“Sulejman baba me 13 hajdutët”

Një dyzinë intelektualësh, shqiptarë e maqedonasë, në mesin e tyre edhe Muhamed Zekiri, deputet i Kuvendit të RMV-së, u ngritën dhe publikisht reaguan kundër gjuhës së urrejtjes dhe angërdufllëkut të Sulejman Rexhepit. Kurse Sulejman Baba me 13 hajdutët e vet i reagoi vetëm Muhamed Zekirit. E dini pse? Sepse e kanë për tmerr nëse kritikohen dhe lakuriqësohen publikisht nga një hoxhë, medresant i Isa Beut. Më për zemër e kanë “të përlahen” nga gomari se sa të kritikohen nga Muhamed Zekiri

Shkruan Haxhi Isa Xhaviti

Trembëdhjetë “myftinj” të Muftinive të BFI-së së uzurpuar prej Sulejman Rexhepit, kanë hedhur firmat në një reagim të mjerë të inicuar nga i mendermethënshmi Mulla Sula, kundër deputetit shqiptar të Parlamentit të Maqedonisë, Muhamed Zekiri. Në fakt, deputeti në fjalë ishte “përdorur” vetëm si katapult për t’u bombaduar Qeveria e Zoran Zaevit e cila ka lejuar që të reagojë edhe prokuroria shtetërore dhe të ngrisë padi kundër Sulejman Rexhepit i cili, i çorientuar shpirtërisht e mendërisht, kohëve të fundit po flet me gjuhën e urrejtjes, të gënjeshtrës dhe shpifjes.

Deputeti Zekiri sulmohet se pse nuk po i zgjidh problemet e Bashkësisë Islame por merret me shkaktuesit e problemeve fatale për BFI-në? Për më tepër, për faktin se ai është hoxhë i dalur nga Medresja dhe, në vend se ta ndihmojë (financiarisht) ai me qëndrimet e veta anti-Sulejman Rexhepi po e dëmtuaka këtë vatër arsimore dhe tërë BFI-në! Së këndejmi, Sulejman Rexhepi do t’ia grisë diplomën e shkollës së mesme! A nuk është e turpshme të mendohet një “akt i tillë” pa lidhje dhe pa kurrfarë peshe prej 13 “myftinjëve”! Sulejman Rexhepi armiqësinë kundër Muamed Zekirit e ka personale dhe më të hershme, që kur zotëri Zekiri punonte si gazetar investigativ dhe, është e turpshme që 13 “myftinj” të involvohen kot e kot në këtë armiqësi. Sepse, po na dalin 13 përkrahës të haramit, të veprave kriminale të Sulejman Rexhepit, 13 përkrahës të kriminalizimit të BFI-së nga ana e Sulejman Rexhepit, kundruall Muhamed Zekirit, i cili publikisht i kundërvihet këtij harami që po e falimenton dhe po e zhduk BFI-në!

Nuk ka ndihmë më të madhe institucionale e shtetërore se sa të nxirren para drejtësisë të gjithë ata që e sollën në këtë derexhe BFI-në dhe institucionet  saj. Muhamed Zekirit, Allahu Mëshirëplotë ia bëftë Qabe këtë përpjekej për ta shpëtuar BFI-në duke e luftuar pa kopromis të keqen brenda saj. Për momentin, e keqe më e madhe sesa Sulejman Rexhepi në BFI nuk ka, prandaj, të solidarizohesh me të keqen siç qenkan solidarizuar këta 13 “myftinj” është baras me rreshtimin si ushtar në krahun e shejtanit.

Po pse i paskan dalur në ndihmë këta “mytinjë” Sulejman Rexhepit? Sepse i njohin fare mirë dy anët e dështimit të tyre në jetë! Ndonëse disa “myftinjë” janë rishtakë, megjithatë, ata nuk mund të amnistohen nga legjitimimi i veprimeve kriminale që ia kanë bërë “prijësit” të tyre! Ata fare mirë e dinë se, “prijësi” i tyre është ilegjitim, se e ka kriminalizuar postin “reis” që ng momenti kur rrejshëm ka deponuar nënshkrimin në institucionet shtetërore, prandaj dhe, çdo “verifikim” i tyre me këtë nënshkrim të pavlefshëm, është gjithashtu i pavlefshëm. Një përgjegjësi penale është edhe heshtja e tyre, madje edhe pjesëmarrja e tyre aktive, si dhe miratimi i tyre i të gjitha veprimve të shumta kriminale të Sulejman Rexhepit.

Nëse sinqerisht mendojnë se Sulejman Rexhepi na qenka “i nderum dhe i respektum” sepse paska marrë shumë dekorata e mirënjohje kombëtare e ndërkombëtare, atëherë, për fatin e keq të myslimanëve, duhet të konstatojmë se udhëhiqen prej injorantëve, debillëve e hipokritëve të llojit të veçantë! Ata, intimisht e dinë madje edhe e kanë biseduar me miq në mes vete se, kriza financiare në BFI nisi që kur Sulejman Rexhepi me qindra e mijëra euro nisi t’i paguajë sekserët për ta “luluar me dekorata”! Po çfarë peshe çojnë ato dekorata të blera, madje edhe të rreme! Po veç manjakët do të duartrokisnin të gëzuar se Sulejman Rexhepi u dekorua prej Donald Trampit! Atë të Ilir Metës e bleu dhe, ekzistojnë fakte të filmuara nga vendi dhe personat ku është kryer pagesa për dekoratën presidenciale të Shqipërisë. Fundja, asnjë nuk çon peshë as kombëtare, as shtetërore e as fetare. Asnjë shqiptar, asnjë shtet shqiptar dhe asnjë mysliman nuk ka përfituar diçka nga ato dekorata, përkundrazi, kanë fituar një Institucion që po falimenton. Sa keq!

