Stuhia e ndëshkimit dhe frika nga Arta Marku

Nga Bedri Islami /

 

Askush nuk mund ta mendonte disa javë më parë, se një prokurore e re, thuajse e padëgjuar, në një rreth të vogël malor, të cilën dukej se e kishin harruar edhe “zotërinjtë e zonjat” prokurore të Tiranës, e quajtur Arta Marku, do të fillonte këtë stuhi të ndëshkimit të krimit dhe do i linte rrugë të hapur proceseve të së nesërmes.

 

Arta Markun, si duket, nuk e kanë njohur si duhet, as shumica dhe as opozita. Ndoshta, e para e ka marrë disi lehtë, por e dyta e ka marrë tepër seriozisht, sa nuk ka marrë deri tani asnjë prokuror tjetër. Është hera e parë që duket se struktura e parë e drejtësisë ka vendosur të bëjë diçka ndryshe që, shumë shpejt, mund të kthehet në shumëçka ndryshe.

Pikërisht kësaj të fundit, shumëçka-së, i trembet politika e sotme. Njëra i trembet zëshëm, dhe duke u çjerrur zëshëm dëshmon se tani në radhët e politikës po ndjehet frika; ndërsa tjera është ende në heshtje dhe, ndërsa mund të mendojë se do të vazhdojë rituali i vjetër i vënies së drejtësisë nën këmbët e saj, shpejt, shumë shpejt do të binden se gjithçka mund të jetë ndryshe.

Në pak ditë, zonja Marku ka dhënë dy sinjale të fuqishme se nuk e ka ndër mend të tërheqë litarin vetëm nga njëri cep, por të kapë atë në mes dhe të fillojë tundjen.

Fillimisht ajo, krejt qetësisht, i dha mbështetjen e saj prokurorit që po heton çështjen Tahiri. I dashur apo i padashur për shumicën mund të jetë ai prokuror, por shefja e tij e mbështeti publikisht dhe mesazhi ishte i qartë: gjërave do u shkojmë deri në fund, pikërisht me njërin nga kundërshtarët më ë fortë të Tahirit në prokurori dhe figurë e rëndësishme e kësaj strukture.

Më pas, përmes një lëvizje që nuk kishte ndodhur asnjëherë, prokuroria bëri hapin e radhës, që, megjithëse duhej të ishte bërë shumë më herët, nuk kishte ndodhur. Ajo thirri të dëshmojë djalin e ish-shefit të qeverisë, njeriut të paprekshëm deri tani, Shkëlzenin.

Shkëlzen Berisha, në fakt, kishte shumë kohë që duhej thirrur në prokurori. Në vitet e qeverisjes së babait të tij kishin ndodhur aq shumë gjëra të lidhura me emrin e këtij “biri të shquar”, sa që do të kishin mjaftuar për t’u thirrur dhjetë herë e më shumë. Që nga grabitjet e tokave në bregdet, përmes miqve të tij të afërt, abuzimit të hapur në rolin e sekserit, pasurisë që nuk ka asnjë burim, çantës së tij proverbiale, nënshtrimin e strukturave të shtetit, ku ministra si Mediu dhe Bumçi ishin bërë vasalë të tij, për të shkuar më tej në aferat e mëdha dhe të përgjakshme si atë të Gërdecit, të Kosta Trebickës, duke marrë edhe epitetin e njohur, “sy peshkaqeni”.

Tashmë dihet se në ditën tragjike të Gërdecit biseda e tij telefonike me Delijorgjin asfiksoi shumë nga hetimet dhe fajin e spostoi nga të vërtetët, përfituesit dhe vrasësit, tek disa ushtarakë, që kur kishin marrë mundimin të kundërshtonin ua kishin përplasur dyert turinjve dhe ata kishin gjetur faltoren e ankesës në ambasadën amerikane. Askush nuk mori guximin, të paktën sa për sy e faqe, ta thërriste e ta pyeste se çfarë është biseduar.

Askush nuk ka marrë mundimin deri tani të pyesë, krejt ligjërisht, nga se përbëhet pasuria e tij; kush i sponsorizon udhëtimet e tij, çfarë punon, në cilin objekt ka qenë sekser, ndërmjetës, çfarë është blerë e çfarë është shitur; sa kushton banesa e tij dhe si është ndërtuar.

Klasa e të paprekshmëve e kishte atë mburojën e tyre, por edhe idull. Kjo shëmbëlltyrë, i të fortit përmes pushtetit, duhet shembur.

Tani, Berisha i vockël, natyrisht pa dashjen e tij, ishte i detyruar të shkonte në prokurori, natën për terr, me një makinë të tjetërsuar, kësaj here nga ata që mundohen të sjellin politikanin e moderuar por që në fakt mbetin shërbëtorë të devotshëm pas derës së Berishës.

Detyrimi i tij është si të hapësh njërën nga portat më të larta të korrupsionit. Të shkallës më të lartë. Më të pushtetshme. Më kërcënuese..e mbani mend se si ulëriti në parlament ish shefi i qeverisë kundër prokurorëve që mendohej të merrnin në duar Gërdecin,  përmes kësaj thirrje mund të hapen shumë gjëra që kanë mbetur të zhytura nën petkun e korruptimit të prokurorëve dhe frikës së tyre nga politika.

Arta Marku solli një fillesë të pritur. Bile më të shumëpriturën. Ndëshkimin e krimit, pavarësisht se nga kush do të vijë.

Politika do të përpiqet të bëjë asfiksimin e saj. Më çdo kusht. Me çdo mënyrë. Të mbyllë gojën e saj dhe, përmes saj, edhe të tjerëve.

Zonja Kryemadhi bëri dy ditë më parë njërën nga deklaratat më shokuese të sjelljes së politikës ndaj prokurorisë së shtetit. Në mënyrën më berishiane të mundshme ajo , haptas, pa droje, denoncoi , pa emra, për krimin e prokurorisë në dhjetëra aspekte; ajo kërcënoi se ka në dorë dosjet e gjithë atyre që do të mund të jenë nesër prokurorë të çështjeve që mund të prekin edhe atë vetë. Askush nuk është i imunizuar nga e drejta e prokurorisë dhe strukturave të saj speciale, si ajo që i paraprin SPAK-ut, për të hetuar krimin.

Deklarata e Kryemadhit ishte aq shokuese, sa që, po t kishte ndodhur në një vend ku synon vendi ynë integrimin, parlamenti do të ndalonte, ndoshta do e mbante frymën dhe do të kërkonte dy gjëra kryesore: cilët janë të korruptuarit, faktet dhe kush i ka krijuar dosjet, kush i mban, kush i përgjon, kush i ndjek, në cilën cilësi, me cilin atribut; dhe e dyta, më e rëndësishmja, përse njëra nga figurat kryesore të jetës politike në vend, për më tepër bashkëshorte e presidentit të Republikës, i ka mbajtur të fshehura këto fakte.

Është e natyrshme të shtrohet pyetja më se logjike: nëse zonja Kryemadhi i posedon këto fakte, a ka vënë ajo në dijeni presidentin e shtetit tonë, i cili, të paktën deri më tani, ishte edhe kryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe njeriu që miraton emërimin e prokurorit të përgjithshëm.

Alibia që mund të sjellë zonja Kryemadhi se ajo, punët e opozitës nuk i diskuton me shefin e shtetit, bashkëshortin e saj, nuk qëndron, sepse fjala nuk është për çorape e djathë, por për njerëzit e caktuar si pjesë e luftimit të krimit.

Sikur të mos mjaftonte kjo, arrestimi dhe fillimi i gjykimit të një drejtori rrugësh, që mund të jetë edhe i pafajshëm, shndërrohet shpejt në një lukuni ankimi e britmash, sikur po bëhet nami i zi mbi të drejtat e një njeriu që , nëse do të gjykohet se është i pafajshëm, do të kthehet në shtëpi.

Militantë lësëistë, jo pa bekimin nga lart, sillen në sallën e gjyqit si një bashkim horash të politikës, kërcënojnë, shajnë, ndërpresin seancën gjyqësore, detyrojnë dorëheqjen e një gjykatëse, dhe të gjitha këto kanë një shkak të vetëm:

Politika po e ndjen frikën nga ajo që ka ndodhur dhe ku ata vetë kanë qenë pjesë.

Po ashtu, sie kam cilësuar në një shkrim të hershëm, është koha e duhur, në mos ka shkuar, që shefi i qeverisë së tashme, si në çdo vend normal e krejt haptas, të bëjë publike koston e ndërtimit të vilës së tij, prejardhjen e financimit, që, pas tij, të fillojnë të gjithë titullarët të bëjnë “vettingun” e tyre.

Prej shumë viteve, në Shqipëri, është krijuar tradita e heshtjes. Pavarësisht krimit, nëse hesht, je i fituar.

Mediu, si ish ministër i mbrojtjes, heshti për Gërdecin. Ai e dinte më mirë se kushdo tjetër se çfarë qëndron pas kësaj tragjedie dhe se si fëmijët shfrytëzoheshin nga bijtë e pashallarëve në pushtet si në mesjetë, në minierat e qymyrit. I keni parë fëmijët e vegjël se si demontonin armët në Gërdec?

Fatmir Mediu heshti, sepse e dinte aksiomën, kush hesht, ai mbështetet. Marrëveshja, jo edhe aq e fshehtë, funksionoi për mrekulli. Ai u shpërblye për heshtjen e tij. U rizgjodh deputet, edhe herë të tjera. Askush nuk e largon dot atë ka karrigia e deputetit, pasi droja se një ditë mund të flasë, është aq e madhe, sa që i akuzuari desh u bë rishtas ministër.

Politika ka nisur të ndjejë frikën e ndëshkimit. Ky është lajmi i parë i gëzueshëm, sepse përmes ndëshkimit, qoftë majtas, qoftë djathtas, një brez i ri i politikës mund të zërë mend më shumë se sa përmes dhjetëra fjalimeve dhe kontakteve me ambasadorë.

Arta Marku përfundimisht ka mbështetjen e strukturave të fuqishme jashtë shtetit shqiptar. Të një aleance të madhe, e cila është lodhur tashmë në vjedhjet pa fund që bëhen në këtë vend.

Ndaj politika është dy herë e trembur. Nga ajo grua shtatimët që nuk e kishin llogaritur dhe që i bënin thirrje të mos betohej, dhe nga ata që qëndrojnë pas saj.

Nëse ajo do të arrijë të fitojë dhe në këtë rrugë është, edhe besimin e njerëzve, shumë gjëra do të ndodhin ndryshe.

Ku ta dish, mund të mos jetë e largët dita kur vilat e të fortëve të politikës dhe të oligarkëve financiarë të kthehen, ose në godina boshe e të errëta, ose në vende për jetimët e spitale për pleqtë.

Do të kishte qenë një zgjedhje e mirë.

Egërsimi i politikës ndaj një zonje, që e brishtë mund të bëhet e hekurt dhe thirrjet delirante për largimin e saj, janë, po ashtu, shenjë e frikës.

Kur fillon frika, fillon edhe rënia.(DITA)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *