Rusia teston raketë hipersonike

Rusia ka zhvilluar më herët gjatë këtij muaji një provë me raketën hipersonike Kinjal në pjesën ruse të Arktikut.

Lajmi u bë i ditur të shtunën nga agjencia e lajmeve TASS e cila i referohej dy burimeve ushtarake.

Njoftimi vjen një ditë pasi shërbimi danez i zbulimit paralajmëroi për një rritje të rivalitetit gjeopolitik në pjesën veriore të globit duke shtuar se ushtria kineze po kryente gjithnjë e më shumë hulumtime shkencore në Arktik.

Sipas agjencisë TASS provat janë zhvilluar në mes të muajit nëntor. Avioni “MiG-31K” i cili u ngrit nga Olenegorsk-u qytet në rajonin verior të Murmansk-it e gjuajti raketën në drejtim të një objektivi tokësor në Pemboi, një zonë që përdoret për stërvitje në pjesën ruse të Arktikut.

Në raportin vjetor të shërbimit danez të zbulimit të publikuar të premten thuhej se “po formësohet një garë force mes Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës, që po rrit nivelin e tensionit në rajonin e Arktikut”.

Presidenti rus Vladimir Putin foli rreth egzistencës së Kinjalit në mars të 2018-s. Ai foli gjithashtu edhe për sisteme të tjera raketash që i konsideroi të pamundura për t’u mposhtur.

Sipas medias ruse raketat Kinjal me mbushje bërthamore apo konvencionale mund të gjuajnë objektiva që ndodhen në një largësi prej 2 mijë kilometrash dhe se raketat janë dislokuar tashmë në rajonin jugor ushtarak të Rusisë. /voa

Leave a Reply