviteti dhe transparenca – këta dy segmente do ta bëjnë BFI-në të nderuar dhe të respektuar nga shoqëria në vend e në botë. Shoqatat humanitare të kriminalizuara janë të destinuara të përfundojnë keq bashkë me themeluesit e vet

Shkruan Afrim Tahiri

Të gjitha organizatat dhe shoqatat me karakter islam, të cilat funksionojnë jashtë Bashkësisë Fetare Islame, kanë nevojë për ndihmën dhe përkrahjen e këtij Institucioni, pra, e kërkojnë dhe e dëshirojnë (por edhe e meritojnë) institucionalizimin e aktiviteteve të tyre që ndihmojnë në avansimin e jëtës së gjithëmbarshme islame në vendin tonë. Së këndejmi, BFI-ja duhet të ndërgjegjësohet dhe sa më parë duhet të nënshkruaj memorandum bashkëpunimi, përmes të cilit do t’ju garantohet përkrahja e gjithëanshme, ndihma, bashkëpunimi profesional, veprim ky që do të ndërmerret mbi baza ta bashkërendimit të të gjitha aktiviteteve fetare, fetaro-arsimore, fetaro-kulturore dhe humantare.
Një prej segmenteve kyç, të cilit i është kushtuar një vëmendje e veçantë në strategjinë e Bashkësinë Fetare Islame të reformuar, do të jetë edhe rihumanizimi i saj, përmes ngritjes dhe konsolidimit të organizatës së vet “El Hilal”, e cila, për arsye “të panjohura” është larguar nga gjiri i BFI-së dhe në vend të saj është themeluar një e re, me emrin “Hilal”, e cila, fatkeqësisht, u shndërrua në struktur më e kriminalizuar e BFI-së. Një organizatë humanitare që e synon kriminalizimin e vet të pëkryer më së paku i duhet një Institucioni fetar.
Bashkësia Fetare Islame e ka pasur Organizatën e vet, me një biografi të shkëlqyer kombëtare e fetare, me një aktivitet gjithëpërfshirës humanitar dhe me një veprimtari sa njerëzore aq edhe kombëtare, prandaj, e njëjta, duhet të rikthehet, me të gjitha strukturat e saj logjistike dhe të zhvillohet nën kulmin e AMËS së vet!
Praktikisht, Bashkësia Fetare Islame ka ngelur pa organizatë humanitare, sepse, atë që e kishte, pas kriminalizimit të skajshëm, e ka mybllur dhe e ka regjistruar si Fondacion, duke mos e ditur paraprakisht rolin e fondacionit, duke mos i kuptuar detyrat e tij, duke mos e shfletuar veprimtarinë e një fondacioni me qëllim të listimit të të gjitha aktiviteteve që do të përfshiheshin në planin akcional vjetor të Fondacionit.
Në historikun e vet, Bashkësia Fetare Islame regjistron me dhjetra shoqata humanitare, përmes të cilave, jo vetëm që ka kryer misionin e vet humanitar por ka kryer edhe detyrimet fetare që dalin nga mësimet e shenjta kuranore për sa i përket sferës së humanitetit. Në këtë rrafsh, feja islame dhe, përgjithësisht, shoqëria myslimane, anekënd botës, stoliset vetëm me lavdërata, merret shembull frymëzimi, motivimi, për të gjitha shoqëritë në botë.
Kështu ka qenë edhe me Bashkësinë Fetare Islame, deri para ca kohësh, derisa dikujt nuk iu kujtua që ta dëbojë nga tërësia e vet organizatën e cila bëri që Institucioni i vet të gëzojë gjithë respektin e botës. Dikujt i pengoi kjo famë, ky aktivitet fetar e patriotik ndaj dhe, e dëboi nga gjiri i vet. Sepse, “El Hilali” nuk ishte e gatshme të kriminalizohet dhe të vihet në shërbim të intresave meskine të personave të papërgjegjshëm! Nuk ishte në gjendje që aktivitetin e gjërë të strukturave të veta si në horizontale ashtu edhe në vertikale, ta personalizonte dhe t’ia përshkruante një individi përderisa ishte punë kolosale kolektive!
