Rekord viktimash ditore në Gjermani

Merkel optimiste: Vaksina del para Krishtlindjeve

Gjermania ka shënuar një rekord negativ prej 410 viktimash ditore. Kjo shifër është me e larta e gjithë periudhës së pandemisë, që tregon se edhe spitalet e këtij vendi kanë nisur të kenë mbingarkesë nga dyndja e pacientëve.

Edhe Gjermania po shfaq shenja kapitullimi përpara COVID-19-ës. 24-orëshi i fundit shënoi rekordin negativ prej 410 viktimash në një ditë. Bëhet fjalë për shifrën më të lartë që prej nisjes së pandemisë në fillim të këtij viti. Kjo sipas ekspertëve tregon se edhe spitalet gjermane po përballen me mbingarkesë si kurrë më parë gjatë pandemisë së koronavirusit, kur Gjermania është renditur ndër vendet me menaxhimin më të mirë të krizës.

Mes shifrave të errëta, Kancelarja gjermane Angela Merkel u shpreh optimiste përpara deputetëve se Gjermania mund ta ketë vaksinën anti-COVID përpara festës së Krishtlindjes.

Është e mundur që vaksinën ta kemi para Krishtlindjes. Kemi rënë dakord që atë t’a bëjnë të parët punonjësit e sistemit shëndetësore”.

Pavarësisht situatës, qeveria gjermane do t’i mbajë të hapura bizneset gjatë festave të fundvitit, por kancelarja ka shpalosur edhe planin e masave kufizuese. Parashikohet që në markete të qëndrojë vetëm 1 person për 10 metra katrorë. Nëpër shtëpi nuk do të lejohen më shumë se 10 persona për të festuar.

Rekord të zi viktimash nga COVID-19 shënoi për të dytën ditë radhazi i gjithë globi, me mbi 12 mijë raste vdekjesh në një ditë. Shifrën më të lartë të viktimave të valës së dytë e shënuan për të dytën ditë radhazi Shtetet e Bashkuara, ku edhe atje sistemi shëndetësor është në krizë për shkak të dyndjes së të infektuarve.

Leave a Reply