Seanca gjyqësore për rastet “Monstra”, “Llaskarca” dhe “Trajektorja”

Gjatë ditës së sotme në Gjykatën Penale të Shkupit, vazhdojnë seancat gjyqësore për rastet “Monstra”, “Llaskarca” dhe “Trajektorja”.

Procesi gjyqësor për tragjedinë e “Llaskarcës”, e cila ndodhi me 13 shkurt të këtij viti, ku humbën jetën 16 persona, gjendet në fazë të dëshmive dhe pritet të vazhdojë me rrëfimin e personave ekspert nga Fakulteti Elektroteknik dhe Teknologjisë Informatike, (FETI).

Kjo lëndë gjyqësore udhëhiqet nga Trupi gjyqësor i kryesuar nga Diana Gruevska – Ilievska, ndërkohë aktakuza përfaqësohet nga prokurori Darko Jakimovski.

Për këtë aksident tragjike akuzohen gjashtë persona. Pronari i Kompanisë “Durmo Turs”, Durmisht Beluli, përgjegjësi i transportit në këtë kompani, Remzi Miftari dhe shoferi i autobusit Manoel Trifunovski. Sipas aktakuzës së Prokurorisë së Shkupit, ata ngarkohen për veprën penale “vepra të rënda ndaj sigurisë së njerëzve dhe pronës në komunikacion”. Ndërkohë tre të punësuarit në Qendrën për kontroll teknike Igor Gjorgjievski, Goran Dukovski dhe Jane Bovarski, akuzohen për bashkëveprim në veprën e njëjtë.

Edhe rasti “Monstra”, gjendet në fazën e prezantimit të dëshmive. Këtë lëndë e drejton gjykatësi Ognen Stavrev dhe ndihmësi i tij është gjykatësi Osman Shabani. Përfaqësues të aktakuzës janë prokurorët Fatime Fetai dhe Gavrill Bubevski.

Ndërkohë, procesi gjyqësor për rastin “Trajektorja”, kundër ish-ministrit të Transportit dhe Lidhjeve, Mile Janakievski, ish-zëvendëskryeministrit Vlladimir Peshevski dhe ish-drejtorin e NP “Rrugë shtetërore”, Lupço Georgievski, gjendet para përfundimit.

Lënda në fjalë procedohet nga gjykatësi Goran Boshevski, ndërsa përfaqësues e aktakuzës është prokurorja Lile Stefanova. Të akuzuarit ngarkohen për keqpërdorim të mjeteve dhe procedurës për zgjedhjen e kompanisë për ndërtimin e autostradave Milladinovci-Shtip dhe Kërçovë-Ohër.

Leave a Reply