Vakëfi me shumë pronarë

Kohve të fundit janë zbardhur një sërë rastesh që flasin se Vakëfi i BFI-së tashmë është pronë e më shumë pronarëve. Nga Vakëfi mbahen institucionet dhe organet e BFI-së së uzurpuar, mbahet Sulejman Rexhepi me shokë e me familje, mbahet Komuna e Çairit…

Shkruan: Dr. Zeqie Veseli

Vakëfi është pronë e myslimanëve të cilët dikur ia linin xhamive me qëllim që të mirëmbahen dhe të zhvillohet jeta fetare islame. Edhe sot e kësaj dite funksionojnë xhami që kanë vakëfin e tyre. Megjithatë, organizimi i jetës fetare bazuar në sistemin centralizues, nën udhëheqjen e Institucionit të vetëm fetar i përbërë nga më shumë organe dhe ente të ndryshme, Vakëfi drejtohet, menaxhohet nga, vende vende, Drejtoria e Vakëfit, vende vende nga Sektori përkatës, kurse në BFI-në e Maqedonisë së Veriut, udhëhiqet nga uzurpatori klasik i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
Meqë të gjitha të drejtat për menaxhim me Vakëfin ia ka dhënë vetes, Sulejman Rexhepi e ka lirinë absolute që të veprojë siç do vetë dhe siç ia do pika e qejfit me pronat e Vakëfit që është një Pallat i amaneteve të të parëve tanë që i kanë lënë për zhvillimin e jetës fetare islame në këtë nënqiell. Nëpërkëmbja, keqtrajtimi apo tjetërsimi i këtij amaneti është, pa dyshim, një nga mëkatet e mëdha dhe të pafalshme.
Shkrimet që po publikohen këto ditë po rëqethin mish e po ngacmojnë lotë, nga trishtimi se si sillet Sulejman Rexhepi me këtë AMANET. Do Sulejman Rexhepi e vjedh këtë amanet! Do Sulejman Rexhepi, e shkatërron, e rrënon, e kontrabandon! Do Sulejman Rexhepi ia lë ndonjë myftiu me qëllim që ta nënshtrojë e ta bëjë të varur prej tij, duke e përdorur vakëfin si karrem peshkimi! Do Sulejman Rexhepi edhe e falë tërë vakëfin; do ai e futë në bisnes për të përfituar vetë ai dhe jo për të nxjerrë përfitime e për ta shtuar vakëfin; do Sulejman Rexhepi Vakëfin ia falë institucioneve shtetërore, si për shembull komunave (Çairit, Gostivarit, Strugës etj.) ndërsa si kompensim kërkon banesa e dyqane apo prona të tjera që do të regjistrohen në emër të tij apo të familjarëve të tij. Çfarë të dojë Sulejman Rexhepi mund të bëjë me Vakëfin! Kjo u dëshmua katërcipërisht edhe këto ditë nga disa shkrime hulumtuese, ndër të cilët edhe hulumtimi i Radio Evropës së Lirë!
Sulejman Rexhepi mendon se populli mysliman i vendit është popull matuf, apo popull frikacak, i cili të zgjedhurve të vet politik nuk mund t’ju bëjë asgjë. Vite më parë, para gati një decenie e gjysëm, prapa Xhamisë “Isa Beu” në Shkup, në vendin kur dikur ishte biblioteka e qytetit, pasi u denacionalizua vendi, pasi u kompletuan të gjitha dokumentet dhe kaloi në pronësi të BFI-së, po ky Institucion, në kohën e fushatës së BDI-së(2007), lejoi që të organizohet ceremonia e hedhjes së gurith themeltar të Medresesë për femra në Shkup nga ish-kryetari i Komunës së Çairit Izet Mexhiti, me bashkëpartiakët e tij dhe, publikisht e zyrtarisht nisi ndërtimi i Medresesë për femra në pronën e Vakëfit të BFI-së! Kurrë nuk u ndërua ky objekt. Iu fal Komunës e cila në zgjedhjet e fundit lokale ka vendosur që aty të ndërtojë garazh në kate! Asnjë fjalë nga Sulejman Rexhepi për këtë tjetërsim të objektit, për ridestinim të vakëfit si dhe për kontratën konkrete në mes të Sulejman Rexhepit dhe Komunës!
