Sulejman Rexhepi “bombë” e pashpërthyer në rrafshin përvëlues fetar

A mund të demontohet “mini-bomba” që ka trajtën e Sulejman Rexhepit e që ka daluar nga “bomba kasetë” e kriminalizimit të BFI-së?! Kjo “mini-bombë” ka rënë në parametrat e sistemit finansiar, e cila ditë e më shumë po hedh shkëndia shpërthimi? Shkëndiat japin flakë dhe, një ditë, “mini-bomba” në trajtën e Sulejman Rexhepit detyrimisht që do të shpërthejë! Pasojat do të jenë katastrofale për BFI-në dhe myslimanët e vendit! Kjo do ta detronizojë edhe vetë shtetin

Shkruan Andi Rakipi, Tiranë

Institucionet e ndryshme vendore e ndërkombëtare ruajnë atë respektin historik që kanë ndaj një institucioni fetar, të paktën, për hirë të pjesëtarëve që i përkasin fesë përkatëse me të cilët janë të detyruar të bashkëpunojnë. Këtu, pikërisht në këtë detaj, fshihet djalli!
A kanë qenë të sprovuar institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare ndonjëherë me atë që sprovohen sot për sa i përket institucioneve fetare, konkretisht, Bashkësisë Fetare Islame në RMV! A janë përballur ndonjëherë në historinë e njerëzimit me një “lider” i cili për nga performansat e veta, për nga veprimtaria dhe biografia, është tipik gangster klasik! Natyrisht, as institucionet vendore dhe as ato ndërkombëtare nuk merren me një lider të tillë prej gangsteri por, thjesht, përmes tij, apo tipit të tij, shprehin respektin historik që e kanë në raport me institucionet fetare. Liderët lindin e vdesin por institucionet mbeten të përjetshëm.
Dikush nga “El Cheka”-t, dje u kujtua që të hedhë në opinion një grusht “bombash”, të cilat pas dy orësh u tërhoqën, që të gjitha! Dhjetra “bomba” ku dëgjohet Sulejman Rexhepi se çka dhe si pallamudë! Tmerr, turp, me t’u hedhë mendja me ikë nga dini! Pasuan qindra komente, që të gjitha me mallkim e me dëshirë të zjarrtë që sa më parë të vdesë Sulejman Rexhepi! Pas dy orësh u tërhoqën bombat!
A ka bombë më të tmerrshme se sa urata kolektive për vdekjen e “liderit “ të tyre fetar?!
A ka bombë më të madhe se sa bindja kolektive e popullit se po udhëhiqen prej një banditi?
A ka bombë më të madhe se sa, mbarë bota të dijë se, në Maqedoninë e Veriut, Bashkësisa Fetare Islame udhëhiqet nga një “boss”, i cili beson thellë në kriminalizimin e çdo gjëje fetare?
A ka bombë më të madhe se sa të dalin faktet që flasin për vjedhje, degradim dhe shkatërrim të vakëfit, shtyllë kjo e vetmja e zhvillimit të jetës fetare islame në çdo shtet laik?
A ka bombë më të fuqishme se sa aferat e përditshme të Sulejman Rexhepit që në termat ushtarake mund të shpjegohen si bombat kasetë që shpërndahen në mijëra mini-bomba prej të cilave disa nuk shpërthejnë gjatë rënies në tokë, për të cilin shkak llogariten si mjete më të rrezikshme joshpërthyese, pra që mund të shpërthejnë pikërisht atëherë kur nuk pritet!
A ka bombë më shkatërruese se sa përjetimi i izolimit total si nga faktorët e brendshëm ashtu edhe të jashtëm!?
A ka bombë më të tmerrshme se sa publikimi i një përgjimi në të cilën dëgjohet Mulla Sula tek i thotë “një ministri” të BDI-së se, sa më gjatë që do ta mbajnë Agim Krasniqin në burg aq më shumë do të thahet PDSH-ja në Dërven dhe se, tash e tutje, rolin e Komandant Krasniqit do ta marrë Sulejman Rexhepi që do ta çojë ujin në jazin e BDI-së! Edhe lider fetar edhe aktivist-militant partiak?!
Le të fshihen të gjitha “bombat”, le të zhduken të gjitha përgjimet, o për më të Madhin Zot le të treten të gjitha ato “bomba”, sepse flasin për “liderin fetar” dhe, si të tilla, janë shumë të rënda.
Po a mund të fshihet “mini-bomba” që ka trajtën e Sulejman Rexhepit e që ka daluar nga “bomba kasetë” e kriminalizimit të BFI-së?! Kjo “mini-bombë” ka rënë në parametrat e sistemit finansiar, e cila ditë e më shumë po hedh shkëndia shpërthimi? Shkëndiat japin flakë dhe, një ditë, “mini-bomba” në trajtën e Sulejman Rexhepit detyrimisht që do të shpërthejë! Pasojat do të jenë katastrofale për BFI-në dhe myslimanët e vendit! Pasojat do t’i vuajë edhe vetë shteti!
Myslimanët e vendit gjithnjë e më shumë po e humbin besimin në të vetmin institucion fetar, BFI-në. Humbja e besimit zbeh edhe ndjeshmërinë për të! Myslimanët kanë nisur të bëhen imunë nga të gjitha veprimet kriminale të “liderit” të tyre. Ky imunitet në fak zvogëlon apo edhe zhdukë nevojën e reakcionit, nevojën e reagimit, nevojën e kundërshtimit, nevojën e rrebelimit!
Në sferën politike, zhdukja e nevojës për kundërshtim dhe rrebelim karshi politikave të kriminalizuara, rritë nevojën për migrim, për ikje, për braktisje të atdheut!
Në sferën fetare, zhdukja e nëvojës për kundërshtim dhe rrebelim karshi politikave të kriminalizuara, rritë nevojën për migrim, për ikje nga opusi i parimeve fetare, ikje drejt degjenerimit.
A ka “bombë” më atomike se sa ky fakt?!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *