Të gjithë të përbalturit e Nenit 58

Nëse, për çdo shkelje në mbi 1000 ditë (nga Sulejman Rexhepi dhe “rijaseti” i tij) të Nenit 58 të Kushtetutës së BFI-së, do të na duheshin arsyetim shkarkimi nga 5 fjali, atëherë i bie se do të na duheshin plotë 5000 rreshta dhe, nëse një faqe vordi zë 40 rreshta, atëherë do të na duheshin plotë 125 faqe arsyetim! Kush do t’i hynte zbardhjes së këtij turpi të panjohur më parë në historinë e përbotshme të islamit?! Më mirë ta anashkalojmë dhe ta gënjejmë Zotin! Na fal o Zot

Shkruan Azem Jonuzi

Sahanëlëpirësit e Sulejman Rexhepit, më në fund, vendosën që ta vjellin tërë atë që e kishin hëngër së bashku me reisin e tyre dhe, të shpëtojnë disi nga ai helmim i organizmit përmes detoksifikimit të stimuluar. E shkarkuan Sulejman Rexhepin sepse po ndjenin se kulla e haramit ishte ngritur aq shumë e lartë sa, rrënimi i saj ishte i pashmangshëm, si për shkak të lartësisë mbi themele të improvizuara, ashtu edhe për shkak të peshës nga harami me rëndesën e shtatë palë qiejve dhe shtatë palë tokave dhe, rrezikonte që të mbyste gjithçka nën gërmadhat e saj. Këto copa gjigante të haramit do të binin mbi myftinjtë, mbi drejtorët, dekanët, udhëheqësit e sektoreve, këshilltarët, familjarët etj. dhe, për të shpëtuar nga kjo katastrofë e tmerrshme, në ndihmë “na erdhi” neni famoz i Kushtetutës së BFI-së – Neni 58!
Pa dyshim, nuk dua të amnistohem as vetë dhe as kolegët e mi duke u përpjekur që fajin ta kërkoj vetëm te ata “organe” që u nënvizuan më sipër. Haramin e sponsorizuam edhe vetë ne, hoxhallarët, pasi që i vilnim taksat fetare nga myslimanët tanë dhe ua jepnim eprorëve tanë të cilët kurrë nuk kërkuan të dinë se ku përfundojnë këto taksa dhe as nuk na raportuan neve hoxhallarëve, madje, për të mirën tonë paska qenë që fare mos të interesohemi se çka po bëhet me djersën dhe gjakun e xhemateve tona. Me rëndësi është të organizojmë ahengje, ditëlindje, festa familjare, të organizojmë udhëtime përallore e të bëjmë qejfe! Sa keq e sa turp! A thua a do të na i falë ndonjëherë Zoti Fuqiplotë!
Të gjithë e kemi ditur, të gjithë kemi kontribuar, pra, të gjithë kemi heshtur para këtij krimi e mëkati të paparë në historinë e fesë islame. Ajo çka i ka ndodhur myslimanëve te ne, në këtë nënqiell, nuk është shënuar në asnjë faqe të historisë së kësaj feje. Pranimi i kësaj të vëtete flet për vetëdijësimin dhe ndërgjegjësimin tonë, flet për sinqeritetin tonë.
Megjithtë, dikush është kujdesur që të mbajë shënim për çdo mëkat, për çdo kontribut në mëkat dhe për çdo sponsorizim të mëkatit që e kemi bërë. Shyqyr që teknologjia ka avancuar shumë dhe, nuk duhet që ato shënime të ishin në letra e në dosje, sepse do të duhej valixhe e valixhe për t’i përthakuar të gjitha. Vetëm një USB mjafton për ta arkivuar turpin tonë! E evidentuar gjithçka në data e orë, në ditë e javë, në muaj e vite, me emër e mbiemër, secili çfarë ka bërë! Është ky Vullnet i Zotit dhe, këtij Vullneti nuk ka forcë që mund t’i dalë përpara, që ta zbrapsë! Me këtë Vullnet është e mundshme edhe ajo çka njeriut nuk ia merr mendja.
Që nga fundi i prillit të vitit 2015 e deri më fund të majit të vitit 2020 kanë kaluar mbi 1800 ditë, prej të cilave mbi njëmijë ditë është shkelur Neni 58 i Kushtetutës së BFI-së; plotë 1000 e disa ditë rresht është mëkatuar, është vjedhur, është planifikuar dëmtimi dhe shitja e vakëfit për interesa meskine; mbi 1000 ditë është ushtruar antihumaniteti, është provuar tallja me fenë islame, kemi mëkatuar duke u fshehur pas emrit të Zotit, Atij i qofshim falë! Dhe, në fund, u ndërgjegjësuam dhe publikisht e pranuam se Sulejman Rexhepi shkarkohet sipas Nenit 58 të Kushtetutës së BFI-së! Kurse, mbi 1000 ditë, në çdo orë të lume ne, hoxhallarët, nëpunësit, administrata, profesorët, të gjithë që kemi qenë të angazhuar në BFI, thjesht, kemi mëkatuar dhe kemi gabuar duke shkelur me dy këmbë mbi këtë Nen. Këtë e dimë edhe ne, këtë e di edhe Sulejman Rexhepi.
Organet e BFI-së, sidomos Myftnjtë dhe anëtarët e tjerë të “rijasetit” të Sulejman Rexhepit kishin filluar ta ndjejnë peshën e rëndë të mëkatit, zënien e frymës nga kjo peshë e mëkatit, trishtimit, hidhërimit të Zotit! Zoti i bëri rezil, na turpëruan për faqe të zezë. U damkosëm e u dogjëm si me gaca nga zjarri i Xhehenemit – u hidhëruam me kryebanditin tonë dhe e shkarkuam me Nenin 58! Por, nuk treguam se në cilën ditë, në çfarë rasti, me çfarë sebepi e kishte shkelur këtë Nen Sulejman Rexhepi?
Tani më u muar vesh se pse nuk e arsyetuam këtë shkarkim, sepse do të duhej që të evidentoheshin të gjitha këto ditë në të cilat Sulejman Rexhepi, bashkë me stafin e tij, e shkeli këtë Nen. Nëse, për çdo shkelje ditore të këtij Neni do të na duheshin arsyetim shkarkimi nga 5 fjali, atëherë i bie se do të na duheshin plotë 5000 rreshta dhe, nëse një faqe vordi zë 40 rreshta, atëherë do të na duheshin plotë 125 faqe arsyetim! Kush do t’i hynte zbardhjes së këtij turpi të panjohur më parë në historinë e përbotshme të islamit?!
Ta lëmë të pazbardhur, të panjohur e të paditur nga askush?! Ky është mëkati më i madh që e bëjnë këta “shpëtimtarë” të BFI-së post-Sulejman Rexhepi, sepse, e neglizhojnë faktin e pamohueshëm – asgjë nuk mund të harrohet dhe të fshihet nga Allahu i Gjithëdijshëm, I Cili dikujt i ka dhënë mend që ta shpikë edhe një USB!
Nuk e kemi më as atë tagër, as atë peshë, as atë vlerë dhe as atë të drejtë morale që edhe më tej të vazhdojmë e ballëlartë t’ua kërkojmë taksat fetare xhematit tonë! Duhet ta pranojmë turpërimin tonë por pse jo, të bëhemi në fund të sinqertë dhe, të kërkojmë që të na nxjerrë nga kjo baltë epike Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI të RMV-së.

Leave a Reply