Vdiq “lustrimi” u ngjallën udbashët

Shkruan: Xhafer UKSHINI

Një prej segmenteve të shoqërisë me më shumë udbashë dhe të angazhuar për spiunim nga shërbimet intelegjente, pa dyshim që janë bashkësitë fetare! Kjo dëshmohet sidomos nga dosjet e arkivuara të klerikëve me detyra spiunazhi. Kjo dëshmohet edhe me faktin që, jo rastësisht, për shembull, Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Sulejman Rexhepit ishte më e zëshmja kundër lustrimit të klerikëve.

Shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut, u kujtohet koha kur funksiononte i ashtuquajturi “Komisioni për verifikimin e fakteve”! Natyrisht, të atyre fakteve nëse ishte filani spiun i UDB-së apo jo, nëse kishte marrur më qafë njerëz të pafajshëm apo jo! Pasha këta vite që do të mbahen mend kur të gjithë spiunët heshtën; në fakt, kur të gjithë spiunët përpiqeshin të shpërfytyrohen në “viktimë ideologjike”, me demek kanë qenë të angazhuar dhunshëm nga policët e ideologjisë komuniste! Në fakt, këta spiunë, gjatë këtyre viteve të këtij Komisioni, vlonin nën tokë, madje ishin gati edhe të shpërthejnë e të hedhin llavë përvëluese mbi gjithkë, vlonin duke intervenuar, duke arritur marrëveshje me djallin, vlonin duke u munduar të gjejnë faktorë me influencë, vlonin duke i joshur anëtarët e komisionit që mos t’i zbulojnë, t’i kursejnë dhe, t’i shpallnin spiunë vetëm ata për të cilët do të vinin urdhërat nga lart (më lartë se VMRO-BDI nuk kishte gjë tjetër!).

Në këtë drejtim, pa dyshim që, më të zëshmit ishin bashkësitë fetare, sidomos Bashkësia Fetare Islame e Sulejman Rexhepit. Janë të gjallë dëshmitarët, janë të gjallë faktet, janë të tmerrshme rrëfimet që flasin për pazaret, për shantazhet, për korrupsionin e Sulejman Rexhepit, vetëm që të ndërrohet ligji dhe të përjashtohen nga lustrimi klerikë fetarë. Sepse, jo njëherë kishte thënë Sulejman Rexhepi se “do të dal kryetari i spiunëve më të shumtë në botë!” Në fakt, ai kishte dertin që BFI-ja mos të dilte si filiale e UDB-së, kurse vetë ai, si kryeudbashi i emëruar në këtë “filiale”, pikërisht nga vetë strukturat e UDB-së.

Meqë u arrit të korrigjohet ligji dhe të përjashtohen bashkësitë fetare nga lustrimi, meqë për këtë “sukses” u desht shumë aktivitet korruptiv e kriminal, atëherë, të gjithë u përlyen, të gjithë kundërmonin në fëlliqësirë, kështu që, edhe veprimi i tyre i më tejmë u çlirua për t’u zhvilluar më normalisht. Nëse do të pengohen në këtë veprimtari, atëherë do të lëshohen sulmet kundër qeverisë, në fakt kundër strukturave që e kanë mundësuar me ligj zhvillimin e aktiviteteve të mëtejme spiuneske në mesin e klerikëve, kështu që, ose do të bëjnë ashtu siç thonë spiunët ose do të dekonspirohen që të gjithë. Ky është shantazhi dhe, ky shantazh është ai që i trimëron spiunët! Në këtë “aktivitet trimërues” mund të gjendet Sulejman Rexhepi, uzurpatori i BFI-së. Kërkojeni këtu dhe jo nëpër xhami apo mexhlise ku debatohet për fe.

Pra, Komisioni i Lustrimit në gjitha kontrollet e dosjeve të bashkëpunëtorëve dhe urdhërdhënësve të UDB-së, gjeti mjaft emra të hoxhallarëve dhe priftërinjëve që udhëheqin me komunitetet fetare në Maqedoni, madje pati edhe nga ata hoxhallarë që u nënshtruan shantazheve: “ose m’i jep 20 mij euro ose do të të publikohet dosja policore”! Strukturat e UDB-së (brenda një konkursi tetë medresantë, kuadër i Mulla Sulës!!!) që janë të infiltruara në të gjitha institucionet shtetërore, ushtronin presion të madh ndaj Komisionit të Lustrimit që të mos lejojë zbardhjen e emrave të hoxhallarëve. “Bashkësia Fetare Islame dhe Kisha Ortodokse Maqedonase llogariten si institucionet me më shumë bashkëpunëtorë të UDB-së nga të gjitha institucionet tjera në Maqedoni” shkruante aso kohe Ilirida.

Inspektorë dhe drejtorë të sektorëve të ndryshme të shërbimit sekret UDB, DSK, të cilët tani gjenden në pension, kishin dhe vazhdojnë të kenë përfitime të majme financiare nga Bashkësia Fetare Islame. Disa nga inspektorët e pensionuar të UDB-së kanë marrë në pronësi nga Bashkësia Fetare Islame shume prona të vakëfit në mbarë vendin. Kjo pronësi garanton pozicionin “reis” si dhe ruajtjen e sekretit deri në “amshim”, prandaj dhe Sulejman Rexhepi do ta kërkojë postin “reis” të përjetshëm. “Albanews.tv” transmetonte se, në disa nga dosjet e inspektorëve dhe drejtorëve të lustruar janë gjetur disa nga emrat e hoxhallarëve dhe priftërinjve aktualë në Maqedoni. Në dosjen e ish drejtorit të UDB-së, Slobodan Bogoevskit, është gjetur emri i kryetarit të BFI-së, Sulejman Rexhepit, si bashkëpunëtor i UDB-së. Në dosjen e inspektorit të UDB-së për Gostivar, Temelko Boshkovski, është gjetur emri i myftiut aktual të Gostivarit, Shaqir Fetahu, transmetonte Tetova1.

Po ashtu, pas shantazhimit të ish-kreut të BFI-së, H. Arif ef. Emini nga një anëtar Komisioni, që të paguajë 20 mij euro me qëllim që mos t’i publikohet dosja policore prej shtatë kutive, aso kohe mediat e vendit raportuan edhe për një ekces gati fatal që ndodhi në BFI. Myftiu aktual i Kërçovës, H. Murat ef. Iseni, desh e therri me thikë të njëjtin anëtar të ish-komisionit për lustrim, sepse ky ishte gati që ta dekonspirojë e ta shpallte spiun nëse nuk do të “kruhej pak”! Ndërsa vetë Sulejman Rexhepi, si bashkëpunëtor i regjur i UDB-së, dikur thoshte për Forumin Rinor Islam se janë filiale e UDB-së, kurse nga kjo filiale e mori kryetarin e Degës së Shkupit dhe e bëri myfti të myftinisë më të madhe në vend, Qenan Ismailin.

Janë edhe sërë “hoxhallarësh” të cilët, sot, pas “vdekjes së lustrimit” janë bërë të gjallë dhe, me tërë qenien e tyre janë të angazhuar në shërbim të “prijësit” të tyre, kryeudbashit Sulejman Rexhepi. Po përgatitet lista e të githë atyre hoxhallarëve bashkëpuëtorë të UDB-DBK-së dhe, gjithësesi që do të botohen edhe emrat e punëdhënësve të tyre dhe, gjetjet e pseudonimeve të tyre nëpër dosje të shumta. Komuniteti fetar islam duhet t’i kthehet misionit të vet, duhet t’i zbatojë detyrat dhe urdhërat kuranore dhe jo ato që dalin nga skenaret e UDB-DBK-së që morën hov sidomos në periudhën e pushtetit VMRO-BDI. Rol kyq në mbrojtjen e Sulejman Rexhepit nga lustrimi ka pasur BDI me anetaret e saj në Komisionin e lustrimit, ndër ta edhe Agim Mehmeti (xhaxhai i Ermira Mehmetit) Agim Mehmeti, pas mbylljes së Komisionit, është rikthyer si gazetar në BFI-si shperblim për kontributin e tij në Komision!/GazetaLajm/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *