Reisi politik që injoron bazën dhe të gjitha organet e BFI-së

Që nga anëtari më i rëndomtë i BFI-së, qytetari mysliman, apo, anëtari i komunitetit mysliman në vend e, deri në organet më të larta të këtij komuniteti, përfshirë këtu edhe Rijasetin dhe Reisin, që të gjithë i ka tallur Shaqir Fetai, duke i anashkaluar dhe duke i injoruar në të drejtën e pjesëmarrjes dhe në obligimet qytetare për zhvillimin e jetës fetare islame në RMV

Shkruan Abaz Islami

Këto ditë është debatuar dhe shkruar mbi një çëshje e cila do të duhej ta trondiste masën e gjërë, sidomos atë myslimane! Por, a ua preku ndërgjegjën ky debat teologëve të vendit, a i tronditi myslimanët, a e vetëdijësoi ndonjë strukturë të organeve dhe institucineve të BFI-së? Shumë pak! Më tepër u tronditën dhe u interesuan faktorët ndërkombëtarë se sa myslimanët e vendit! Edhe kjo heshtje vrastare e besimtarëve ishte brengosëse për fakorin ndërkombëtar, sepse, kjo flet se, tashmë tërë shoqëria e vendit është e varur nga partitë politike që kanë futur duart thellë edhe në organizimin e jetës fetare në vend.
T’ia prekësh një shoqërie shpirtin dhe për këtë të mos ketë kurrfarë reagimi, kjo flet se qytetarët po shndërrohen në mekanizëm votimi duke kërkuar që këtij mekanizmi t’i lyhen të paktën dhëmbëzorët, t’ju premtohet punësimi i fëmijëve, nipërve e mbesave të hoxhallarëve e të teologëve të ndryshëm. Del puna se të gjithë janë nën presionin e shantazhit partiak. BFI-ja, praktikisht ka mbetur në nivelin e një targambledhësi fetar për myslimanët e vendit. Kurrë në historikun e vet BFI-ja nuk ka qenë kaq shumë e depersonalizuar.
Shaqir Fetai u fut në skemën e përgatitur nëntokave të shërbimeve të ndryshme, me qëllim të sheljes dhe të mohimit të të gjithë organeve të BFI-së. Që nga paraqitja e tij, si person i uritur për postin e “reisit” e deri më sot, janë zbërthyer pothuajse të gjitha këto lojna! Së fundmi, me analizën e bërë mbi shkeljet kushtetuese të BFI-së, përgatitur nga Këshilli për mbrojtjen e Kushtetutshmërisë së BFI në RMV, u konkludua se janë shkelur mbi 30 nene esenciale të Kushtetutës, që të gjitha mbështetur në parimet islame mbi të cilat është paraparë organizimi, zhvillmi dhe avansimi i jetës fetare islame në vend.
Pasi shkelja u bë në krye të BFI-së, fluturimthi u zbrit në bazë, me qëllim që të mbillet një sistem diktatorial në BFI! Nga anarkistët u injorua tërë baza dhe, madje edhe u kërcënua, duke ju thënë se, mbahet shënim çdo reagim i teologëve të cilët mund të sanksionohen duke iu hakmarrur partia me largim nga puna, apo me pamundësim punësimi të të githë fëmjëve, nipërve e mbesave të strukturave të BFI-së, që nga imamët e deri te “reisi”!
Se sa do të ketë sukses kjo përpjekje, kjo u vërejt nga disa myftini të cilët nga Shaqir Fetai u përdorën si kampion “studimi” i këtij efekti!
Le të ndalemi te organi Myftini, e cila ka myftiun, kryeimamin, sekretarin, si dhe anëtarët e tjerë të myftinisë, varësisht se në ç’masë territori shtrihet! Anëtarët e Myftinisë zgjidhen nga mexhlisi i xhemateve, i cili përbëhet nga nëpunësit fetar të muftinisë (imami, mualimi, vaizi, myezini etj.), mutevelinjtë e xhamive dhe të punësuarit në operativën e Muftinisë.
Shaqir Fetai i shkelë nenet që e rregullojnë këtë çështje por edhe tërë Rregulloren që i përket zgjedhjeve dhe rregullimit të jetës fetare islame në çdo myftini! Në ato territore të përcaktuara me Kushtetutën e BFI-së ku nuk ka kushte për zgjedhjen dhe emërimin e myftiut, caktohet një kordinator i cili e rregullon organizimin e jetës fetare konform Rregullores për Myftini si dhe Kushtetutës së BFI-së. Kjo është kompetencë dhe e drejtë e myslimanëve të territorit gjegjës, e organeve fetare të atij territori, prej qytetarit të rëndomtë, muteveliut e deri te myftiu apo kordinatori i Myftiut. Këtë kompetencë dhe këtë të drejtë ua ngulfat Shaqir Fetai, duke emëruar krye më vete myftinjë (të pazgjedhur, të pa propozuar, të pa emëruar, të padekretuar) por edhe duke shpikur tituj jasht kushtetutar si “u.d. myfti”!
Për Shaqir Fetain nuk është i rëndësishëm fare konsultimi me këshillat e xhamive, me mexhliset e xhemateve, me operativën e myftinisë për zgjedhjen e organeve drejtuese apo konsultative. Për Shaqir Fetain me rëndësi është përcaktimi i tij, sepse ai e gëzon dhe e ka fituar atë të drejtë dhe legjitimitet partiak e të pushtetit, të cilin duhet ta fitojnë edhe qytetarët më të rëndomtë, duke u servilosur dhe duke iu nënshtruar partive në pushtet.
Një e treta e myftinive të BFI-së i janë bindur vendimeve personale të Shaqir Fetait, duke kërkuar dhe përkrahur shkelje drastike të akteve juridike të BFI-së.
Nëse nuk ndërhyjnë ndërkombëtarët, gjithnjë si faktor esull në këtë vend, ekziston mundësia që të mbillet praktika e thyerjes së heshtave partiake mu në oborr të BFI-së dhe, ajo parti që do ta kontrollojë BFI-në ajo do të instalohet në pushtet! Natyrisht, kjo strategji mund të ketë dhe koston e vet! Askush nuk garanton se nuk do të provokohet dhe ndihmohet ekstremizmi politiko-fetar, terrorizmi politiko-fetar, një anarki totale, e gjithë kjo përkrahur, mbështetur dhe mossanskionuar nga organet gjegjëse të shtetit.
Bashkësia Fetare Islame u plagos për vdekje nga Shaqir Fetai! Ndërhyerjet politike veçsa do ta përshpejtojnë vdekjen e këtij Institucioni nga plaga e shkaktuar me të gjitha simptomet e plagës kancerogjenoze. Ndërhyrja kirurgjikale e faktorit të jashtëm, duke e kthyer jetën fetare dhe organizimin e saj në bazë të Kshtetutës aktuale, mund të jetë vendimtare për shpëtimin e këtij Institucioni aq me relevancë në vend, rajon dhe më gjërë. Nuk duhet pritur të shfaqen situatat ekstremiste dhe të papërballueshme, por, sa më parë të ndërhyhet aq më lehtë do të tejkalohet ky kërcënim i planifikuar nga nëntoka e shërbimeve të huaja.

Leave a Reply