SHBA: 12 anëtarë të Gardës Kombëtare hiqen nga shërbimi në Ditën e Inaugurimit

12 anëtarë të Gardës Kombëtare të Shteteve të Bashkuara janë hequr nga shërbimi në masat e sigurisë për inaugurimin e Presidentit të zgjedhur Joe Biden pas një verifikimi të figurës së tyre, që përfshinte shqyrtimin për lidhje të mundshme me ekstremizmin e krahut të djathtë, thanë të martën zyrtarët e Pentagonit. Një zëdhënës i Pentagonit tha se kontrolli shkonte përtej lidhjeve me grupet ekstremiste. Një anëtar i Gardës u hoq nga shërbimi për të mërkurën për shkak të mesazheve shqetësuese të tij dërguar me telefon dhe për një tjetër ishte marrë informacion përmes një linje telefonike të posaçme për këtë qëllim, u tha gazetarëve gjenerali i ushtrisë Daniel Hokanson, shefi i Byrosë së Gardës Kombëtare. “Për të qenë të kujdesshëm, po veprojmë dhe po i heqim menjëherë nga shërbimi në Kapitol dhe aktivitetet e inaugurimit”, tha zëdhënësi i Pentagonit, Jonathan Hoffman. Të dielën, sekretari në detyrë i Mbrojtjes Chris Miller tha se FBI-ja po ndihmonte ushtrinë amerikane në verifikimin e të dhënave për më shumë se 25,000 trupa të Gardës Kombëtare që janë vendosur për të ndihmuar në mbrojtjen e Kapitolit të Shteteve të Bashkuara për shqetësime të mundshme të sigurisë përpara inaugurimit të zotit Biden të mërkurën. Verifikimi filloi që nga java e kaluar dhe FBI-ja po punon gjithashtu për të parë nëse ndonjë anëtar i shërbimit aktual ka marrë pjesë në trazirat e 6 janarit në Kapitolin e Shteteve të Bashkuara nga mbështetësit e Presidentit në largim Donald Trump. Javën e kaluar, Garda Kombëtare e Virxhinias tha se Jacob Fracker, një oficer policie që nuk ishte në shërbim, i akuzuar në lidhje me trazirat e dhunshme në Kapitol, ishte një tetar në këmbësorinë e Gardës së shtetit./VoA