Muhamed Zeikir po kontaktuaka me “puçistët”! Çka ka të keqe në këto takime! Pse a askush nuk paska të drejtë të rrijë me opozitën e Sulejman Rexhepit? Po që kur u kry “puçi” në fakt nisi shpëtimi i domosdoshm i BFI-së dhe rrënimi rapid i Sulejman Rexhepit. Që kur ngritën kokë “puçistët” morën dheun të gjitha aferat, hajnitë, nepotizmi, zhvatja dhe shkatërrimi i vakëfit nga ana e Sulejman Rexhepit. Trembëdhjetë “myftitë” janë të mendimit se më mirë është të ndihmohet Sulejman Rexhepi deri në shkatërrimin total të BFI-së duke u shpërbërë në “myfti-principata”, apo të shpëtohet BFI-ja qoftë edhe me mosbindje dhe padëgjueshmëri ndaj Mulla Sulës. Nga ana tjetër, trembëdhjetë “myftinjtë” tashmë e kanë provuar arrogancën e Sulejman Rexhepit në kuadër të BFI-së që e ka privatizu deri në falimentim total sa për ta blerë pastaj me 1 dnarë ku veten do ta ndjente përjetë si ai në maje të plehut! Muftinjë janë thellë të korruptuar nga Mulla Sula dhe të degraduar në përkrahjen e veprimeve të tij të shumta antislame! Janë po këta që duartrokasin kur Sulejman Rexhepi nëpër ahengjet e veta private hedh me mijëra euro për shahirët e për pjevaçicat! Janë po këta që kërcejnë në valle kur i këndohet “sulçes” – mos e pi rakinë se të ban zullum –  dhe janë po këta kur ia miratojnë vjedhjen e tërë buxhetit të BFI-së. Ndaj, si mos të nënshkruajnë në paçavrat e Sulejman Rexhepit?! Sakaq do t’i shkarkojë, duke ia “dokumentuar” me fakte e fotografi tërë “tradhëtinë” që ua paskan bërë!

Trembëdhjtë “myftitë” e dinë fare mirë dhe janë shumë koshientë se, vetëm me Sulejman Rexhepin mundet të qëndrojnë në këta pozita të pamerituara ku janë aktualisht. E dinë fare mirë që, në rast të largimit-burgimit të Sulejman Rexhepit, që të gjithë duhet të ecin shtigjeve të tij, duke ia kënduar këngën “Druzhe Tito mi ti se kunemo…”! Të supozohet varianti më i mirë dhe më human: ja, bëri Zoti emër dhe në pushtet erdhi opozita e Sulejman Rexhepit! Automatikisht ndërrohet tërë “qeveria”! Prandaj dhe, më mirë ta shijojnë lezetin e kunjit se sa peshqirin e berberit!

Kështu po komentohet nëpër ndeja të ndryshme nënshkrimi i trembëdhjetë “myftive” i hedhur në një “reagim” manipulativ që mëton ta parcializojë mëkatin e Sulejman Rexhepit në 13 persona të tjerë. Nuk mundet që për shkatërrimin e BFI-së, për falimentimin e saj, për kultivimin e praktikave të hajnisë, të kriminelëve dhe të shkatërrimtarëve, të akuzohet Muhamet Zekiri i cili, pa asnjë dyshim, motivohet nga Vetë Zoti që të ngrisë zërin kundër të gjitha atyre dukurive antiislame e antikombëtare që po ndodhin në BFI-në e uzurpuar nga “Sulejman baba dhe 13 hajdutët e tij”!

Ja pra, kështu do të mendonte dhe kështu do të reagonte ndonjë që është kundër BFI-së dhe “reisit”, kundër “sukseseve” të njëpasnjëshme që e lartësojnë këtë Institucion!

Ndërsa në rastin konkret, përtej qëllimeve tendecioze, përtej pallavrave gazetareske, një është më se e vërtetë! Teksti është shkruar në Konakun e haramit, kurse shoferi ka vrapuar myftini më myftini, me fletën në dorë ku ka qenë emri i tyre dhe kanë hedhur firmën pa e ditur se çka po nënshkruajnë. Ndoshta u është dhënë ndonjë justifikim i kotë, ndryshe, po ta kishin dhe po ta lexonin tekstin me të ciln i kanë reaguar deputetit Muhamed Zekiri, vështrë se do ta nënshkruanin dy-tre vetë. Nëse nuk është e vërtetë kjo – atëherë, fatkeqësisht, kemi të bëjmë me një bandë të rrezikshme e cila do të përfundojë po aty ku edhe udhëheqësi i tyre!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *