Qeveria nën kritika! Francë, vetëm 516 të vaksinuar

Qeveria franceze ka mbrojtur politikën e saj të vaksinimit kundër koronavirusit, përballë kritikave se ajo po ecën shumë ngadalë me vetëm 516 vaksinime të raportuara në javën e parë.

Zëdhënësi i qeverisë, Gabriel Attal tha se vonesa kishte ardhur për shkaqe logjistike: ekipet duhej të vizitonin të moshuarit në shtëpitë e kujdesit dhe të merrnin miratimin e secilit prej tyre. BE e nisi vaksinimin me dozat e Pfizer-it dhe BionTech-ut më 27 dhjetor. Deri mëngjesin e të hënës rreth 240 mijë persona ishin vaksinuar në Gjermani. Britania e Madhe u bë ndërkohë vendi i parë në botë që filloi ti jepte njerëzve vaksinën e Oxford-it dhe AstraZeneca-s me rreth një milionë njerëz të vaksinuar deri më tani me vaksinën e Pfizer-it dhe BionTech-ut në Britaninë e Madhe.

Qeveria franceze zgjodhi ti jepte prioritet të moshuarve në shtëpitë e kujdesit.

Një fillim më gradual është i nevojshëm për shkaqe logjistike. Nuk mund t’u kërkojmë atyre njerëzve të shkojnë diku tjetër që të bëjnë vaksinën dhe vonesa është e lidhur edhe me konsultimet paraprake dhe me marrjen e lejes për t’u vaksinuar. Ndaj edhe është dashur më shumë kohë – tha zëdhënësi i qeverisë franceze. Franca është mes vendeve më të goditura nga pandemia. Numri i viktimave të koronavirusit atje është 65037, duke u renditur pas Italisë dhe Britanisë së Madhe.

Ndërsa sipas mediave vendase, në spitalet franceze po trajtohen aktualisht 24780 pacientë me Covid. Franca e nisi vaksinimin të hënën e kaluar, në të njëjtën kohë me vendet e tjera të BE-së. Holanda është i vetmi vend i bllokut që do ta nisë fushatën e vaksinimit më 8 janar.

Leave a Reply