Paralajmërimi i Pompeos: Kina po shfrytëzon studentët për…

Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka akuzuar Kinën se po shfrytëzon studentët dhe shoqatat studentore kineze për tu infiltruar ne universitetet amerikane.

Në komentet në Institutin Teknologjik të Xhorxhias, Pompeo tha se Kina po përdor institucionet akademike amerikane për të vjedhur sekrete shkencore në mënyrë që t’i shërbejë planit të saj për “hegjemoni globale”.

“Partia Komuniste Kineze e di se nuk do të na arrijë kurrë në novacione. Prandaj ajo dërgon qindra mijëra studentë në vit për të studiuar në Shtetet e Bashkuara”.

Duke theksuar se studentët kineze janë të mirëpritur në Shtetet e Bashkuara, shefi i diplomacisë amerikane bëri thirrje për kontroll më të fortë të atyre që vijnë në kuadër të shkëmbimeve arsimore dhe për ndalimin e grupeve studentore të lidhura me Kinën që përgjojnë aktivitetin e studentëve kinezë dhe zbatojnë agjendën e Partisë Komuniste Kineze.Thirrjet e Sekretarit Pompeo për vigjilencë më të madhe në mjediset universitare janë të fundit në një seri sulmesh të ashpra të Uashingtonit ndaj praktikave të Pekinit.

Më 3 dhjetor, John Ratcliffe, zyrtari më i lartë amerikan për zbulimin e cilësoi Kinën si kërcënimin më të madh ndaj demokracisë dhe lirisë në botë që nga Lufta II Botërore dhe tha se Pekini është duke punuar fort për të arritur dominim global.

Leave a Reply