Pse u dorëzua Sulejman Rexhepi

Në një intervistë të fundit, në pyetjen se kur do të dalë në pension Sulejman Rexhepi, ai do t’i përgjigjet gazetares se për të nuk ka pension, se ai është i përjetshëm, pra, deri në frymën e fundit ai merr rrogë, jo pension! Disa ditë më vonë, atë do ta shkarkojnë bashkëpunëtorët e vet më të ngusht, madje dy ditë pas faljes së përbashkët të Fitër Bajramit

Shkruan Andi Rakipi

A ka besuar ndonjë mysliman në Maqedoninë e Veriut se do të dalë ndonjë “rroçko” e do ta zbythë Sulejman Rexhepin nga ambiciet e tij karrieriste për ta përmbyllur “misionin” e vet në postin e reisil ulemasë së BFI-së? Kush ka menduar se mund t’i afrohet dikush Sulejman Rexhepit! Sepse, të gjithë e kanë kuptuar se ai është njeri i pushteteve, se ai ka përkrahjen dhe mbështetjen e organeve të drejtësisë, të policisë, të shërbimeve sekrete! Kjo është arsyeja se pse asnjë teolog, asnjë lëvizje, asnjë grup hoxhallarësh nuk i mati brirët drejtpërdrejtë me të, sepse, të gjithë i besonin faktit që Sulejman Rexhepi ka përkrahjen e shërbimeve sekrete dhe, pikë! Vetëm rrebelët, vetëm ata që nuk duan t’ia dinë as për shërbime sekrete, as për polic e as për gjyqësor të korruptuar, siç është Lëvizja Myslimane për Reforma në BFI, mund ta çonin një luftë antisulizëm dhe kundër të gjithë përkrahësve të Sulejman Rexhepit. Natyrisht, Lëvizja luftën e vet do ta zhvillojë gjithnjë duke u mbështetur në Drejtësinë e Zotit, në suaza të normave konstitucionale, duke kërkuar zgjidhje institucionale dhe bazuar ekskluzivisht në Kushtetutën dhe në aktet normative të BFI-së.
Megjithatë, ja që paska pasur dikush forcë edhe më të madhe se sa Sulejman Rexhepi! Kur ky e teproi dhe nisi të duket si tip i rrezikshëm për shtetin, atëherë, po ato shërbime, po ato elementë shtetërorë që e përkrahnin deri dje Sulejman Rexhepin, i dhanë motiv dhe nxitje që të çohet Shaqir Fetai, bashkëpunëtori më i ngushtë i Sulejman Rexhepit, dhe të kërkojë dëbimin e tij si shkelës i Nenit 58 të Kushtetutës së BFI-së! Shaqir Fetai nuk do t’i hynte këtij konfrontimi nëse nuk do të besonte se ka përkrahje dhe mbrojtje më të madhe nga shërbimet e ndryshme sesa që dikur pati Sulejman Rexhepi! Shaqir Fetai nuk do ta ndërmerrte këtë hap sikur mos të ndjente se është më i fuqishëm se sa Sulejman Rexhepi, se gëzon më shumë përkrahje nga po ato elementë prej të cilëve dikur e gëzonte Sulejman Rexhepi!
Është një rregull xhentëlmene: kodoshët e suksesshëm e përfundojnë karrierën e tyre duke i shijuar të gjitha të mirat e kësaj bote, të pasuksesshmit përfundojnë në çmendi dhe, të luhatshmit, çuditërisht vdesin dhe ikin pa u hetuar fare! Tani suksesi i Shaqir Fetait varet nga aftësia e tij për t’i bindur organet e BFI-së se ai është “i dërguari i Perëndisë për shpëtim”, ndërsa të gjitha faktet po flasin se ai po has në një refuzim neveritës nga bashkëpunëtorët e tij dhe kolegë të deridjeshëm. Sepse, Shaqir Fetai nuk po kupton se po zhvishet i tëri nga therrat e intrigave që po mundohet t’i ushtrojë në kurriz të atyreve që tashmë janë lodhur deri në fund duke u shërbyer elementeve të dyshimtë, jo të sinqertë dhe të pandershëm.
Pra, nëse dikur Sulejman Rexhepi aq gjatë dhe pa therrë në këmbë arriti që ta mbajë fronin e BFI-së falë përkrahjes, mbrojtjes dhe paprekshmërisë së garantuar nga elementët e shërbimeve përkatëse shtetërore, me po ata elementë, madje edhe më fuqishëm, lojës për t’ia marrur fronin i hyri Shaqir Fetai! Tani do të kemi një “reis policor” edhe më të fuqishëm se sa Sulejman Rexhepi. Thuase myslimanët e Maqedonisë janë të namun që gjithnjë për reis të kenë një që do t’ua zgjedhin shërbimet sekrete policore, të cilët do ta përkrahin dhe do ta mbrojnë nga çdo shkelje e akteve normative si dhe të Kushtetutës, madje edhe duke e motivuar dhe trimëruar në shkelje të tilla. Sepse, po të jetë me zgjedhje normale, Shaqir Fetai e di fare mirë se si do të mohohet tërësisht nga kolegët e vet teologë.
Pra, Sulejman Rexhepi u dorëzua, dhe pranoi të largohet nga BFI, sepse “elementet misteriozë” përkrahës të tij, i thanë që të tërhiqet, se tash e tutje do të përkrahet Shaqir Fetai dhe se ai do të duhet të rrijë sa më urt. Arritën vetëm një marrëveshje në shenjë të bashkëpunimit gjysëmshekullor: t’ia mundësojnë dorëheqjen dhe jo dëbimin! Prandaj, Shaqir Fetai, i udhëruar nga këta shërbime, në intervistën e vet të fundit thotë: “e detyruam Sulejman Rexhepin që të japë dorëheqje”!!! Kodoshi e mbronë kodoshin!
Faktet flasin se Shaqir Fetai, ndjehet aq i fuqishëm sa, pa iu dridhur qerpiku ka guximi që publikisht t’i drejtohet Sulejman Rexhepit me: Je i shkarkuar sepse ke shkelur Nenin 58 të Kushtetutës dhe, rri urt se tash, në vendin tënd jam unë! Dhe ti e di se kush jam unë, prandaj, suuusss!

Leave a Reply