SHBA i ofron Vuçiçit atë që refuzoi Millosheviç

Për analistët dhe mediat në Beograd, bileta e integrimit të Serbisë në Bashkimin Europian merret në Uashington, por me një sërë kushtesh specifike.

Sipas analistëve serbë, Uashingtoni i ofron kryeministrit Aleksandar Vuçiç, atë që Sllobodan Millosheviç refuzoi në takimin me James Baker; afrimin me Perëndimin. Por më parë duhet të plotësohen disa kushte.

Njëri prej tyre është orientimi i qartë i Beogradit drejt Bashkimit Europian dhe Perëndimit. Kjo nuk do të thotë shkëputje totale e marrëdhënieve me Rusinë, por të parandalohet shndërrimi e Serbisë në një mashë të Moskës në Ballkan.

As Uashingtoni dhe as Brukseli nuk dëshirojnë ndikim e fortë rus, sidomos në një rajon si ai i Ballkanit, ku Maqedonia, Serbia, Kosova dhe Bosnja vlerësohen nga Shtetet e Bashkuara si “zonat e nxehta”, ku konfliktet mund të shpërthejnë kurdoherë.

Sipas gazetës serbe “Blic”, Vuçiç ka marrë këtë propozim nga ana e zyrtarëve amerikanë gjatë vizitës së tij në Uashington dhe si këmbim premtohet mbështetja politike për integrimin në BE dhe aksesi në fonde e rritja e investimeve amerikane, të drejtpërdrejta dhe tërthorazi.

Për të ritheksuar këtë qëndrim, në korrik parashikohet një vizitë e Victoria Nuland në Beograd për të parë nëse Serbia po lëviz në drejtimin e duhur, sidomos sa u përket marrëdhënieve me Rusinë, forcimin e shtetit ligjore, pavarësinë e institucioneve dhe respektimit të të drejtave të minoriteteve.

Leave a Reply