BFI-ja e pas luftës së 2001-shit nuk bëri as më të voglin hap për ta rikthyer “El Hilalin” nën kulmin e themeluesit të vet por, shkoi dhe regjistroi një “organizatë humanitare” të re me emrin “Hilal” e cila, më tepër është marrur me vjedhjen e ndihmave humanitare se sa me aktivitete të mirëfillta humane. Prandaj, sot, prona, kapitali personal i dy (keq)menaxhusve të kësaj organizate (Fondacioni) është shumëfish më i madh se shuma e përgjithshme e veprimtarisë humanitare të ndërmarrë ndër vite.
BFI-ja duhet t’i ketë donatorët e vet permanent, duhet t’i ketë humanistët e përhershëm, qofshin individë, organizata, apo institucione shtetërore, të cilët do ta furnizojnë me ndihma për aktivitete javore humanitare, dhe jo vetëm për ditët e Muajit Ramazan, kur është momenti më i volitshëm për t’u tallur me ndjenjat e myslimanëve, me emocionet e dërmuara të rasteve sociale.
Bashkësia Fetare Islame, mbase duhet t’i ketë edhe barnatoret e veta alternative të cilat, gjhithësesi do të ishin nën mbikëqyrjen e regjimit dhe të protokolit të institucionit përkatës që rregullon furnizimin e barnatoreve! Të ketë bamirës që do t’i furnizonin barnatoret e tilla, me ilaçe falas për të gjithë rastet e rënda sociale! Duhet të sigurojë miqësi me spitalet e ndryshme në botë, të cilat, për hirë të miqësisë korrekte, do të pranonin që të trajtojnë persona që nuk arrijnë të shërohen në institucionet shëndetësore vendore.
BFI-ja, pa dyshim që duhet të ketë edhe fondin e vet humanitar, për shtëpi për rastet e rënda sociale, për ndarjen e ndihmës së njëhershme në raste të fatkeqësive.
BFI-ja duhet të ketë një Oraganizatë Humanitare e cila do të shtrihet cep më cep vendit, me degë e nëndegë, me struktura e aktivistë, të cilët do të jenë në gjendje të zhvillojnë aktivitete vullnetare humanitare por edhe të mbajnë evidenca, shënime. Organizata humanitare e BFI-së duhet të jetë servis profesional, apo, një urë lidhëse në mes të humanistëve dhe rasteve sociale. Ndërsa, vetë BFI-ja, duhet të jetë garantuese e një transparence të përkryer, madje edhe mbikëqyrëse e devotshme e menaxhimit edhe të kokrrës së fundit të orizit humanitar që duhet të përfundojë atje ku është nevoja, dhe jo të shitet apo të falet nëpër magazina shitoresh apo restorantesh.
BFI-ja duhet ta rikthejë peshën e vet si Institucion edhe humanitar! BFI-ja duhet të jetë në bashkëpunim permanent me donatorë e me organizata humanitare të vendit dhe më gjërë. BFI-ja duhet të jetë shembull i transparencës të aktiviteteve humanitare!
BFI-ja duhet të rihumanizohet, të jetë frymëzuese për humanitetin e shumë donatorëve dhe motivuese për aktivitete humane të organizatave simotra në vend e më gjërë. Është e pakuptueshme që një indid, dy apo tre persona me shpirt humanisti të kenë respekt e dashuri prej njerëzve më shumë se sa i takon ta ketë një Institucion fetar siç shtë BFI-ja! Është e pamundur që një individ, apo dy-tre persona të kenë aktivitete të përditshme humanitare, të kenë fonde e donacione të pashterrshme, kurse një BFI, si kjo e jona, të zhvillojë aktivitete humanitare vetëm për Ramazan, edhe atë nëse ia fal dikush paketat humnitare.
BFI-së i duhet, mbi të gjitha, përgatitja e çdoditshme për aktivitete humanitare, grumbullime në çdo orë të donacioneve e të ndihmave humanitare si dhe plan veprimi jo vjetor por të çdoditshëm. Sepse, vetëm kështu do të dëshmohet se jemi Institucion i mirëfilltë islam dhe në shërbim absolut të popullatës myslimane si dhe të mbarë shoqërisë. Aktiviteti dhe transparenca – këta dy segmente do ta bëjnë të nderuar BFI-në dhe të respektuar nga shoqëria në vend e në botë. Shoqatat humanitare të kriminalizuara janë të destinuara të përfundojnë në plehun e haramit bashkë me themeluesit e vet!

(Autori është drejtues i Lëvizjes Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së)

Leave a Reply