“Shkupi 2014” vajton për një përmendore të Sulejman Rexhepit si shpëtimtar i Maqedonisë

Ndërmjetësimet ndërkombëtare, eminenca diplomatike gri, interesat gjeopolitike, interesat gjithëkombëtare shqiptare, vizionet e Ali Ahmetit si lider shqiptar, sugjerimet e liderëve kombëtar, të gjitha këto nuk paskan pasur kurrfarë ndikimi, porse, paska qenë shërbimi i Sulejman Rexhepit që e paska shpëtuar Zoran Zajevin dhe që ia paska siguruar edhe një mandat qeveritar Ali Ahmetit dhe, me këtë, vijëmësi të Maqedonisë së sotshme

Shkruan: Andi Rakipi

 

Afrim Tahiri, ish-sekretari i BFI-së dhe njëri prej drejtuesve më të suksesshëm në historinë e këtij Institucioni, gjithnjë thotë: “Nëse dëshironi ta njihni psikologjinë e Sulejman Rexhepit, vetëm jepjani një mikrofon dhe dëgjoni se çka flet”!

Ajo çka foli Sulejman Rexhepi në një intervistë në Tv ART të Tetovës, ishte kulmi i budallallëkut i një “personi publik”! Do të komentohet shumë kjo intervistë, të cilës do t’i qasen nga shumë kënde, sepse, me të vërtetë është një material tepër shumë kontaminues i cili kërkon vëmendje të veçantë.

Le të ndalemi te një storie alla sulçe e cila në fakt e zbërthen tërë atë ambicie të sëmurë të Sulejman Rexhepit, atë dëshirë të shtresuar e të fosilizuar në shpirtin e tij që vuan për të qenë “grandfather”, boss i bossave . Në këtë storie të intervistës Sulejman Rexhepi, alias Mulla Sula, shpërfaqet në një person të shpifur, i cili e meriton një mospërfillje absolute dhe një nënçmim të përjetshëm. Sulejman Rexhei foli si një hirushe e cila trajtohet keq nga “njerka” (nga Zajevi)! Mulla Sula kurrë nuk i paska shërbyer Zoran Zajevit, porse paska qenë ky që paskësh kërkuar shërbim nga Sulejman Rexhepi! Zoran Zajevi i paska rënë në dy gjunj duke e lutur që të organizojë një takim me liderin e BDI-së (nuk i thotë më “lideri i shqiptarëve të Maqedonisë”!!!), me Ali Ahmetin, kurse Mulla Sula me një të thënur menjëherë e paska detyruar që Ali Ahmeti ta takojë Zoran Zajevin. Do me thënë se, ky ndërmjetësim paska qenë vendimtar që Zoran Zajevi të bëhet kryeministër, të formohet koalicioni LSDM-BDI dhe, të shpëtojë Maqedonia. Mulla Sula shpëtimtar i Maqedonisë e cila qenka themeluar mbi vakëfin e BFI-së!

Kjo storie nuk e turpëron vetëm politikën si profesion, nuk i devalvon vetëm interesat kombëtare shqiptare, por, fatkeqësisht, i turpëron vetë Zajevin dhe Ahmetin! Në politikën shqiptaro-maqedonase nuk paska vlerë asgjë dhe askush, porse vetëm shërbimi i Sulejman Rexhepi! Pra, takimi i Ali Ahmetit me Zajevin na paska qenë rezultat i urdhërit të Sulejman Rexhepit dhe jo rezultat i platformave kombëtare të partive shqiptare, aq më pak rezultat i vizioneve politike nacionale të Ali Ahmetit. Ali Ahmeti na qenka njeri i kotë, pa program e pa vizion, pa qëndrime kmbëtare e pa bagazh diplomatik, mjafton që e ka Sulejman Rexhepin dhe që ky e sjell në qeveri!

Do me thënë, Ali Ahmeti e ka takuar Zoran Zajevin sepse për këtë takim ka urdhëruar Sulejman Rexhepi, i cili, në fakt i ka shërbyer Zajevit, duke ia realizuar kërkesën që e kishte për ta takuar liderin e BDI-së. Dhe, tak-fak Ali Ahmeti takon Zajevin, merren vesh që për hatër të Sulejman Rexhepit ta krijojnë qeverinë dhe, ta shpëtojnë Maqedoninë, dëshirë fundamentale kjo e Sulejman Rexhepit.

Ndërmjetësimet ndërkombëtare, eminenca diplomatike gri, interesat gjeopolitike, interesat gjithëkombëtare shqiptare, vizionet e Ali Ahmetit si lider shqiptar, sugjerimet e liderëve gjithëkombëtar, të gjitha këto nuk paskan pasur kurrfarë ndikimi, porse, paska qenë shërbimi i Sulejman Rexhepit që e paska shpëtuar Zoran Zajevin dhe që ia paska siguruar edhe një mandat qeveritar Ali Ahmetit! Kur ky muhabet thuhet edhe publikisht, atëherë është nevojë kombëtare që sa më urgjentisht të spostohet dhe të margjinalizohet personi i stërmbushur me narcisoizëm e që nis e bëhet dëm i parikuperueshëm nacional.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *