Rreziku anglo-amerikan për botën

Nga Sokol Balla/

BBC e quajti një tërmet, Berisha një fatkeqësi, Soros si fillimin e fundit të Europës së Bashkuar, por të gjithë biem dakort: Triumfi i Brexit është fillimi i fundit të botës ashtu siç e njohim. Ose më saktë siç e njohim ne.

 

Unë kam lindur në vitin 1973, në të njëjtin vit kur Britania e Madhe vendosi të futej me një këmbë në Komunitetin Ekonomik Europian, CEE, siç njihej në atë kohë. Viti 1973 mbahet mend si viti më i ftohtë i Shekullit XX. Viti 2016, po hyn në histori, jo thjesht si viti më i nxehtë i shekullit XXI, por si nga më të nxehtat në memorien e njerëzimit. Prej 23 qershorit, do mbahet mend edhe si viti i divorcit britanik me Europën. Pra në botën që njoh unë, Britania ishte pjesë e Europës, dhe tani nuk është më. Për mua Britania në Europë ishte status quo, sic e quajti profesori Hunertty i Universitetit East Anglia. Pra për brezin tim dhe brezat më të rinj, qëndrimi i Britanisë në Europë ishte status quo. Për mua dhe njerezit si unë që kemi patur fatin të arsimohemi, të jetojmë një jetë me standarde normale, të jemi pjesë aktive e shtresës së mesme të sipërme, sigurisht Europa ishte luksi i të pasurit një ideal. Por a është kështu për të gjithë?

 

Gjithë të dhënat flasin se në Britani zonat që votuan pro Brexit, ishin zonat më të varfëra, me akses të ulët në arsimim dhe me dyndje të madhe emigrantësh. Dy ishin parrullat kryesore të psikopolitikanit Nigel Farrage. E para, se Britania i paguante Brukselit 350 milion paundë në ditë. “Le t’i fusim këto para në arsim, NHS (Shëndetin Publik) dhe punësim”., tha ai. Dhe populli e dëgjoi. Parrulla e dytë, e nxjerrë ditën kur u vra deputetja laburiste: një lumë i madh emigrantësh dhe diçitura: “Breaking point”. Pra pika e thyerjes. Dhe britanikët e dëgjuan.

Fitorja e Brexit është padyshim pasojë e mënyrës britanike të të jetuarit, e historisë si dhe e raportit specifik që Britania e Madhe ka me Brukselin. Ajo nuk pranoi Schengen dhe votoi kundër Euros. Nuk pranoi t’i dorëzohej presionit gjerman për të dhënë më shumë para Brukselit, që ato të keqpërdoren në projekte të kota dhe korruptive prej tij. Por gjithashtu britanikët e kanë të vështirë të komandohen.

Ata mendojnë që janë një ishull dhe jo Europë dhe Parisi apo Berlini, përbëjnë për ta një konkurencë të panevojshme dhe bezdisëse sa kohë kanë ujin në mes. Por gjithashtu për britanikët, një shqiptar, një polak apo një babisiter sllovake, janë më të pasuportueshëm sesa xhamajkani ku kanë blerë historikisht hashashin, pakistanezi që u rregullon tubat e banjos, apo gruaja indiane me aromë curry, që u rrit fëmijët kur ata shkojnë me pushime në Ibiza, apo të pijnë birra në pabet e Hillingdon. Britanikët nuk janë kundër emigracionit. Ata janë vetë bij e pasues imigrantësh, që nga koha e romakëve, hunëve, ostrogotëve, apo bretonëve e normanëve të Ulliam Pushtuesit. Autoktonë në Ishujt Bitanikë janë keltët, por ironikisht pasuesit e keltëve ishin ata që votuan në shumicë kundër Brexit: Irlandezët, skocezët dhe një pjesë e mirë e Uellsit. Por emigracioni i të rinjve nga Lindja ishte ajo që trembi britanikët. Pasi atyre u dha vizionin e fundit të Mbretërisë. Ose statu quos-ë së atyre brezave që kujtonin akoma luftërat koloniale për të mbajtur Sierra Leonen, Rodezinë apo ishujt Falkland në hijen e Union Jack-ut.

Por gjithashtu Brexit ka sindromat moderne shoqërore: luftën e brezave dhe plakjen e popullsisë. Nëse sot thuhet se të rinjtë britanikë votuan në shumë për Europën dhe brezat e tjerë kundër, atëherë ky është pohimi trishtues, se brezat e rinj sot janë më të paktë në numër se moshat e tjera. Se në Britani ashtu si kudo në botën perëndimore, njerëzit po lindin më pak e po vdesin më vonë. Eshtë triumfi i fshatit mbi qytetin, i klasës punëtore mbi inteligjencien, i të varfërve mbi të pasurit, i patriotit të pagdhendur por të qartë, mbi europianistin idealist por metroseksual, të paqartë dhe replikues me veten, krevatin dhe pasqyrën. Eshtë fitorja e pragmatizmit mbi idealizmin. Fitorja e së sotmes mbi të ardhmes dhe me gjasë vdekja e saj klinike.

Eshtë si te themi, e le ta themi: triumfi i moshatarëve të Berishës mbi moshatarët e Bashës. Eshtë triumfi i Jozefinës mbi Majlindën dhe i Nokës mbi Ed Halimin. Eshtë fitorja e Ristanit mbi Selamin. Eshtë një kohë muti. Jo vetëm për Britaninë.

Pak ditë më parë, pas një vizite të shkurtër në Londër, shkruajta këtu se Brexit, do të fitonte. Pak javë më parë dy vizita në SHBA më bindën se fitorja e Trump tashmë është e mundur. Trump paraqet gjithçka amerikanët flasin mes njëri tjetrit, Clinton vetëm atë që diskutojnë mediat. Trump nuk flet me gjuhën e Yale apo Harvard, ai flet me gjuhën e një shoferi maunesh, e një gruaje që rrit fëmijët në McDonalds e një polici të bardhë që i duhet të bëjë turnin e natës në një lagje zezakësh. E një maloku nga Malet Appalachian që nuk duron dot hispanikët kur i ngacmojnë vajzën apo e një veterani të luftës në Irak, që sheh sesi fondet e qeverisë shkojnë për monumentin LGBT dhe jo për rritjen e pensionit të tij.

Efekti Brexit dhe ai Trump në nëntor ështe Aksi i ri i të Keqes që ka gjetur botën, në pjesën më të zhvilluar dhe demokratike të saj, në aksin anglo-amerikan. Enver Hoxha e pat cilësuar dikur, rrezikun anglo-amerikan për Shqipërinë, si rrezikun më të madh për ekzistencën e saj. Sot një gjysëm shekulli më pas, profecia e tij gaboi vetëm në përmasa: ky rrezik tashmë është për gjithë botën.

Britania dhe Amerika, në pasqyrën e të cilave u ngrit edhe modeli europian i pas Luftës së Dytë Botërore, do jenë sërish modeli i botës së re. Modeli Trump dhe ai BoJo. (Boris Johnson). Do jetë koha kur Putin do pijë uiski në Uashington dhe Kim do luajë golf në resortet skoceze të Trump. Kur myslimanët do shihen si armiq, pasi vetë ata e kërkuan këtë për dy dekada rresht. Eshtë koha kur të gjithë ata që kërkojnë Luftë, më fund do ta kenë. Ky është fillimi i fundit të botës siç e njohim, por dhe siç e njihnim. Tani të mbyllim sytë e të lutemi. sepse fundi nuk po vjen nga femrat bjonde, por nga meshkujt bjondë.

Eshtë koha e tyre./ Javanews

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *