Përleshje edhe në Parlamentin e Serbisë

Në parlamentin e Serbisë ka ndodhur një incident, pasi siç shkruajnë mediat deputetët e Dveri, Bosko Obradoviq dhe Ivan Kostiq hynë në seancë për të shprehur pakënaqësinë që autoritetet serbe nuk po reagonin ndaj miratimit të Ligjit për Lirinë Fetare në Mal të Zi.

Sipas mediave serbe, Obradoviq dhe Kostiq u përleshën me deputetin Partisë Progresive Serbe, Aleksandar Martinoviq, pas së cilës pasoi një konflikt më i gjerë.

Duke mbajtur parulla “Vuçiq dhe Milo – vëllezërit binjakë” dhe “Serbia, pse hesht?”, Obradoviq dhe Kostiq pyetën deputetët e koalicionit qeverisës pse nuk po përgjigjen për miratimin e Ligjit për Lirinë Fetare në Mal të Zi dhe arrestimin e deputetëve të Frontit Demokratik.

Po sipas mediave serbe, kishte një tronditje të përgjithshme dhe shtytje në të cilën, përveç deputetëve të Dveri-t dhe koalicionit qeverisës, mori pjesë edhe ministri i Mbrojtjes, Aleksandër Vulin.

Ndërkohë, një nga deputetët e pozitës thuhet se rrëmbeu parullat dhe i grisi ato.

Pas kësaj, kryetarja e Kuvendit, Maja Gojkoviq ka ndërprerë seancën dhe u kërkoi deputetëve të mos përgjigjen ndaj “provokimeve të përgatitura paraprakisht”.

Situata u qetësua pas disa minutash, dhe të dy Obradoviq dhe Kostiq u larguan nga salla e Kuvendit.

Leave a Reply