Rama-Veliajt: Bravo Lal!

I njohur për batutat e tij në çdo vizitë në terren, nuk kanë munguar as ato mes Ramës e Veliajt gjatë menaxhimit të krizës në Tiranë. Në vizitën tek banesat sociale, Rama i kërkoi administratorit të godinës të rilyente muret e zhgarravitura nga fëmijët, aq sa opozita kaloi në ekstazë, se ‘Rama zihet me Erionin’.

Sërish dje, Kryeministri Edi Rama dhe kryebashkiaku Erion Veliaj vizituan familjen Sina në Sauk e cila ka përfituar bonusin e qirasë nga Bashkia e Tiranës, si familje e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit.

Gjatë kësaj vizite, Kryeministri la edhe një porosi, rrethimin me kangjella të shkallëve dhe parvazit të shtëpisë, për të qenë e sigurt për më të vegjlit, të cilët sapo kishin hyrë në shtëpinë e re. Kujdesi për çdo detaj, nga qiratë 100% gjer tek banesat sociale, shpesh dhe me humor, ka dëshmuar një menaxhim si kurrë më parë të situatës pas fatkeqësisë.

Menjëherë, punonjësit e ndërmarrjeve bashkiake morën masat dhe brenda pak orësh porosia e dhënë u bë realitet, kangjellat u vendosën dhe u lyen. Lajmin e ka bërë të ditur vet kryeministri Edi Rama, i cili sërish me humor, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale publikoi dhe foton përkatëse, ndërsa shkruante: “U tha u vu, u tha u ly. Bravo Lal!”.

Veliaj nga ana e tij ka deklaruar se pas futjes në shtëpitë me qira të 1000 familjeve, faza e emergjencës në Tiranë përfundon sot. Palestrat dhe shkollat e hapura për krizën do të mbyllen, për t’u rihapur nesër si institucione arsimore.

Leave a Reply