Rrjedhja e votave për Ruçin, Grida Duma sqaron deklaratën që e përplasi me Sali Berishën

Zëdhënësja e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Grida Duma, e ftuar në studion e Ora News, bëri me dije nisma më të afërta të opozitës në Parlament, duke përmendur kërkesën për ngritjen e komisionit të reformës zgjedhore si dhe thirrjen e ministrave, dikasteret e të cilëve kanë pësuar ndryshime, për të sqaruar strukturën e re.

E pyetur për deklaratën e saj pas rrjedhjes së votave të opozitës për zgjedhjen e Gramoz Ruçit në krye të Kuvendit, Duma e konsideroi manipulim si shitblerjen e votës ashtu edhe rrjedhjen e votës në Parlament.

E pyetur nëse Lulzim Basha do të arrijë të bëjë bashkimin brenda Partisë Demokratike, kur në fakt të gjithë ish-drejtuesit e PD janë kundër tij, Duma nuk preferoi të përgjigjej.
Pjesë nga deklaratat:

Duma: Ne votimin elektronik e kemi kërkuar prej kohësh. Sigurisht, ajo që kam kujdes për të përmendur është se votimi elektronik nuk është çështja e një partie. Nuk zgjidh manipulimin, por është një mjet që zgjidh diçka. Votimi elektronik zgjidh një pjesë të problemit që ka të bëjë brenda qendrës së votimit.

Presioni ndodh jashtë. Duke pasur parasysh që do të jetë shenja e gishtërinjve, nuk do të jetë fotografimi i votës, nuk do të jetë i mundur mekanizmi i manipulimit. Pse duhet kjo? Të gjithë shqiptarët duhet të kuptojnë që deformimi i vullnetit të tyre brenda apo jashtë qendrës së votimit duhet të na japë shansit që kjo Shqipëri të bëhet më e mirë ekonomikisht. Plani ekonomik bazohet në fund të ditës nga mundësia e votës së lirë.
Reforma zgjedhore është detyrë e opozitës që ta çojë përpara dhe kjo ka qenë përpara marrëveshjes (Rama-Basha), megjithëse përfshihet brenda marrëveshjes shumë pika të së cilës nuk u mbajtën.
Votimi i Ruçit

Duma: Vazhdoj të them qartësisht dhe pa asnjë ekuivok që manipulim për mua është një bashkësi e gjerë, edhe shitblerjen edhe rrjedhjen e votave. Me kaq mbyllet ky diskutim!

– A do të kërkoj PD komision hetimor?

Duma: Mbetet vendim i grupit. Të gjitha alternativat janë diskutuar dhe janë matur në raport me mundësinë për ta realizuar këtë.

Opozita frontale

Duma: Një opozitë e cila nuk do të bëjë një hap mbrapa për cilëndo arsye. Nëse qoftë se do të jemi argumentativ dhe konstruktiv, atëherë gjëja më e madhe që do të bëjmë është të zgjojmë shqiptarët.
-A do ta bëjë Basha bashkimin brenda PD?

Duma: Është një pyetje që duhet t’ia bëni atij. Gjykimi i tij nis që nga momenti kur kryetari i opozitës ka mundësi të bëjë opozitën parlamentare. Sa i përket gjithë strateve që duhet të ndjekë, ky është një diskutim që duhet t’i bëhet kryetari.
Unë mendoj që e ka bërë gjatë rrugës. Formula përbashkuese në 2013-2017, ka qenë kryefjala. Autorësinë për listën e ka marrë vetë. Pa dyshim që as 70 por as 140 vende nuk do të ishin të mjaftueshme për të akomoduar të gjitha kapacitetet e vyera që ka PD. Edhe 140 veta po të ishin në listë, ju siguroj se do të ishin pak. Qëndrimi im për të mos u përfshirë në këtë debat ka qenë me vend. Vlerësoj kontributin e gjithsecilit që ka në PD.
Aksioni i opozitës në Parlament

Duma: Janë dhënë tre pika kryesore. E para është komisioni për reformën zgjedhore, thirrja e ministrave ku ministritë që kanë pësuar më shumë ndryshime për të shpjeguar për strukturën e tyre.
153 familjet në Shkozë, Duma: Trajtimi është masakër e vërtetë

Duma: Ky problem është me muaj dhe mua ata banorë ma kanë bërë me dije që projekti më i madh është miratimi i një projekti për rrugëtimin e Lanës. Ky projekt prek 153 familje që kanë një mesatare midis 10 dhe 22 vite që jetojnë aty. Para zgjedhjeve u shkuan vlerësuesit e zyrës së legalizimin dhe u dhanë disa letra se si ua kishin matur pronën.

Sot gjenden të gjithë bashkë përpara një fakti: nuk kanë të drejtën për t’u legalizuar. Momenti që banorët kanë të drejtë është fare i thjeshtë. Procesi i legalizimit ka nisur shumë më përpara se të bëhej projekti i bashkisë.

Mënyra si janë trajtuar është masakër e vërtetë. U kanë thënë që nuk u njihet e drejta e legalizimit dhe do t’u trajtojmë me statusin e pastrehut, ku shumë kanë shtëpi dykatëshe të ndërtuara me kursimet e gjithë jetës. Sot ata janë të vetëdijshëm se ai projekt do të bëhet dhe të merret prona e tyre dhe të shpronësohet sipas tregut.
Unë ju paraqes certifikatat e pronësisë së tyre, ku PD do t’i përfshijë në dosje për t’u afruar asistencë atyre.

Sa u përket atyre që kanë certifikatë pronësie plotësisht të qartë, u kanë thënë se për ta do të vendoset më vonë. Për të mos thënë atë faktin e trishtë që 12 vjeçarin e kanë mbajtur për 6 orë në rajon. Ai është në traum psikologjike dhe nuk dimë se si mund t’i kujtojmë ndjesë këtij fëmije./Oranews

Leave a Reply