Post festum: Është radha të bekohet Zoran Zajevi

Sulejman Rexhepi, alias Mulla Sula, këtë Bajram të Kurbanit e pati plotë shend e verë: i lumtur, i gëzuar, i kënaqur. Ai vërtet u fut në “listën e zezë arabe” dhe nuk u lejua që të shkojë në haxhin e sivjemë, por, nga ana tjetër, në çastin e faljes së namazit të Kurban Bajramit, në xhami pati një “mysafir” shumë special: Zoran Zajevin. Ngjashëm siç e pati dikur “të bekuarin” Nikolla Gruevsin

Shkruan Zeqie Veseli

 

Në shtetet laike, pjesëmarrja e pushtetit në një ceremoni fetare, natyrisht që përbën lajm! Megjithatë, në mes të rreshtave të ktij lajmi kemi edhe një mesazh jo fort të këndshëm, i cili fsheh këtë nëntekst: ta vura lakun dhe tash e tutje, me bekimin tënd, do të veproshë ashtu siç të them unë-pushteti! Ky është gjunjëzimi publik para pushtetit. Kjo është kostoja e të gjithë liderëve fetarë kur shprehin dëshirë për ta kruar me pushtetin.

Në shtetet fetare, prezenca e pushtetit në një ceremoni fetare bëhet me qëllim të zbehjes së peshës së autoritetit të liderit fetar, kurse në shtetet laike pushteti, me prezencën e vet në një ceremoni fetare, e kërkon bekimin si i “plotëfuqishëm”, bekim këtë që e jep lideri fetar! Kjo i ndodhi Mulla Sulës pikërisht në ditën e percjelljes së haxhilerëve këtu e një dekadë më parë, duke e lutur Allahun e Madhërishëm që ta bekojë Nikolla Gruevskin.

Pse ky përjetim eksaltues, pse ky kalim në trans nga gëzimi i madh që e përjeton Mulla Sula nga prezenca e kryeministrave maqedonasë në xhami. Pse kjo nevojë për budallepsje duke u përpjekur për ta rrëfyer tregimin fantastiko-shkencor se “pushteti qenka me mua”! Çka i duhet Mulla Sulës pushteti nëse jo për ta mbrojtur nga paditë e shumta dhe për të mos ngritur procedurë gjyqësore për të gjitha ato veprime të denja vetëm për një kapo bando të regjur.

Kështu mendon Mulla Sula i gjorë, kurse gjesti i kryeministrave që futen në xhami gjatë atmosferës festive është sa perfid aq edhe domethënës për botën shoveniste ortodokse. Porosia është kjo: pushteti dëshmon se është fuqi aboslute në çdo pëllëmbë të Maqedonisë, madje edhe në hapësirën e xhamive!

Ndryshe, në xhami bëhen lutjet, në xhami kryhen ritet fetare, faljet e namazeve, hutbet, në xhami dëshmohet se Allahu është Një dhe se Muhamedi a.s. është i dërguari i tij. Në xhami nuk dëshmohet lojaliteti poitik. Në hapësirën e xhamisë mund të organizohet edhe ndonjë kongres, ndonjë konferencë, debat shkencor e kulturor, ndonjë vizitë protokolare e turistike, në të cilat aktivitete mund të marrin pjesë edhe jo muslimanët, qofshin këta edhe kryeministra të shtetit. Megjithatë, gjatë një lutje fetare, gjatë një ceremonia fetare e cila kërkon rregulla të tjera që ngërthehen brenda normave fetare, nëse jo haram, atëherë është mekruh pjesëmarrja e një “ateisti”, qoftë ky edhe kryemnistër i cili nuk di se çka është abdesti, nuk di se me cilën këmbë të futet në xhami, nuk di të shqiptoje të paktën bismelen. Sepse, pjesëmarrja e tij është në një event fetar e jo në një forum ku do të duhet të raportojë për planet dhe të arriturat e qeverisë.

