Osmani takon Lajçak: Nuk diskutojmë me Serbinë pë kufijtë, ulemi në tryezë si të barabartë

Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani në konferencën për media pas takimit me të dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se Kosova do të jetë e përkushtuar në dialogun me Serbinë, por si shtete të barabarta dhe në një proces që do të rezultojë me njohjen reciproke.

Osmani tha se Kosova do të jetë e përgatitur për dialogun dhe të respektojë interesat e qytetarëve të Kosovës, ndërsa tha se nuk do të diskutohet në Bruksel për kufijtë pasi Kosova më 17 shkurt 2008 është shpallur shtet i pavarur dhe sovran, në kufijtë ekzistues.

“Për Kosovën procesi i dialogut duhet të ketë një rishikim, ndër të tjera do të ndihmojë që Kosova të jetë e përgatitur dhe të respektojë interesat e qytetarëve të Kosovës…. në një proces që duhet të rezultojë me njohje reciproke në kufijtë aktual të Kosovës”, tha Osmani, duke shtuar se ka kërkuar që sapo të formohen institucionet e reja të marrin informatat për këtë proces 10 vjeçar të dialogut për të parë cilat marrëveshje janë zbatuar, e cilat jo.

Sipas saj, nga vlerësimi i deritanishëm Serbia nuk ka zbatuar shumicën prej tyre, raporton Telegrafi.

Ushtruesja e detyrës së presidentes tha se duhet të hapet një kapitull i ri në dialogun me Serbinë.

“Duhet të sigurohemi në radhë të parë, respektimin e vijave të kuqe të cilat nuk lejojnë të negociohet për kufijtë e Kosovës apo rregullimin kushtetues…. Kosova më 17 shkurt e ka përmbyll këtë proces dhe nuk ka çka të diskutohet  shtet i pavarur dhe sovran”, tha Osmani.

“Ne presim që dialogu të jetë  ndërmjet dy palëve të barabarta dhe të trajtohemi si të tilla edhe nga Bashkimi Evropian. Statusi i Kosovës si shtet i pavarur është determinuar më 17 shkurt”, tha Osmani.

Ajo më tej tha se do të punojnë me opozitën pasi sipas saj vetëm kur Kosova flet njëzëri është e suksesshme.

“Do të punoj shumë afër me opozitën, shoqërinë civile, mediat, qytetarët…Presim të kemi koordinim ndërmjet SHBA-së njërën dhe BE-së anën tjetër, pasi vetëm kur ka pasur bashkëpunim transatlantik ka pasur suksese”.

Osmani tha se Republika e Kosovës  e ka shtrirë dorën e bashkëpunimit duke dialogur me Serbinë, pavarësisht se nuk ka kërkuar falje për krimet.

“Koha është që në Bruksel dhe gjetiu të kërkohet përgjegjësi nga Serbia”, tha ajo.

Sipas saj, deri në qershor nuk ka ditë në Kosovë që nuk përkujtohet ndonjë masakër prandaj kërkesa për drejtësi do të jetë e përhershme.

Leave a Reply