Paçarizi: Secila parti që refuzon bashkëpunimin me VV-në do ta ketë fatin e LDK-së

Analisti politik Rrahman Paçarizi, duke folur për rezultatet e EXIT POLL-it të PIPOS të shpalosur në Klan Kosova dhe rezultatet e deritanishme që ka nxjerrë KQZ-ja, ka thënë se Vetëvendosja ka arritur rezultat spektakular.

“Nuk është hera e parë që Vetëvendosja fiton në Kosovë. Kjo është hera e tretë me radhë që Vetëvendosje i fiton zgjedhjet. Kjo rritje është shkaktuar nga fakti që Vetëvendosje nuk është lënë të qeverisë nga partitë e tjera të cilat kanë pasë hapësirë për të bashkëpunuar në një mënyrë të caktuar për të mos e lënë Vetëvendosjen që të udhëheqë me qeverinë”.

Ai, në Specialen e Klan Kosovës, ka thënë se nuk e përjashton asnjë koalicion të mundshëm duke shtuar se secila parti që e refuzon bashkëpunimin me Vetëvendosjen si fituese do të përfundojë si LDK-ja.

“Tashmë e kemi një situatë krejt të qartë kur asnjë parti politike nuk mund ta kontestojë Vetëvendosjen. Unë nuk do ta përjashtoj asnjë bashkëpunim, sepse secila parti politike e cila do ta refuzojë bashkëpunimin me Vetëvendosjen dhe do t’i rrezikojë institucionet e Kosovës do ta pësojë fatin e LDK-së”./Klan Kosova/

Leave a Reply