Pse Mulla Sula me një këmbëngulje të çartur, madje edhe me sponsorizime të majme, angazhohet që në çastet e transmetimeve publike, pranë tij të ketë figura të pushtetit, mundësisht edhe kryeministrat? Ai e di fare mirë që me këtë gjest nuk fiton kurrfarë sevapi, porse, është shumë i vetëdijshëm se me këtë gjest përfiton rrejshem vëmendjen e opinionit i cili sakaq krijon përshtypje se para Mulla Sulës po përkulen edhe pushtetarët! Një dëshirë kjo e sëmurë, ndjenjë psikopatësh!

Në krejt botën brenda ditës kryhen me mijëra ceremoni fetare. Çdo ditë ndodhë nga një festë fetare. Në asnjë ceremoni fetare nuk merr pjesë pjesëtari i një feje tjetër. Pjesëtari i fesë tjetër, shkon në shtëpi, shkon në zyre, shkon në seli dhe i shpreh konsideratat e veta, uratat e veta më të mira me rastin e festës fetare të komunitetit gjegjës. Nuk ka hatërmendje dhe nuk ka insistime idiotike për pjesëmarrjen apo mospjesëmarrjen në ceremonin fetare. Bota ngriet mbi parime, rregulla dhe principe respektimi i të cilave krijon atë harmoninë që i duhet njerëzimit. Mosrespektimi i këtyre normave shkakton vetëm kaos dhe asgjë tjetër. Kurse Mulla Sula tashëm katërcipërisht ka dëshmuar se është njeri i kaosit.

I vetmi vend në botë që ka një Institucion fetar, selia e të cilit nuk vizitohet me rastet e festave fetare është Maqedonia dhe Bashkësia Islame. Respekti i të tjerëve ndaj fesë së të tjerëve shprehet pikërisht në vizitat që i bëhen instituioneve përkatëse fetare gjatë festave fetare. BFI-ja nuk vizitohet më, nga askush, as nga xhematet e vendit, por as nga funksionarët e pushtetit, as nga krerët fetarë të feve të tjera por as nga diplomatët. Jo se nuk respektohet Institucioni apo feja islame, por, thjesht, nuk i jepet peshë dhe injorohet vetë Mulla Sula, si njeri me dosje nga më të çuditshmet. Dhe, Mulla Sula është përkujdesur që edhe këtë problem ta tejkalojë me një “diplomaci” alla sulçe! Ka sajuar “Bakllavën e Bajramit” për të cilën një javë përprara dërgon ftesa zyrtare, me lutje e me mblesëri, me telefonata e me miqësi, që të prezantojnë në atë “ceremoni tradicionale” të Mulla Sulës. Natyrisht, pjesëmarrja e personaliteteve të ndryshëm nuk mungon, sepse të gjithë ata kanë respekt të veçantë ndaj fesë islame dhe ndaj Institucionit që e përfaqëson atë fe. Kurse Mulla Sula ka nevojë për këtë çast eksaltues, në ceremoninë e vet personale, nëpër salla grandioze e shumë të shtrenjta, të qeras mysafirë me paratë e Institucionit të grumbulluara nga fitri dhe nga pagesat për kurbanë.

Në Bashkësinë Fetare Isame, gjatë kësaj feste nuk ka hyrë askush, përveçse qytetarëve që hyjnë e dalin duke hedhur në oborr lëkura të kurbanëve, në stilin – “kape murxho”! Ndërsa nga KONAKU Mulla Sula duke i fërkuar duart e mendon çastin kur duhet ta lusë Allahun Fuqiplotë që ta bekojë Zoran Zajevin, akoma pa e ç’bekuar Nikolla Gruevskin. Po këta myslimanë të Maqedonisë, a e kanë dëgjuar ndonjëherë Mulla Sulën tek e bekon publikisht ndonjë lider politik shqiptar?! Jo, sepse ata nuk bëjnë asgjë për islamin, kurse maqedonasit po, mjafton që akoma e mbajnë atë në “pozitë”! Nga ky këndvështrim, të gjithë të tjerët për Mulla Sulën janë opozitë dhe, apriori, armiq. Prandaj, të gjitha bekimet shkojnë vetëm për më të fortit e vendit, për kryeministrat që “bashkëqeverisin me Mulla Sulën”, qoftë kjo edhe atëherë kur sajohen rastet si Monstra, Lagja e Trimave etj.

Leave a Reply