Presidentja e KE telefonon Ramën: Jemi krah jush

Bashkimi Europian është përkrah Shqipërisë në këto momente të vështira që po kalon nga tërmeti. Mesazhi vjen nga Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila në një postim në twitter shkruan.

“Sapo fola me kryeministrin shqiptar Edi Rama, i cili më tregoi për situatën e vështirë pas tërmetit. Kam shumë respekt për qytetarët shqiptarë që kanë qëndruar të qetë pavarësisht rrethanave. Dua që ata të dinë që BE është përkrah tyre me dhembshuri dhe me veprim. Janez Lenarčič do të udhëtojë për në Shqipëri të mërkurën. Unë i kam kërkuar atij që të më mbajë të informuar nga afër për situatën”, shkruan ajo në Twitter.

Janez Lenarčič është është pjesë e kabinetit të ri të Komisionit Europian. Ai është një diplomat me 30 vite eksperiencë në marrëdhëniet ndërkombëtare dhe menaxhimin e krizave.

Tërmeti shkatërrimtar që goditi Shqipërinë me 26 nëntor la pas 51 të vdekur dhe më shumë se 900 të tjerë të plagosur.

Ndërkohë dëmet materiale janë të pallogaritshme.

Leave a Reply