Raporti i World Vision: 74% e fëmijëve janë të traumatizuan nga tërmeti ndërsa mijëra familje në nevojë kritike për strehim

Edhe pse kanë kaluar tre javë nga tërmeti shkatërrimtar i 26 nëntorit, kushtet e strehimit në Durrës, Kamëz, Lezhë dhe Kurbin janë një nevojë kritike që po shoqërohen edhe me problematika të tjera.

Në raportin e parë të Vlerësimit të Shpejtë të situatës, organizata Ëorld Vision vë në pah edhe faktin se popullata e prekur në zonat rurale të largëta nuk ka marrë informacion ose mbështetje të mjaftueshme për përgjigjen ndaj tërmetit.

Situata paraqitet shqetësuese sidomos në Kurbin për shkak të mungesës së strehimit, numrit të lartë të personave të sëmurë si dhe varfëria. Një numër i madh njerëzish që jetojnë në tenda nuk arrijnë të ngrohen minimalisht, duke konsideruar edhe temperaturat e ulëta në këto ditë dhjetori.

Më tej, vijon studimi, problemi i dytë më i rëndësishëm është niveli i lartë i simptomave psikologjike, si frika, ankthi, privimi i gjumit dhe humbja e oreksit.

Fëmijët janë më të prekurit nga këto simptoma, duke figuruar në 74% të rasteve të vrojtuara.

World Vision sugjeron që tu sigurohet sa më parë mbështetje psikosociale fëmijëve, prindërve, udhëheqësve të komunitetit dhe mësuesve të tyre për të nxitur një mjedis elastik përreth të vegjëlve.

Sipas raportit, simptomat e shqetësimit dhe traumës janë më të përhapura në nivelet 85.2% në popullatën që jeton në shtëpitë e tyre dhe 88.4% tek personat që jetojnë në tenda dhe 61.1% tek ata që jetojnë në hotele.

Vërehet gjithashtu se përhapja e sëmundjeve si ethe, kollë, grip, dhimbje koke apo infeksione po bëhet gjithnjë e më problematike dhe si rrjedhojë nevojitet ndihmë e menjëhershme për komunitetet e prekura.

Leave a Reply