Përhapja e kulturës shqiptare/ Miratohet marrëveshja me Maqedoninë e Veriut

Komisioni për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik, në cilësinë e komisionit përgjegjës, pas shqyrtimit dhe diskutimeve parlamentare miratoi në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligjin: “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për themelimin e qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Shqipërisë dhe të qendrave kulturore dhe informative në Republikën e Maqedonisë së Veriut”. Të pranishëm në komision për prezantimin e projektligjit ishin Entela Çipa, sekretare e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës, si edhe përfaqësues të lartë nga Ministria e Europës dhe Punëve të Jashtme, dhe nga Ministria e Ekonomisë dhe Financave.

Në fillim të mbledhjes së komisionit, me propozim të deputetes Mirela Kumbaro, komisioni i drejtuar nga Fatjon Dhimitri i përcolli urimet për 84-vjetorin e lindjes shkrimtarit Ismail Kadare, duke dhënë vlerësimet më të larta për figurën e tij si shkrimtar, njeri i madh i kulturës dhe i kombit shqiptar, që e bëri të njohur botërisht letërsinë shqipe. Në vijim të rendit të ditës, sekretarja e Përgjithshme e Ministrisë së Kulturës sqaroi se, marrëveshja është nënshkruar në marsin e vitit 2019 nga Këshilli i Ministrave dhe në prillin e vitit 2019 është nënshkruar në Uashington nga ministri i Punëve të Jashtme.

Çipa theksoi se marrëveshja vjen në përputhje me drejtimet kryesore të politikës së përgjithshme shtetërore dhe me programin e qeverisë për rritjen e dialogut ndërkulturor, si edhe forcimin dhe zhvillimin e marrëdhënieve me shtete të ndryshme. Ajo shtoi se, në fokus të kësaj marrëveshje është zhvillimi dhe forcimi i bashkëpunimit ne fushën e kulturës, përhapjes së kulturës shqiptare dhe prezantimin e saj në Maqedoninë e Veriut dhe anasjelltas.

Lidhur me organizimin në terren të veprimtarisë, Çipa bëri me dije se puna do të realizohet përmes ngritjes së qendrës kulturore dhe informative, që do të prezantojë kulturën e shteteve respektive përmes ekspozitave, eventeve, ligjëratave letrare, promovimit në media dhe shërbimeve të informacionit për qytetarët e interesuar të të dy palëve. Në përfundim të pyetjeve dhe diskutimeve nga komisioni parlamentar, u miratua në parim, nen për nen dhe në tërësi projektligji në fjalë.

Leave a Reply