Rama: Do të pastrojmë rrugën që lidh sipërmarrjen me shtetin

Kryeministri Edi Rama, në një takim me tatimpaguesit më të mëdhenj në vend, deklaroi se duhen masa kundër grabitqarëve e parazitëve në administratë dhe për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë.

“Nëse cënohet sipërmarrësi, fjala duhet të shkojë në majën e piramidës shtetërore dhe në zyrën e kryeministrit. Mos i pranoni ata që vijnë me bluxhinse në derë për të kontrolluar kompanitë më të mëdha të Shqipërisë. Nuk kërkohet llogari me pantallona të shkurtra. Refuzoni dhe lajmëroni që këta persona u refuzuan. Detyroheni ju që të shpëtoni nga letrat që lënë njerëz me shapka. Nuk duhet të lejojmë që kjo lloj figure që përfaqëson shtetin të bëjë ligjin në oborret e kompanive tuaja”, tha Rama.

Më tej, kreu i qeverisë shtoi: “Pjesa më e madhe e administratës do që të punojë e të jetë në rregull me ligjin, por nuk të lënë këta që helmojnë gjithë klimën. Brenda javës së ardhshme do të publikojmë platformën “online” të bashkëqeverisjes, që do të ketë rubrikë të veçantë për biznesin, që të ketë linjë direkte për çdo lloj cënimi dhe sjellje të padenjë të kujtdo që i shkon në derë bizneseve. T’u vëmë bashkë një kufi të gjithë atyre që marrin rroga nga buxheti dhe të pastrojmë llumin e korrupsionit që është kthyer në zullum të madh në kanalet e komunikimit të sipërmarrjes me shtetin”.

Rama theksoi se “ekonomia është rritur me 4.06% në tremujorin e fundit”, duke deklaruar se objektivi është që të kapet shifra 5%.

“Pastrimi i rrugës që lidh sipërmarrjen me shtetin është një nga masat kryesore që do të ndihmojë në objektivin e rritjes ekonomike. Një rritje 5% ndihet në të gjitha shtresat”, deklaroi Rama.

Leave a Reply