Policia ruse arreston aktivistët e opozitës para nisjes së protestës

Policia e Moskës i ka arrestuar disa prej anëtarëve kryesorë të opozitës para fillimit të një proteste të planifikuar për të shtunën. Autoritetet nuk kanë dhënë leje për mbajtjen e saj dhe kanë paralajmëruar se në të mund të ketë dhunë.

Protesta e paraparë të mbahet në orën 11 sipas kohës lokale para zyrës së kryetarit të Moskës. Ata po protestojnë kundër përjashtimit të kandidatëve të opozitës nga lista zgjedhore për kryetar të Moskës. Këto zgjedhje do të mbahen më 8 shtator.

Autoritetet thanë se këtyre kandidatëve u është mohuar pjesëmarrja në zgjedhje për shkak se kanë dështuar ta sigurojnë numrin e nevojshëm të nënshkrimeve origjinale. Sidoqoftë, opozita ka thënë se ky arsyetim është i rremë.

Kritikuesi i Kremlimit, Alexei Navalny, është dënuar me 30 ditë burgim të mërkurën e kaluar, disa ditë para mbajtjes së protestës. Përpos kësaj, policia i ka bastisur shtëpitë e disa figurave të opozitës.

Komisioni Hetuesi i Rusisë tashmë i ka nisur hetimet për një protestë të opozitës, e cila ishte mbajtur në qershor. Zyrtarët e këtij komisioni kanë thënë se ky tubim ka mundur ta pengojë punën e komisionit lokal të zgjedhjeve.

Javën e kaluar, më shumë se 20 mijë persona morën pjesë në një protestë të opozitës kundër përjashtimit të kandidatëve të opozitës nga gara për kryetar të kryeqytetit rus, shkruan “Reuters”.

Leave a Reply