Pasuria “i ha kokën” edhe drejtuesit të prokurorisë së Përmetit

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit shkarkoi nga detyra drejtuesin e Prokurorisë së Përmetit, Hysen Keta.

Trupa gjykuese e kësaj cështje vlerësoi se ky prokuror kishte probleme me kriterin e pasurisë dhe nuk mund të konfirmohej ne detyre.

Problemet e pasurisë sw Hysen Ketes sipas KPK

Relatorja Bekteshi vuri në dukje se ishin gjetur disa pasaktësi në deklarimet e Ketës ndër vite dhe po ashtu edhe në deklaratën Vetting. Ajo vuri në dukje se një shtëpi 3 katëshe e ndërtuar nga viti 1996 deri në vitin 2001, ishte deklaruar në vitin 2003 me sipërfaqe 120 metra, ndërsa rezultoi nga dokumentet me sipërfaqe 196 metra.

Keta sipas Bekteshit kishte pranuar diferencën dhe kishte shpjeguar se në deklarimin e parë nuk ishte shënuar papafingoja, pasi ajo nuk ishte e banueshme dhe nuk ishte konsideruar si sipërfaqe banimi.

Relatorja tha se për të njëjtën pasuri kishte në dukje pasaktësi edhe në deklarimin veting, pasi trualli rreth 550 metra ku ishte ndërtuar shtëpia ishte pretenduar si i trashëguar, por nga hetimet kishte rezultuar se 54 metra kishin qenë tokë shtet dhe ishin blerë vetëm në vitin 2017.

KPK ndërkohë vuri në dukje se kishte diferenca në deklarimin e bërë edhe mbi burimet që kishin shërbyer për ndërtimin e kësaj shtëpie. Sipas relatimit në vitin 2003 ishte deklaruar si burim kursimet dhe të ardhurat si avokat, ndërsa në deklaratën veting vetëm të ardhurat nga puna si avokat.

Probleme të ngjashme u gjetën për një shtesë kati 60 metra katrorë. Sipas deklarimeve të Ketës shtesa ishte ndërtuar mbi një shtëpi të vjetër me të njëjtën sipërfaqe. Nga hetimet KPK gjeti se ajo nuk ishte deklaruar në asnjë prej deklaratave periodike nga 2006 deri në 2011.

Po ashtu Komisioni vuri në dukje se kishte mospërputhje të kohës së ndërtimit në disa deklarime të ndryshme. Në deklaratat për KPK koha e ndërtimit ishin vitet 2006-2011, ndërsa për efekt legalizimi ishin deklaruar vitet 2009—2010 dhe në ekspertizën e kostove dorëzuar nga vetë Keta në KPK ishin vitet 2008 dhe 2011.

Një pasaktësi në deklarimet vjetore mbi sasinë e parave cash, u pretendua si harresë nga Keta, por ai tha se kjo harresë ishte ezauruar me deklarimin për llogari të vetingut.  Ndërkohë sa i përket një makine e blerë për 19 mijë euro, prej të cilave 10 mijë euro kredi, u vunë në dukje disa pasaktësi.

Leave a Reply