Rrëmbehet liderja e opozitës në Bjellurosi

Një prej figurave kryesore në politikën e Bjellorusisë, Maria Kolesnikova, është rrëmbyer mëngjesin e kësaj të hëne në Minsk. Mediat ndërkombëtare bëjnë me dije se ajo është futur me forcë në një makinë nga disa persona të maskuar teksa ishte duke ecur në një nga rrugët e kryeqytetit.

Kolesnikova njihet si një nga zërat më opozitar në Bjellorusi dhe ishte një nga partneret kryesore të kandidates, Svetlana Tikhanovskaya, e cila pretendoi fitoren kundër presidentit, Alexander Lukashenko, në zgjedhjet që u zhvilluan në 9 gusht.

Kolesnikova mësohet se është zhdukur në orën 10:00 të mëngjesit, në afërsi të muzeut kombëtar të artit Minsk. Më herët dhe tre anëtarë të këshillit koordinues të opozitës janë zhdukur gjithashtu, gjë që shihet si një përpjekje e qeverisë për të shuar zërat opozitarë.

Problemet në vendin e ish-Bashkimit Sovjetik kanë nisur që pas zgjedhjeve, ku opozita pretendoi se kishte fituar, por presidenti Lukashenko nuk e lëshoi postin dhe nxiti protesta të dhunshme. Mijëra qytetarë prej javësh tashmë po protestojnë kundër presidentit dhe kërkojnë largimin e tij, por autoritetet janë përgjigjur me dhunë dhe arrestime.

Leave a Reply