Vdekja e diktatorit dhe e liderit

“Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes… Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë.” (Ez Zumer, 42)

Shkruan Abaz Islami

Vdekja i zë të gjitha krijesat. Nuk ka gjë që është krijuar e që nuk do të vdesë. Gjithçka është e vdekshme. Të gjitha vdekjet, absolutisht që të gjitha, e kanë shkakun e vet! Vdekja është akt i trishtueshëm, i dhembshëm, i refuzueshëm, i frikshëm, i pështirë, dekurajues, dëshpërues… Kjo për diktatorët, për ata që mendojnë se akoma kanë çka t’i japin jetës, për ata që vetes ia kanë “dhuruar” tiparet e “zotërave”! Tipat e kësaj kategorie njerëzish, e ndjejnë fuqishëm kur t’i afrohet vdekja sepse vdekja atyre ju vie përmes sëmundjve të rënda, sëmundje që ua prishë rehatinë, ua pështirosë të mirat e kësaj jete, ua dobëson fuqinë, ua ligështon themelet e sistmeve që kanë ngritur. Thellë në shpirt ata e ndjejnë edhe lumturimin e masës me vdekjen e tyre, prandaj dhe, për inat të masës, diktatorët, zakonisht, (dhe këtë fakt e njeh edhe historia e njerëzimit), e fshehin sëmundjen e tyre, nuk e tregojnë, madje kërkojnë dhe insistojnë që të fshihet edhe vdekja e tyre deri pasi të varrosen, sepse, deri në lopatën e parë të dheut mbi fytyrën e tyre, ata mendojnë se do të mund të ringriten dhe të vazhdojnë me sundimin e tyre. Diktatorët mendojnë se janë të të njëjtit rang me “perënditë” mitike të cilat Zoti i ka zgjedhur të drejtojnë me njerëzimin deri sa të zgjasë jeta në këtë botë.
Megjithatë, te diktatorët ka diçka që është përtej dëshirës së tyre për sundim, ka diçka që është përtej nevojës për t’i shijuar përfitimet nga të qenurit diktator, ka diçka përtej nevojës permanente për ta demonstruar fuqinë e pushtetit mbi masën të cilën e ka nënshtruar dhe e eksploaton pa asnjë pikë dhembshurie. Është frika dhe inati, dy përbërës të helmit të vdekjes së tyre. Të gjithë diktatorët, thellë në vetëveten e tyre, e kanë ndjerë uratën, dëshirën dhe lutjet e fuqishme të masës së sunduar për vdekjen sa më të shpejtë të “mbretit” të tyre. Asnjë diktator në historinë e njerëzimit nuk ka shijuar paqe të plotë dhe nuk ka përjetuar dashuri të sinqrtë në mes të masës së pushtuar dhe pushtuesit. Gjithmonë në mes ka ekzistuar një urrejtje e tmerrshme e ndërsjellë. Diktatori, për sundimin e vet ushtron urrejtje të frikshme kundër masës, kurse masa, për lirinë e vet ushqen gjithmonë urrejtje për diktatorin. Prandaj, si jeta e vet ashtu edhe vdekja e diktatorit duhet të jetë sa “më misterioze”. Sëmundja e rëndë dhe afrimi i vdekjes së diktatorit duhet të mbahen në fshehtësi të plotë, sepse ky fakt do të shkaktonte gëzim dhe lumturi të madhe ndër popull. Të gjitha vdekjet e diktatorëve kanë shënuar fundin e periudhës diktatoriale.
Kurse, njerëzit e popullit, ata që janë rritur e plakur me dashurinë e popullit, ata që kanë bashkëjetuar me popullin, në të mirë e në të keq, në luftë e në liri, liderët e tillë assesi nuk do të pajtoheshin që t’i mbajnë gjërat sekret.
Ju kujtohet Ibrahim Rugova? Sapo e kapi sëmundja e rëndë, punën e parë që bëri, këtë fatkeqësi e ndau me popullin shqiptar. Iu drejtua popullit publikisht dhe ia bëri të qartë se vdekja po i afrohej dhe se shërim për të nuk kishte! Me këtë gjest të njerëzishëm Rugova deshti që ta presë vdekjen i lumtur, sepse, pas kumtit për sëmundjen e tij, mbarë populli shprehi gatishmëri për të bashkëjetuar me këtë dhembje, për ta ndarë atë, për ta zbutur kafshimin e tmerrshëm të sëmundjes që e kishte kapluar, me të vetmin qëllim që LIDERI i tyre ta shijonte ëmbël vdekjen e tij. Rugova nuk e përjetoi dëshirën dhe lutjet e popullit që të vdesë sa më parë, nuk e përjetoi asnjë mallkim dhe asnjë urrejtje, por, përjetoi dhembjen, trishtimin dhe lutjet e popullit për një vdekje të lehtë.
Pra, të gjithë ata liderë të mëdhenj, që edhe vdekjen e tyre e kanë bërë transparente, në çastet e fundit kanë përjetuar tërë dashurinë dhe dhembjen e popullit të vet, kurse, të gjithë diktatorët, uzurpatorët dhe shkatërruesit e perspektivës së popullit, nuk kanë dashur ta njohtojnë popullatën me fundin e tyre, sepse, janë frikuar se vdekja e tyre do të rëndohej edhe më shumë me dëshirën dhe lutjet e popullatës për një vdekje sa më të shpejtë dhe sa më të trishtueshme.
Ky është fakti më tipik që dallon liderin nga diktatori, njeriun e popullit nga armiku i popullit, krenarinë kombëtare nga turpi kombëtar, dashurinë popullore nga urrejtja popullore. Të gjithë ata që i fshehin sëmundjet vdekatare, të pashërueshme, në fakt vetëm sa e vërtetojnë konstatimin se të tillët janë urrejtja më e madhe popullore, që nuk gëzojnë kurrfarë keqardhje dhe dëshpërimi për sekondat e fundit të jetës së tyre.

Leave a Reply