Pandemia dhe format e reja të pabarazisë

Nga Ishaan Tharoor, Washington Post /

Udhëheqësit e G-7 do të mblidhen të premten, për të diskutuar disa çështje kryesore dhe në krye të agjendës sigurisht do të jetë pandemia.

Presidenti Biden pritet të flasë për planet për të rritur prodhimin dhe shpërndarjen e vaksinave, si dhe përpjekjet e vazhdueshme për të mobilizuar dhe bashkëpunuar kundër kërcënimit të shfaqjes së sëmundjeve infektive duke ndërtuar kapacitetet e duhura dhe duke financuar shëndetësinë, tha Shtëpia e Bardhë të dielën .

Deri më tani, megjithatë, Shtetet e Bashkuara kanë udhëhequr garën e nacionalizmit të vaksinave, duke blerë vaksina në mënyrë që shumica e vendit të mund të vaksinohet nga mesi i verës, edhe pse kombet e tjera ende nuk kanë qasje në vaksina.

Një vlerësim i ri nga fushata One, një organizatë globale kundër varfërisë, ka llogaritur që edhe pas vaksinimit të 100% të popullsisë së saj, Shtetet e Bashkuara mund të kenë deri në 453 milion doza të tepërta.

Vendet më të pasura të botës mund të dhurojnë afër një miliard doza të vaksinave në një periudhë të afërt pa rrezikuar planet për të inokuluar popullatat e tyre, sipas analizës së One. Të mërkurën, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së António Guterres tha se në 130 vende, nuk ishte dorëzuar asnjë dozë e vetme e vaksinës. Ai denoncoi faktin se vetëm 10 vende kishin akses në rreth tre të katërtat e dozave deri më sot.

“Në këtë moment kritik, barazia e vaksinave është testi më i madh moral përpara komunitetit global,” tha ai.

Në muajin e kaluar, avokatët globalë të shëndetit publik kanë kritikuar administratën e Biden për faktin që nuk i ka dhënë shumë përparësi skemës së Covax të Organizatës Botërore të Shëndetësisë, i cila synon të ndihmojë vendet e varfra të blejnë dhe shpërndajnë vaksina për popullatat e tyre. Administrata e Biden po përpiqet të shmangë nacionalizmin e paraardhësit të tij.

Të enjten, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Biden do të financojë me 2 miliardë dollarë Covax, pasuar nga 2 miliardë dollarë të tjerë gjatë dy viteve të ardhshme. Në një intervistë me Financial Times, Presidenti francez Emmanuel Macron tha se Shtetet e Bashkuara dhe Europa duhet të dhurojnë rreth 5% të dozave që ata kanë porositur në vendet e varfra.

Diçka e tillë do të ndihmonte në korrigjimin e një pabarazie thelbësore globale dhe gjithashtu do të ndihmonte kundër ndërhyrjeve së Rusisë dhe Kinës. Mes pandemisë, shpërndarja e vaksinave nuk është reflektimi i vetëm i pabarazive që është shfaqur.

Dëmet ekonomike nga pandemia janë ende duke u llogaritur. Pandemia ka ndryshuar mënyrën se si ne punojmë, pasi shumë prej nesh po punojnë nga shtëpia, madje as udhëtimet e nevojshme për biznes nuk do të jenë më si më përpara.

Vetëm në Kinë, Francë, Gjermani, Indi, Japoni, Spanjë, Britani dhe Shtetet e Bashkuara, sipas McKinsey, 100 milion punëtorë do të duhet të gjejnë punë të ndryshme në vitet e ardhshme.

Për shembull, sektorë si industria e restoranteve, hotelet dhe shitjet me pakicë kurrë nuk mund të rimëkëmben plotësisht. Kjo kundërshton qëndrueshmërinë e profesionistëve në qytetet e mëdha, ku një numër i madh punëtorësh nuk kanë humbur punën e tyre dhe kanë ruajtur nivelin e produktivitetit pavarësisht se kanë punuar larg zyrave.

Përtej pabarazive brenda vendeve, boshllëqet e tjera po zgjerohen midis komuniteteve trans-nacionale. Pandemia çoi në një rënie të dërgesave globale – domethënë, paratë e dërguara nga emigrantët në vendet e tyre – sesa gjatë krizës financiare të vitit 2009. Fenomeni ndryshon nga vendi në vend, me kombe të tilla si Meksika, India dhe Kina, ku kjo dukuri ka qenë me e dukshme.

Por, në përgjithësi, analistët parashikojnë pasoja potencialisht shkatërruese në muajt që do të vijnë për vendet, ekonomitë e të cilave varen ndjeshëm nga këto flukse parash.

Nëse një ekonomi në zhvillim përjeton një krizë, infektimi financiar mund të dëmtojë dhe destabilizojë vendet e tjera në zhvillim. Efektet e pandemisë po tregojnë se dhjetëra miliona njerëz në të gjithë botën tani kanë nevojë të dëshpëruar për ndihmë humanitare.

Agjencitë humanitare kanë paralajmëruar për mungesa kritike të fondeve për të përmbushur një nevojë më të madhe se kurrë.

Në një letër drejtuar udhëheqësve të G-7 të publikuar në fund të muajit të kaluar, organizata të shumta humanitare, agjenci të OKB-së dhe aktivistë kundër varfërisë u bënë thirrje vendeve të pasura të botës që të krijojnë një “marrëveshje të re globale për të parashikuar, përgatitur dhe mbrojtur më mirë njerëzit nga rreziqet e mëdha me të cilat po përballen. ”

Ndërsa bota përballet me sfidën më të madhe të një brezi, të gjithë duhet të punojmë me më shumë zgjuarsi, jo vetëm më shumë”. Përktheu Sonila Backa-abc

Leave a Reply