Policia arreston nipin e Arben Ndokës

Drejtori i Policisë së qarkut të Lezhës, Bledar Çeliku, ka mbajtur një deklaratë për mediat, ku dha detaje rreth operacionit policor në Lezhë, teksa informoi se u vu në pranga nipi i ish-deputetit të PS-së Arben Ndokës.

Danjan Ndoka, 20 vjeç, lindur dhe banues në Lezhë u vu në pranga nga forcat e Repartit Special RENEA  ndërkohë që gjatë arrestimit iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale pistoletë e markës SMITH WESSON me 6 fishekë.

 

Për 20-vjeçarin ishte caktuar masën e sigurisë ” Arrest me burg” nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale “Vrasje me dashje kryer në bashkëpunim mbetur në tentative”,”Plagosje e rëndë me dashje”,”Armëmbajtje pa leje”.

Masa e sigurisë është vendosur pasi më datë 16.09.2014, në afërsi të Katedrales së qytetit të Lezhës , në bashkëpunim me persona të tjerë, Danjani ka tentuar të vrasë shtetasin F.N

Gjithashtu gjykata vendosi me datë 28.06.2017 masën e sigurisë “Arrest ne burg” për veprat penale “Kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, “Prodhimi dhe mbajtje pa leje e armëve të zjarrit dhe municionit” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.

Kjo masë sigurie e vendosur pasi , më datë 25.06.2017, në qytetin e Shëngjinit, përpara lokal “Detarit”, ka kanosur dhe dhunuar shtetasin F. D.

Ndërkohë 20-vjeçari është i dyshuar edhe për ngjarjen e datës 22.05.2017, ku pas një konflikti për motive të dobëta me një shtetas ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të gomave të mjetit tip fuoristrade Range Rover, me drejtues shtetasin B.L.

Kujtojmë që policia e Lezhës realizoj një operacion ditën e sotme lidhur me sekuestrot e pasurive që vijnë nga burime kriminale me vlerë 872 mijë euro.

Leave a Reply