Serwer: Proceset në Hagë për përgjegjësi individuale, marrëveshja Kosovë-Serbi qëndron

Eksperti nga SHBA për çështje ndërkombëtare dhe njohës i Ballkanit, Daniel Server, ka thënë se me ndryshimin në Shtëpinë e Bardhë marrëveshja ekonomike Prishtinë-Beograd qëndron.

Me zgjedhjen e Joe Bidenit si President në SHBA mund të ndryshojë edhe qasja e Shtëpisë së Bardhë ndaj Ballkanit. Nëse kjo mund të influencojë edhe ndaj marrëveshjes së shtatorit në Washington mes Prishtinës dhe Beogradit, Serwer thekson për Deutsche Welle se “Marrëveshja qëndron, megjithëse nuk do të ketë ndonjë domethënie të madhe edhe nëse ajo zbatohet. Marrëveshja nuk e detyron SHBA për asgjë, dhe deri tani unë nuk kam dëgjuar asgjë lidhur me zbatimin e saj nga Prishtina dhe Beogradi.”

Duke komentuar hapjen e proceseve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçit dhe të tjerëve në Gjykatën Speciale në Hagë dhe impaktit që ato mund të kenë në Kosovë, ai thotë se procesi zhvillohet kundër përgjegjësisë individuale të personave, jo me përgjegjësi kolektive.

“Shqetësimi është se ai po zhvillohet vetëm në njërin drejtim, sepse Dhomave të Specializuara u mungon juridiksioni të merren me autorët serbë të krimeve dhe Serbia ka dështuar në vënien e tyre në bankën e të akuzuarve. Kjo është për të ardhur keq”.

Leave a Reply