Rekomandimi i OBSH: Të mos vendoset kushti për “pasaportë vaksine” në udhëtimet ndërkombëtare

Komiteti i Situatave Emergjente të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) rekomandoi që për shkak të koronavirusit të vazhdojë “situata emergjente globale” dhe të mos vendoset kushti për “pasaportë vaksine” në udhëtimet ndërkombëtare. Drejtori i përgjithshëm i OBSH-së, Tedros Adhanom Ghebreyesus zhvilloi një konferencë për media nëpërmjet video-konferencës në qendrën e organizatës në Gjenevë. Ai bëri thirrje për solidarizim global për vaksinat e COVID-19. “Punonjësit e shëndetësisë janë lodhur dhe sistemet shëndetësore janë të tensionuara. Shohim se edhe në disa vende burimet e oksigjenit janë zvogëluar në shkallë të rrezikshme”, shtoi Ghebreyesus.

Sipas tij, Komiteti i Situatave Emergjente të OBSH-së u mblodh këtë javë për të diskutuar mbi pandeminë. “Jam i kënaqur që Komiteti theksoi se vaksinat kundër COVID-19 duhet të shpërndahen në mënyrë të barabartë”, tha Ghebreyesus. Më tej ai nënvizoi se punonjësit e shëndetësisë dhe personat me rrezik të lartë duhet të kenë përparësi në vaksinime.

Drejtori i programit të Situatave Emergjente të OBSH-së, Mike Ryan tha se Komiteti nuk rekomandon “kushtin që personat që udhëtojnë të posedojnë dokumentin që dëshmon se janë të vaksinuar”. Ndërkohë në një deklaratë me shkrim nga Komiteti, thuhet se lidhur me pandeminë COVID-19 është marrë vendimi për vazhdimin e “Situatës së Emergjencës Ndërkombëtare të Shëndetit Publik (PHEIC)”.

Prodhuesit e vaksinës duhet të ndajnë me OBSH-në të dhënat që posedojnë lidhur me sigurinë dhe efektivitetin e vaksinave, thuhet në deklaratën në të cilën paralajmërohet se “Mungesa e këtyre të dhënave është një pengesë në furnizimin e vaksinave në nivel global dhe në mënyrë të barabartë”.

Lidhur me “pasaportën për vaksinën” që është në rend dite muajt e fundit, Komiteti tha se “Duke marrë parasysh se nuk dihet ende efekti i vaksinës në uljen e infektimit (të virusit) dhe se aktualisht ka një vaksinim shumë të kufizuar, Komiteti u ka rekomanduar vendeve të mos kërkojnë nga udhëtarët dëshmi se janë vaksinuar”. Komiteti ka rekomanduar që në udhëtime të respektohen praktikat themelore të njohura dhe ato aktuale të OBSH-së.

Leave a Reply