Palestina bën thirrje për bojkotimin e planit të Trump-it për Lindjen e Mesme

Autoriteti Palestinez bëri thirrje të hënën për bojkotimin e ceremonisë ku do të prezantohet plani i presidentit amerikan, Donald Trump, për arritjen e paqes në Lindjen e Mesme.

Zëdhënësi i Presidencës Palestineze, Nabil Abu Rudeineh, u bëri thirrje të gjithë ambasadorëve të vendeve myslimane që janë ftuar në këtë ceremoni që ta bojkotojnë atë.

Presidenti palestinez, Mahmoud Abbas, disa here është deklaruar kundër planit amerikan për shkak se, sipas tij, me këtë plan nuk zgjidhen çështjet e refugjatëve, kufirit dhe Jerusalemit.

Javën e kaluar, Shtëpia e Bardhë njoftoi se presidenti Trump do të takohet të martën me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe rivalin e tij politik, Benny Gantz, për të diskutuar rreth këtij plani.

Sipas medieve izraelite, në planin e presidentit amerikan Shtetet e Bashkuara do ta njohin sovranitetin e Izraelit në të gjitha vendbanimet që ndodhen në Bregun Perëndimor, të cilat janë ilegale sipas ligjit ndërkombëtar.

Me këtë plan do të njihej më vonë edhe shteti palestinez, por udhëheqësit e Palestinës nuk pritet ta pranojnë këtë plan, shkruan “Anadolu”.

Leave a Reply