Politika e jashtme e SHBA nuk ndryshon as me president të ri

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas paralajmëron Europën e Gjermaninë nga iluzioni, se një president i ri amerikan do ta ndryshojë politikën e jashtme të SHBA. Ndërkohë presidenti Trump paraqitet i sigurtë në fitore.

Ministri i Jashtëm gjerman, Heiko Maas (SPD) nuk pret kthesë në politikën e jashtme amerikane, edhe nëse vjen një president i ri amerikan. Për mediat gjermane “Rheinischen Post» dhe «General-Anzeiger» Maas ka paralajmëruar nga iluzioni si Gjermaninë edhe Europën, se në rast të humbjes së zgjedhjeve të presidentit amerikan do të ketë ndryshime në politikën e jashtme amerikane. „Kush pret tani në Europë vetëm për ndryshimin në Shtëpinë e Bardhë, duhet të përgatitet, që edhe në këtë rast nuk ka për të qenë më aq e rehatshme si dikur”, citon agjencia gjermane e lajmeve, dpa ministrin gjerman.

Sipas ministrit të Jashtëm Maas, politika amerikane si në fushën e jashtme edhe atë të sigurisë ka ndryshuar, dhe kjo jo që nga koha që Trump ka ardhur president. Rolin si polici i botës, SHBA nuk do ta luajë më si në masën e dikurshme, tha Maas. Europa duhet të shohë vetë, se çfarë duhet të bëjë për sigurinë e saj. Por SHBA mbetet partneri më i rëndësishëm i Gjermanisë jashtë Europës, prandaj përpiqemi për të ardhmen e marrëdhënieve, megjithë dallimet, thekson Maas.

Leave a Reply