Presidenti libanez: Neglizhenca apo ndonjë raketë mund të kenë shkaktuar shpërthimin

Presidenti i Libanit, Michel Aoun, ka thënë se hetimet rreth shpërthimit që ka ndodhur në një port në Bejrut më 4 gusht, janë duke u fokusuar nëse kjo ngjarje është shkaktuar nga neglizhenca, nëse ka qenë aksident, apo ka të bëjë me ndonjë lidhje të jashtme, është cituar të ketë thënë zyra e tij sipas mediave lokale, transmeton agjencia e lajmeve, AFP.

“Shkaku nuk është gjetur ende. Ka mundësi të ndonjë ndërhyrjeje të huaj përmes raketës, bombës apo ndonjë veprimi tjetër”, ka thënë Aoun, në disa komente të konfirmuara nga zyra e tij.

Ai ka thënë se hetimet janë duke u kryer në tri nivele.

“E para, si ka hyrë materiali shpërthyes në atë objekt dhe si është ruajtur, e dyta, nëse shpërthimi ka qenë rezultat i neglizhencës apo ndonjë aksidenti dhe nëse ka mundësi të ndonjë ndërhyrjeje të jashtme”.

Zyrtarët libanezë besojnë se një sasi e madhe e nitratit të amonit ka nxitur incidentin, lëndë që përdoret për plehra dhe ka kapacitet shpërthyes.

Sipas tyre, kjo sasi është mbajtur në kushte jo të mira për kohë të gjatë.

Gjatë ditës së mërkurë, qeveria ka urdhëruar që zyrtarët e portit të vendosen në arrest shtëpiak.

Të premten në Bejrut është raportuar për shpërthim të protestave, në të cilat është kritikuar qeveria e këtij vendi pas shpërthimit të disa ditëve më parë.

Shumë njerëz në Liban kanë pretenduar se pakujdesia e qeverisë ka çuar në shpërthimin, i cili ka lënë të vdekur të paktën 140 persona, derisa ka plagosur rreth 5,000 të tjerë.

Autoritetet shqetësohen se numri i viktimave mund të jetë më i madh.

Leave a Reply