Sulejman Rexhepi si frymëzues në mëkat të madh

Çfarë trishtimi! Atë që dikur nuk arritën ta bëjnë krajli e ideologjia, sot po e bën Sulejman Rexhepi! Myslimanët nuk përkuleshin para torturave gjenocidale e shtazarake të okupatorëve për të hequr dorë nga identiteti i tyre fetar, kurse sot, e bëjnë me qejf – vetëm për inat të Sulejman Rexhepit! Ç’mallkim na qe ky

Shkruan Eleonora Izeti, ish-medresante

Nuk ka familje myslimane në Maqedoninë e Veriut që sot, organizon ndonjë aheng familjar, ndonjë gëzim apo çaste morti, e në të të mos përshihen edhe hoxhallarët. Asgjë nuk bëhet pa hoxhën e mëhallës, të katundit, të lagjes, të xhematit! Hoxhallarëve këtë peshë po ua japin vetë familjet myslimane, këtë respekt po ua shprehin si nivel i lartë i edukatës familjare, si detyrim fetar që e ndjenë thellë në shpirt, fare në fund, edhe si një trend që, ashtu si dikur edhe sot hoxha të ulet në krye të oxhakut, ta thotë fjalën më të mirë, atë fjalë që patjetër duhet të jetë porosi islame. Këtu edhe qëndron arsyeja e përfshirjes së hoxhallarëve në çdo aheng familjar, në mevlud, në dasëm, në vdekje, në syneti, në fejesë etj. Qytetarët myslimanë të dëgjojnë sa më shumë porosira fetare dhe të ngriten e të përforcohen sa më shumë me moral islam.
Megjithatë, nuk ka aheng familjar në të cilën pjesëmarrësit në shumicë të mos jenë të irrituar nga prezenca e hoxhallarëve. Tek të gjithë të ftuarit hoxhallarët asocojnë në Sulejman Rexhepin, ndaj dhe, shpërthen iritimi, shpërthejnë provokimet, shpërthejnë sharjet, ofendimet, mosdurimet, ironizmi i teologut, fesë, mosdurimi ndaj ligjeratave fetare! Thjesht, “xhemati” i familjes, sapo të shohë hoxhën menjëherë ky u asocon në Sulejman Rexhepin dhe, meqë nuk e duan, e urrejnë atëherë tërë hidhërimin dhe inatin e ha hoxha!
Jo në pak ahengje e mexhlise edhe hoxhallarët solidarizohen me të pranishmit që shprehin urrejtje e mllef kundër Sulejman Rexhepit. Edhe kjo situatë nuk ngelë pa u shoshitur me pyetjen “atëherë, pse i shërbeni, pse nuk e bojkotoni, pse nuk e përzini”! Përgjigja, si rëndomë, del po ajo që në fakt shpreh mosguximin intelektual por edhe dyftyrësinë e shumicës së hoxhallarëve. “Është i lidhur me policinë e shtetit. Më mirë të ulim kokën se sa të kalojmë nëpër formalitete të policisë. Sulejman Rexhepi këtë e do, të na bëjë rezil me polici”!
Sulejman Rexhepi e ka pasur edhe më herët policinë e shtetit, madje të tërë ish-Jugosllavisë, e cila ka qenë e stërvitur sidomos për t’i bërë terbie shqiptarët “seperatistë dhe shovinistë”, ata që nuk e duronin “vëllazërim-bashkimin” sipas “islamit” të Mulla Sulës. Ti shërbeshë sot Sulejman Rexhepit do të thotë të pajtohesh me profesionin “shërbëtor” (Sulejman Rexhepi jo njëherë ka kërkuar publikisht që hoxhallarët të jenë ekskluzivisht “shërbëtorë të xhematit”!) Hoxha, në fakt duhet të jetë prijësi i gjithanshëm i xhematit, jo shërbëtor, por, prijës, sepse hoxha është i obliguar të jetë i dishëm, të jetë strateg, të jetë trim, hero, gazi, shehid dhe, assesi, “shërbëtor” klasik! Nuk është aspak ndjenjë e mirë sa herë që dëgjohen konstatimet për hoxhallarët e ndryshëm “ja ky, shërbëtori i Sulejman Rexhepit”! Fatkeqësisht, hoxhallarët me pa arsye po bëhen bartës të këtij epiteti të turpshëm!
Megjithatë, nëse hoxhallarët me plotë vetëdije dhe me vullnet pranojnë që të jenë “shërbëtorë të Sulejman Rexhepit”, atëherë, të paktën, le të mbledhin guximin dhe le t’ia transmetojnë Sulejman Rexhepit situatën e xhematit që e vërejnë nëpër tubime familjare! Le t’ia thonë të vërtetën që konsiston në gatishmërnë totale të myslimanëve për ta shprehur publikisht turpin që janë myslimanë, sepse, qytetarët në shumicë nuk po mund ta durojnë faktin që të jenë myslimanë edhe ata edhe Sulejman Rexhepi. Nuk po munden të ndjehen myslimanë me një “lider” policor i cili në çdo hap të tij bie në kundërshtim me parimet e mirëfillta islame, me ato parime e norma që ta shtojnë krenarinë e të qenurit mysliman!
Le t’i thonë “liderit” të tyre policor (titull ky që e gëzon falë instalimit nga policia dhe ndihmës së tyre që e gëzon natë e ditë) se, Sulejman Rexhepi është shndërruar në frymëzim braktisje të fesë, të shoqërisë myslimane, të normave islame. Sa herë që del në televizor, sa herë që i zihet emri ngoje, sa herë që mbrohet nga ndonjë hoxhë laik, sa herë që mbrohet nga ndonjë qytetar i painformuar, sa herë që flitet qoftë një fjalë e mirë për të, sakaq qindra të pranishëm do të shpërthejnë në sharje, në urrejtje, në ofendime kundër Sulejman Rexhepit, madje shkojnë deri atje sa thonë që më të lumtur do të ndjehen ta braktisin fenë se sa të përfaqësohen nga Sulejman Rexhepi. (Kjo u vërejt së fundmi edhe në një mevlud të bashkëpunëtorit të tij të ngushtë!)
Ky po që është mëkat i dyanshëm, i qytetarëve dhe aq më shumë i Sulejman Rexhepit. Qytetarët duhet të jenë myslimanë e pjesëtarë të islamit për hirë të Allahut xh.sh., Krijuesit tonë, dhe jo për hatër apo për inat të Sulejman Rexhepit. Kurse, Sulejman Rexhepi duhet që, për hirë të çrrënjosjes së këtij mëkati, të mbyllet në odën e vet të trishtë dhe kurrë më mos të dalë nga aty, sepse duhet ta dijë se është shndërruar në motiv për ikje kolektive nga feja, natyrisht, deklarativisht!
Një fomë ikje nga feja është edhe refuzimi për t’i kryer disa detyrime dhe obligime të fesë islame! Xhamitë (me përjashtim të ditës së xhuma) gjithnjë e më shumë po zbrazen, ndjenja humane e myslimanëve është topitur skajshmërisht nga vjedhjet e Sulejman Rexhepit dhe lavatriçes së punëve të tij të pista, Mustafa Dautit. Detyrimet që po përkthehen si “taksa fetare” nuk po kryhen në shenjë të shprehjes së revoltës kundër vjedhjeve së “taksave” nga Sulejman Rexhepi dhe banda e tij: gjithnjë e më pak fitra, gjithnjë e më pak zeqat, gjithnjë e më pak haxh e kurbana, harta e vakëfit po tkurret gjithnjë e më shumë ndërkohë që, harta e pronës së Sulejman Rexhepit flet për një ekspansion të pamëshirshëm të familjes Rexhepi!
Këto fakte banda kriminale e Sulejman Rexhepit nuk po arrinë t’ia fshehë për sa mund të fshihet minarja në thes! Xhemati po i di këto fakte ndaj dhe, gjithnjë e më shumë po parapëlqen që ta fshehë identitetin e vet fetar, nga turpi, deri sa të pushojë se deklaruari Sulejman Rexhepi se na qenka “mysliman”! Për shkak të të bëmave të Sulejman Rexhepit myslimanët e Maqedonisë së Veriut nuk ndjehen rehat e mirë për ta deklaruar dhe dëshmuar publikisht përkatësinë e tyre fetare!
Çfarë trishtimi! Atë që diku nuk arritën ta bëjnë krajli e ideologjia sot po e bën Sulejman Rexhepi! Myslimanët nuk përkuleshin para torturave shtazarake të okupatorëve për të hequr dorë nga identiteti i tyre fetar, kurse sot, e bëjnë me qejf – vetëm për inat të Sulejman Rexhepit! Ç’mallkim na qe ky!

Leave a Reply