Rreth Raportit të fundit të DASH mbi liritë fetare në Maqedoni

Ndonëse prokuroria shtetërore ka lëndë me disa padi të argumentuara e të dokumentuara kundër Sulejman Rexhepit, gjyqësori i Maqedonisë akoma nuk ka gjetur një termin gjykimi qoftë dy-tre minutëshe, kurse kundër Vranishkovskit ka shpenzuar orë të tëra duke u munduar që me çdo kusht ta nxjerrin të fajshëm. Dhe, ky diskriminim fetar, pa dyshim që është shumë shqetsues dhe, pikërisht, për këtë dallim fetar raporton nën rreshta Raporti vjetor i DASH për sa i përket lirive fetare në Maqedoni

 

Shkruan: Andi Rakipi

Këto ditë të gjitha mediat e vendit raportuan mbi Raportin vjetor të Departamentit të Shtetit për sa i përket lirive fetare. Si çdo vjet, edhe në këtë raport kishte të evidentuar shumë ankesa të bashkësive fetare në raport me qeverinë. Më shumë ankesa ishin evidentuar nga ana e Bashkësisë Fetae Islame, e cila, edhe vitin që shkoi u ankua mjaft shumë nga qeveria për sa i përket moslejimit të ndërtimit të xhamisë në Prilep, në Llazhec, mos kthimin e pronave si dhe për favorizimin e Kishës Ortodokse Maqedonase nga ana e pushtetit (këtu pushtet nënkuptohet edhe BDI-ja). Ndërsa mediat kanë sjellë edhe një vërejtje që e kanë evidentuar amerikanët e që është në sinkron me ankesat e komuniteteve më të vogla fetare kundër mospërfilljes që e përjetojnë si nga pushteti ashtu edhe nga bashkësitë fetare më të mëdha.

Megjithatë, është edhe një aneksë goxha e madhe e DASH, të cilën, çuditërisht mediat tona ose nuk e kanë kuptuar ose nuk dëshirojnë që ta komentojnë! Mediat, shkarazi theksojnë se, në Raportin e Departamentit të Shtetit theksohet se dallimet fetare vazhdojnë të shfaqen në gjyqet penale dhe civile. Këtu përmendet procesi i përsëritur gjyqësor kundër peshkopit Jovan Vranishkovski.

Deri më sot, këtë konstatim i cili edhe në fakt duhet të jetë shtylla e raportit amerikan për sa i përket lirive fetare në Maqedoni, asnjë nga mediat, asnjë analist a publicist nuk e analizoi për t’i zbërthyer mesazhet amerikane që ngërthehen brenda konstatimit.

Çka do të thotë fjalia e Raportit “dallimet fetare vazhdojnë të shfaqen në gjyqet penale dhe civile”? Kjo është tema për analizë mediale dhe, pikërisht këtu duhet të kapen mediat tona! Raportuesit amerikanë pa dyshim që përcjellin çdo situatë që krijohet në shoqërinë tonë dhe, së këndejmi, përcjellin edhe tërë atë përpjekje të opozitës së Sulejman Rexhepit për ta zbardhur të vërtetën mbi këtë figurë, sado që strukturat e caktuara të gjyqësorit të korruptuar e kursejnë edhe më tej! Pra, një gjyqësor i korruptuar shfaq dallime fetare si në sektorin e çështjeve penale ashtu edhe në atë civile!

Raportuesit amerikanë e dinë saktësisht se çfarë akuzash dhe çfarë lëndësh janë të deponuar në prokurorinë shtetërore të cilat me vite po presin nëpër sirtarët e gjyqtarëve të diskutueshëm! E dinë saktësisht, se dikush i trimëruar nga ky soj prokurorësh, vazhdon hapur me punët e tija kriminale! Ndërkohë që, po këta gjyqtarë gjejnë kohë, mundësi dhe vullnet që të merren me gjykimin dy-tri herë të peshkopit Jovan Vranishkovski.

Pra, përdrisa shoqëria jonë do të ketë një gjyqësor të kapur, si nga pushteti ashtu edhe nga “boss”-ët që e ushqen me korrupsion, liri dhe të drejta fetare të barabarta në Maqedoni nuk do të ketë, ndërsa dallimet fetare do të jenë gjithnjë të rënda që do të gjenerojnë destabilitet të shtetit dhe të shoqërisë.

Ndryshe, ndonëse prokuroria shtetërore ka lëndë me disa padi të argumentuara e të dokumentuara kundër Sulejman Rexhepit, gjyqësori i Maqedonisë akoma nuk ka gjetur një termin gjykimi qoftë dy-tre minutëshe, kurse kundër Vranishkovskit ka shpenzuar orë të tëra duke u munduar që me çdo kusht ta nxjerrin të fajshëm. Dhe, ky diskriminim fetar, pa dyshim që është shumë shqetësues dhe, pikërisht, për këtë dallim fetar raporton nën rreshta Raporti vjetor i DASH për sa i përket lirive fetare në Maqedoni. Raporti mbi 200 faqe që flet për liritë fetare në shumë shtete në rajon dhe më gjërë, askund gjetkë nuk e evidenton këtë dukuri siç e hasë në përditshmërinë e institucioneve maqedonase. Nëse amerikanët janë shumë të kujdesshëm gjatë hartimit të raporteve me qëllim që në asnjë rresht të mos vërehen apo gjenden anime amerikane, kjo nuk do të thotë se raportet e këtilla nuk përcjellin mesazhe nën rreshta! Dhe këto mesazhe duhet kuptuar si kritere të mundshme që do të dalin në rrugën e euro-integrimeve të Maqedonisë. Shteti me rastin e Vranishkovskit tregoi se klerikët fetarë nuk duhet të mendojnë se janë të pakapshëm nga ligjet. Ligjet ashtu siç vepruan mbi Vranishkovskin duhet të veprojnë edhe mbi Sulejman Rexhepin dhe mbi çdo qytetar që i lejon vetes të abuzojë, të korruptojë, të shantazhojë, të vjedhë, të helmojë e të shkatërrojë. Rendi dhe ligji duhet të krijojnë kushte të brabarta duke eliminuar çdo dallim, qoftë ky edhe fetar. Sulejman Rexhepi nuk duhet të tolerohet edhe më tej që, duke e “paralizuar” shtetin përmes padive që nuk e lejojnë që t’i rindërtojë xhamitë të Prilep dhe Llazhec, të krijojë komoditet dhe të ngelë i parpekshëm në tërë atë gamë veprimesh të tij prej krimineli klasik. Shteti duhet të kuptojë se, një kriminel klasik, nuk mund të ketë asgjë të përbashkët me klerikun, apo me predikuesin e feve qiellore. Edhe kriminel edhe predikues nuk e gjenë në asnjë cep të botës! Raporti amerikan veçsa sinjalizon se “syri i vëllait të madh” po na vëzhgon dhe madje në mënyrë indirekte po na i identifikon detyrat e shtëpisë që duhet të kryhen nga ana e shtetit tonë, nga ana e pushtetit që përbehet nga koalicioni i partive që i përkasin edhe blloqeve fetare ortodokse, islame etj. Është e patolerueshme që dallimet fetare të shprehen pikërisht në gjyqësor, si në sektorin penal ashtu edhe në atë civil. Është e pafalshme!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *