SHBA dhe BE: Zgjedhjet të qeta dhe të rregullta

“Kush ka kontestime të presë Gjykatën Kushtetuese”

Në deklaratë e saj të parë pas zgjedhjeve të 30 Qershorit, Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës të Tiranë thotë se i mirëpret përfundimet e misionit vëzhgues të ODIHR-it, sipas të cilave zgjedhjet bashkiake të 30 Qershorit u zhvilluan përgjithësisht në mënyrë të qetë dhe të rregullt, si dhe dhanë një vlerësim të përgjithshëm pozitiv për numërimin e votave.

“Ne pranojmë, megjithatë, ashtu siç e vuri në dukje edhe misioni i ODIHR-it, se ngërçi dhe polarizimi politik kontribuuan për zgjedhje në të cilat votuesit nuk kishin një zgjedhje kuptimplotë. Pavarësisht pengesave, populli shqiptar, qoftë ata që morën pjesë në zgjedhje, ashtu edhe ata që abstenuan, ushtruan të drejtën e tyre demokratike në mënyrë paqësore dhe ne i përgëzojmë për këtë”.

Selia diplomatike e rrugës së Elbasanit ka edhe një mesazh për krerët e politikës që të respektojnë institucionet dhe çdo kundërshti për rezultatin ta adresojnë në Gjykatën Kushtetuese kur ajo të bëhet funksionale.

“Në këtë çast, ne iu bëjmë thirrje të gjithë udhëheqësve politikë që të respektojnë shtetin ligjor dhe të punojnë brenda institucioneve ngritura për të përcaktuar rrugën përpara për demokracinë shqiptare, përfshi përparimin me reformat e rëndësishme zgjedhore të rekomanduara nga ODIHR. Ata që dëshirojnë të sfidojnë rezultatin e zgjedhjeve, mund të presin Gjykatën Kushtetuese, e cila shpresojmë do të ngrihet së shpejti, me gjykatës të cilët kanë kaluar një proces rigoroz vetingu”.

Një mesazh vjen edhe nga Maja Koçijançiç, zëdhënëse e Bashkimit Europian që gjithashtu thekson se zgjedhjet e 30 Qershorit u zhvilluan në një kontekst të ndarjes politike, por në një mënyrë përgjithësisht të qetë dhe të rregullt.

“Organet lokale të sapozgjedhura tani duhet të jenë në gjendje të punojnë sipas kompetencave të tyre kushtetuese, në dobi të qytetarëve të vendit. Siç thuhet në mënyrë të përsëritur: qeveria dhe opozita duhet të tregojnë pjekuri politike dhe të angazhohen urgjentisht në dialog konstruktiv për të kapërcyer situatën aktuale politike”.

Bashkimi Europian thotë se të gjitha institucionet shqiptare dhe udhëheqësit politikë tani duhet të përqendrojnë përpjekjet e tyre në vijueshmërinë e zbatimit  të procesit të reformës, duke përfshirë rinisjen e reformës së iniciuar më parë të legjislacionit zgjedhor për të adresuar rekomandimet e ODIHR-it”./Tv Klan/

Leave a Reply