Paralajmërimet e SHBA-së për sanksione ndaj Serbisë për armatimin rus, reagon Ivica Daçiq

Edhe përkundër kritikave të mëdha të marra gjatë mbledhjes së fundit të Këshillit të Sigurimit, ministri i Punëve të Jashtme i Serbisë, Ivica Dacic, vazhdon me propagandën e tij dhe pretendimet për heqje të njohjeve për pavarësinë e Republikës së Kosovës.

Dacic ka thënë se në fund të këtij viti pritet që katër deri në pesë shtete të tërheqin njohjen për Republikën e Kosovës, shkruan Danas, transmeton Gazeta Express.

Përveç kësaj shefi i diplomacisë serbe i është përgjigjur edhe deklaratave të emisarit të SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer, rreth mundësisë së vendosjes së sanksioneve për Serbinë, pas sasive të mëdha të armatimit të rëndë që po merr nga Rusia e Vladimir Putinit.

Daçiq ka thënë se nuk është e nevojshme që të vendosen sanksione pasi sipas tij e dinë se çfarë armatimi është i lejueshëm e çfarë jo.

“Ne nuk jemi budallenj që të mos e dimë se çfarë lejohet”, është shprehur Dacic.

Lidhur me armatosjen e Serbisë nga Rusia ka reaguar edhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, i cili ka thënë se shteti serb duhet të ndalë një çmenduri të tillë para se të bëhet vonë.

“Armatosja e vazhdueshme e Serbisë me pajisje ushtarake nga Rusia dhe Kina (Pancirë, Sisteme të Mbrojtjes Ajrore, Dronë etj) është kërcënim i drejtpërdrejtë për Kosovën, paqen e brishtë në rajon, si dhe perspektivën Euro-Atlantike. Serbia duhet ta ndalë këtë çmenduri para se të bëhet vonë!”, ka shkruar Haradinaj. /GazetaExpress/

Leave a Reply