Pse PD po kërkon të “demokratizojë” listat e kandidatëve për deputetë?!

Nga Armando Meta/

Nisur nga fakti se sistemi proporcional nuk është i përshtatshëm për të, PD duket se po kthjellon skemën për të kaluar në një sistem me lista të hapura, i cili në vetëvete është lloj mazhoritari i kamufluar. Ky duket se do të jetë tashmë edhe thelbi i debateve mes mazhorancës dhe opozitës për reformën elektorale. Palët janë rreshtuar haptazi tashmë pasi PS dëshëron të mbetet në fuqi proporcionali me lista të mbyllura, ndërsa PD dhe LSI kërkojnë që sistemi i ardhshëm elekoral të mos mbështetet më mbi listat e mbyllura, por për çdo qark listat të jenë të hapura, ku renditja e kandidatëve të bëhet sipas numërit të votave që ata kanë fituar. Skema me lista të hapura konsiderohet edhe si një mundësi për partitë e vogla që kandidatët të mund të arrinë të japin një kontribut më të drejtpërdrejtë për subjektet politike konkuruese. Pra, sipas parimit, që kandidatët të mos presin vetëm çfarë do t’u japë partia, por edhe se çfarë do t’i japin ata partisë. Kjo ka bërë që edhe FRD, PDK, PR, PDIU të mbështesin listat e hapura, shkruan javanews.al.

Funksionimi i sistemit
Për PD skema e listave të hapura shihet si një mundësi e re për të testuar veten, po të kihet parasysh se listave të mbyllura “ua ka parë hajrin”, nisur edhe nga rezultatet negative që ka marrë në 2 zgjedhjet e njëpasnjëshme parlamentare. Pra, ajo s’ka më se çfarë të humbasë. Kjo është edhe arsyeja se përse Basha po përpiqet të ‘demokratizojë’ listat e deputetëve me synimin për të krijuar një ‘garë brenda garës’ mes kandidatëve për deputet të PD-së. Në modelin e thjeshtë proporcional, atë të listave të mbyllura, renditjen e deputetëve e përcakton partia. Nëse partia në zgjedhje siguron 5 mandate, deputetë bëhen 5 personat e parë në listën e asaj partie, të përcaktuar më parë nga kryetari i partisë. Ndërsa në modelin e listave të hapura votuesi ka mundësinë që të shenjojë një ose më tepër kandidatë që ai preferon si deputetë. Pasi numërohen votat dhe ndahen mandatet që i takojnë secilës parti, vazhdohet me numërimin e votave të kandidatëve. Në këtë mënyrë, nëse subjekti politik ka siguruar 5 mandate, deputetë bëhen 5 kandidatët me më tepër vota të këtij subjekti politik, pa marrë parasysh si ka qenë renditja në listë. Në pamje të parë ky model është më demokratik, pasi vendimin se kush bëhet deputet e merr votuesi dhe jo kryetari i partisë. Ky model ju leverdis partive të vogla, pasi do të merrnin një pjesë të votave që në rastin e listave të mbyllura do të shkonin te dy partitë e mësha PS dhe PD, shkruan javanews.al.
Cilësia e deputetëve
Duke qenë se fjalën e fundit se kush do të zgjidhet deputet, në bazë të listave të hapura, do kanë votuesit, parapëlqimet e liderëve partiakë luajnë shumë pak rol. Në këtë mënyrë rrudhet edhe fuqia e krerëve të partive, duke zvogëluar në këtë mënyrë edhe servilizmin e deputetëve ndaj kryetarit të partis. Nga ana tjetër listat e hapura shkaktojnë jo pak trazira brenda partive të mëdha politike, pasi politikanë të aftë dhe të popullarizuar, që janë të papërshtatshëm për krerët e partive, mund t’i sfidojnë këta të fundit. Listat e hapura janë dhe një sprovë për lidershipet partiake, pasi bëjnë të mundur që në zgjedhje ndonjë kandidat të fitojë më tepër vota edhe se vetë kryetari i partisë. Në zgjedhje, me këto modele, anëtarësia e një partie mund të dërgojë sinjale për ndryshim të lidershipit, pa patur nevojë të mbahen kongrese të veçanta partiake. Kjo duket se është arësyeja që listat e hapura nuk shihen me pozitivitet nga krerët e partive të mëdha, pasi ju rrezikon kontrollin mbi partinë.
Ana e errët e listave të hapura
Edhe listat e hapura kanë problemet e tyre. Kjo për faktin se në këto lista mund të hyjnë kandidat me mjete të fuqishme financiare, gjë që krijon jo pak problem ndaj kandidatëve të tjerë. Në modelet e listave të hapura paralelisht me fushatën për partinë secili kandidat lufton të sigurojë vota konkrete edhe për vete. Kjo i jep shtytje konkurencës dhe fërkimeve mes kandidatëve të së njëjtës parti. Për më tepër, nëse votuesit i mundësohet të votojë më tepër kandidatë, kjo shkakton formimin e klaneve brendapartiake. Modeli i listave të hapura pra detyrimisht shkakton beteja të ashpra dhe lojëra pas shpine brenda partive, shkruan javanews.al.

Leave a Reply