Kohë më parë, TV21M pyeti kryetarin e Komunës, zotëri Visar Ganiun, i cili premtoi se deri në fund të mandatit të tij do të përfundojë projekti i garazhit në kate prapa Xhamisë së Isa Beut!
Po ky kryetar komune, kët ditë paralajmëroi se shumë shpejt do të nisë të sendërtohet edhe projekti tjetër i paraparë në oborrin e ish-Komunalecit, hapësirë kjo, e cila, me nënshkrimin e ish-drejtorit të kësaj Ndërmarrje, z. Rakip Doçi, kaloi në pronësi të BFI-së, ashtu siç kishte qenë para periudhës së nacionalizimit të Vakëfit. Atëbotë, Myftinia e Shkupit, por edhe vetë BFI-ja po shpresonin që me këtë pronë do të tejkalohej kriza financiare që po i kaplonte këtë Institucion si dhe organin e saj vendor. U kompletuan të gjitha dokumentet dhe u ftua një bisnesmen kumanovar nga Perëndimi (i njohur si për Sulejman Rexhepin, ashtu edhe për Mustafa Dautin, por edhe për organet e drejtësisë) dhe, në shenjë të arritjes së marrëveshjes iu kërkuan 310 mij euro dhe, hala pa nisur mirë e mbarë puna, bisnesmeni nisi të përjetojë kërcënime nga më barbaret sa që u detyrua të ik pa i kërkuar që t’i kthehen paratë. Sulejman Rexhepi ju thoshte bashkëpunëtorëve të vet në Rijaset se, nëse e kërkon “kaparin” do të mund t’i kthejë vetëm ato para që kanë hyrë në kacën e BFI-së dhe jo edhe 75 mij euro që i ka marrur Beqir Asani si dhe 85 mij euro që i ka marrur Izet Mexhiti! Në mesin e anëtarëve të Rijasetit që e dinin këtë problematikë, edhe sot e kësaj dite ekziston bindja se Sulejman Rexhepi qëllimisht i përmendte këta dy emra politikanësh, ndërsa paratë i ka zhvatur vetë ai. E kush guxonte që t’ia kërkojë ryshfetin “politikanëve”, të cilët në fakt kurrë nuk i kishin parë këto para por që kishin përfunduar në xhepin e Mulla Sulës dhe Mustafa Dautit!
Mulla Sula, pasi e shkarkoi dhe e dëboi Myftininë e Shkupit e cila kishte marrur pjesë në pranimin e vakëfit që e dorëzoi ish-drejtori i Komunalecit, z. Rakip Doçi, e vodhi tërë dokumentacionin dhe, Myftinia aktuale e Shkupit as që di se çka ka ndodhur me atë truall vakëfi dhe as që ka mundësinë për ta kërkuar të rikthehet, sepse nuk ka asgjë në dorë. Ai truall tashmë llogaritet si “pronë personale” e Sulejman Rexhepit i cili ka marrëveshje konkrete me Komunën e Çairit dhe me strulturat e caktuara të BDI-së, e cila ka përfunduar përafërsisht: “Po ua jap truallin nëse më jepni tri kate nga objekti që do ta ndërtojë dhe menaxhojë Komuna”! Pra, marrëveshja për oborrin e ish-Komunalecit nuk është bërë në mes të dy Institucioneve, por, në mes të Kryetarit të Komunës dhe vetë Sulejman Rexhepit. Prandaj, Kryetari i Komunës, z. Visar Ganiu, këto ditë doli publikisht duke nënvizuar se së shpejti do të nisim edhe ndërtimin e objektit banues në oborrin e ish-Komunalecit i cili do të ketë edhe parkingun e vet! Të dy rastet dalin si projekte të Komunës, që ishin paraparë edhe në programin 4 vjeçar të z. Visar Ganiut. Sulejman Rexhepi nuk ju del më zot këtyre dy pronave të Vakëfit, nuk jep kurrfarë shpjegimi dhe nuk tregon se cili është përfitimi i Vakëfit nga kjo kontratë! Sepse, përfitues i vetëm del Sulejman Rexhepi, ai që e shet Vakëfin, ai që e ha Vakëfin, siç e hëngri Vakëfin e Prilepit, të Manastirit, të Resnjës, të Velesit. I ka sosur të gjitha prandaj dhe me kaq ashpërsi e ultimatum i turret Qeverisë që t’ia kthejë edhe pjesën tjetër të Vakëfit të nacionalizuar. Kjo është sjellja e të uriturit të përjargur për vakëf!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *