Sulejman Rexhepi si karabiber

Disa shërbime intelegjente perëndimore kanë alarmuar opinionin e vendit se, në Maqedoni janë duke operuar mbi 6000 rusë, të cilët kanë për detyrë që me metoda e mjete të ndryshme të arrijnë që të dështojë Referendumi i 30 shtatorit. Me gjasë, dikush nga këta tipa rusë e ka kontaktuar Sulejman Rexhepin dhe e ka lëshuar në ofensivë kundër Referendumit
Shkruan Andi Rakipi
Ditë më parë, për opinion u prononcua edhe Kisha Ortodokse Maqedonase qëndrimi i të cilës ishte po ai qëndrim i vmroistave radikalë të përfaqësuar nga Nikolla Gruevski dhe tajfa e tij. Sot, me qëndrim na paska dalur edhe Sulejman Rexhepi! Qëndrimi i tij në aparencë është e kundërta e Kishës dhe VMRO-së por, në esencë, është i njëjti qëndrim. Nuk mundet që Sulejman Rexhepi aq lehtë të shmanget nga idea dhe ta tradhëtojë vendimin që me asnjë çmim mos të lejojnë që të ndërrohet e as të modofikohet emri i Maqedonisë, qoftë ky edhe me çmimin e mos futjes së shtetit në NATO dhe BE!
Megjithatë, shërbimet intelegjente kundër Maqedonisë në NATO, sidomos ato ruse, e dinë fare mirë se nëse Sulejman Rexhepi del dhe për inat të Zoran Zaevit e të partive shqiptare të cilët assesi nuk po i garantojnë se nuk do ta prekë drejtësia e shtetit, do të mbante po të njëjtin qëndrim të Nikolla Gruevskit e të Gospodin Gospodin Stefanit, atëherë të gjithë shqiptarët, mbarë popullata myslimane, për inat të Sulejman Rexhepit do të dilnin masovikisht në votime. Prandaj dhe shërbimet sekrete e mësojnë Sulejman Rexhepin që të dalë e t’i apelojë të gjithë shqiptarëve dhe myslimanëve të tij që të dalin dhe të votojnë pro Referendumit!
Si e para, Sulejman Rexhepi nuk përfaqëson asgjë në Maqedoni, është tërësisht ilegal e ilegjitim! Sulejman Rexhepi është shqiptari dhe myslimani më i urryer në vend, më i bojkotuari dhe më i refuzuari. Prandaj dhe, shërbimet sekrete ia ndërrojnë qëndrimin nga Kisha me qëllim që të arrihet efekti i dëshiruar nga shkaku i refuzimit të apelit të Sulejman Rexhepit!
E dyta, a mund të na tregojë Sulejman Rexhepi se pse kaq shumë i pëlqen roli i karabiberit! Kush ia kërkoi këtë “shërbim”? Mos ia kërkoi prononcimin Zoran Zaevi, apo Ali Ahmeti. Mos ia kërkoi Menduh Thaçi apo Afrim Gashi? Mos ia kërkoi ndonjë ndërkombëtar i huaj të cilët këto ditë po vlojnë në Maqedoni! Mos e përfshiu dikush në ndonjë program propagandistik pro-Referendumit, mos e pati dikush në axhendë edhe takimin me Sulejman Rexhepin dhe, për pasojë, u desht që edhe ky të prononcohet për Referendumin! Natyrisht që u imponua vetë për inat të injorimit total që po ia bëjnë subjektet vendorë dhe ata perëndimorë. Këtu kapet inati i Mulla Sulës i cili koketon me do rusofilë dhe, sakaq, del dhe e iriton opinionin e gjërë!
Qeveria dhe të gjithë faktorët që janë pro Referendumit, duhet që urgjentisht ta refuzojnë këtë apel të Sulejman Rexhepit, duke kërkuar që komunitetet fetare të rrinë sa më larg këtij problemi politik dhe mos të luajnë me fatin e shtetit dhe të qytetarëve të tij! Ndryshe, nëse nuk ia tregojnë vendin Sulejman Rexhepit, Referendumi mund ta ketë fatin dështues. Në botë, vetëm te populli shqiptar mund ta gjeshë shprehjen populllore shumë morbide “Për inatë të resë më vdektë djali”! Mos të ndodhë nesër a pasnesër që të përjetohet situata trishtuese “Për inatë të Sulejman Rexhepit Maqedonia shkoftë në rr.s.” “Zharko” nuk guxon që të përfshihet, qoftë edhe heshturazi, nëpër fatet e kombit, sepse, është ose shumë i dëmshëm ose shumë neveritës. Sepse, nëse kalon Referendumi, Sulejman Rexhepi mburret dhe nis e kërkon kundërshërbime, në të kundërtën kërcënohet me “tet shantazhoj me bomba”!
Ekpsertët vendorë sakaq nisën me komentet e tyre kundër përzierjes së bashkësive fetare në këtë proces. Sepse, popullata ortodokse, maqedonase, sado që mund të jetë pro Referendumit dhe pro Zoran Zaevit, ata nuk do të pranonin kurrë që të jenë pro një aksioni në të cilën do të apelonte Bashkësia Islame, sepse, suksesi i aksionit do t’ia njihte meritat edhe BFI-së, e kjo nesër apo pasnesër do të thoshte ndikim institucional të BFI-së mbi qytetarët e Maqedonisë.
Për një reagim të këtillë është shumë i vetëdijshëm edhe Sulejman Rexhepi, prandaj dhe me aq lehtësi i merr urdhërat e elementeve prorusë që po operojnë aktualisht në mbarë Maqedoninë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *